QKUK-ja me mungesë të infermierëve

QKUK-ja me mungesë të infermierëve

Aktuale July 16, 2019 - 19:54
Lexoni detajet

Gjermania ka nevojë për 70 mijë infermierë dhe ky numër i madh i infermierëve mund të arrihet vetëm me ardhjen e tyre nga shtetet tjera, duke e përfshirë këtu edhe Kosovën. Kështu ka deklaruar dje në Prishtinë ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn, pas marrëveshjes së nënshkruar për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë me homologun e tij kosovar Uran Ismailin, shkruan Gazeta 'Zëri". 

Derisa flitet për punësimin e infermierëve kosovarë në shtetin gjerman, Qendra Klinike Universitare e Kosovës e spitalet rajonale në vend vazhdojnë të përballen me mungesë të tyre.

Drejtorë të klinikave disa herë kanë thënë për gazetën “Zëri” se po u vështirësohet puna për shkak të mungesës së infermierëve.

Vetëm në Klinikën e Neonatologjisë, për shkak të mungesës së stafit mjekësor, një infermiere kujdeset për më shumë se 10 foshnje.

Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, ka thënë për “Zërin” se për shkak të mungesës së stafit mjekësor, si dhe tashmë për shkak të pushimeve vjetore të mjekëve, kanë më shumë probleme sa i përket ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.

“Ne po presim që të pranohen infermiere në Klinikën e Neonatologjisë. Ne kemi bërë kërkesë për 15 infermiere që të plotësohen kërkesat minimale për shërbimet shëndetësore sa më efikase. Mendojmë që ato do të mjaftojnë që të plotësohen këto kërkesa. Tani kemi probleme për shkak të pushimeve vjetore. Gjatë pushimeve problemet janë më të mëdha për ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore, për shkak se ka mungesë të stafit të infermierëve”, ka thënë ai.

Gojnovci ka thënë më tej se atyre u është premtuar rekrutimi i infermierëve të rinj në klinikë. /ZERI