Macron: Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane
Foto: Zeri

Macron: Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane

Aktuale July 16, 2019 - 07:24
Lexo Detajet
Image

Presidenti i Francës Emmanuel Macron i ka thënë në Beograd homologut të tij Aleksandar Vuçiq se Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike që veprojnë në Francë kanë vlerësuar se kjo e fundit është e gatshme ta pranojë çfarëdo zgjidhjeje që do të mundë të arrihet mes dy vendeve, shkruan sot gazeta Zëri.

Pikërisht në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, presidenti i Francës Emmanuel Macron përsëriti faktin e pamohueshëm se Kosova është shtet evropian, ndonëse pala serbe vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

LEXO EDHE:  Zbulohet sa është vlera e pagave që marrin infermierët e Kosovës në Gjermani

Pas një takimi që pati dje me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kreu i shtetit francez pohoi se Franca do të angazhohet për ta rinovuar procesin e dialogut dhe për ta gjetur një zgjidhje, që do të çonte drejt marrëveshjes finale. Megjithëkëtë njohësit e çështjeve politike që veprojnë në Francë dhe në Kosovë thonë se pavarësisht këtyre përpjekjeve rinisja e procesit të negociatave është vështirë të ndodhë, pasi që të dyja palët e përfshira në dialog vazhdojnë të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre, shkruan sot gazeta Zëri.

Derisa Serbia po deklaron vazhdimisht se nuk pranon të ulet në tavolinë pa largimin e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, Qeveria e Kosovës po e ripërsërit qëndrimin e njëjtë tash e tetë muaj, se tarifa 100 për qind nuk largohet pa pasur garanci për njohje të Kosovës. Takimi i fundit në kuadër të fazës finale të dialogut është mbajtur më 9 nëntor të vitit të kaluar.

Macron paralajmëron takim mes palës kosovare dhe asaj serbe

Gjersa foli pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kreu i Francës Emmanuel Macron tha se ai personalisht do ta organizojë një takim të veçantë me përfaqësuesit e Prishtinës, me ata të Serbisë dhe me kancelaren gjermane Angela Merkel. Me këtë rast presidenti francez tha se do të rritet angazhimi rreth dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale. “Franca do të angazhohet për të gjetur një marrëveshje për Kosovën. Kosova dhe Serbia janë dy shtete evropiane. Është përgjegjësia jonë t’jua japim mbështetjen e nevojshme për të gjetur një marrëveshje. Kjo do të thotë që të mos kemi lëvizje jokonstruktive në të dyja anët. Vendimet e fundit na shqetësojnë”, theksoi Macron, teksa shtoi se Franca do të jetë plotësisht e përgatitur për ta gjetur një zgjidhje përfundimtare në muajt e ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do paqe me Kosovën, porse nuk la pa reaguar ndaj asaj që tha Macron për Kosovën. “Macron nuk e di se sa njerëz preken kur thotë se Serbia dhe Kosova janë dy shtete të pavarura”, u shpreh Vuçiq teksa komentoi deklaratën e presidentit francez.

Roli i Francës dhe i Gjermanisë në dialog

Teksa ka folur rreth vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, ka vlerësuar për “Zërin” se roli i Francës dhe i Gjermanisë është fuqizuar dy vjetët e fundit sa u përket zhvillimeve të përgjithshme në Evropë. Ndaj Murtezaj, i cili aktualisht është profesor universitar në Francë, ka konsideruar se këto dy shtete do të luajnë rol kyç në procesin e dialogut. “Edhe në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë roli i Francës, së bashku me Gjermaninë, do të jetë i dorës së parë sa u takon pikëpamjeve evropiane. Natyrisht këtu nuk duhet ta harrojmë asnjëherë rolin e rëndësishëm që SHBA-ja ka në gjithë këtë proces”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Nezir Kraki, profesor në Universitetin e Parisit në Francë, ka vlerësuar se Franca është e gatshme ta pranojë çfarëdo zgjidhjeje që do të mundë të arrihet mes Kosovës e Serbisë.

Ndërkohë Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialog në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se vizita e presidentit të Francës në Serbi vjen si rezultat i nismës që kancelarja gjermane Angela Merkel, bashkë me presidentin francez, kishte ndërmarrë para pak muajsh (Samiti i Berlinit) për t’i rikthyer palët në tryezën e diskutimit, respektivisht për t’ia dhënë një shtytje përpara procesit të dialogut.

Rifillimi i dialogut, jo i lehtë

Pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtarëve për ta rikthyer në formën aktive dialogun, njohësit e çështjeve politike thonë se një gjë e tillë është vështirë të ndodhë aktualisht.

“Ajo çka mbetet më se e qartë është që Serbia po vazhdon ta kushtëzojë procesin e dialogut me taksën e vendosur nga pala kosovare. Derisa nuk ka një ndryshim të qëndrimeve të palëve, atëherë vështirë se do të ketë edhe takime të drejtpërdrejta, që mund të sjellin rezultate drejt një marrëveshjeje eventuale”, ka potencuar Jeta Krasniqi.

Ndërkohë Kraki ka thënë se dialogu nuk mund të rinisë në rrethanat aktuale, pasi që as dy palët e përfshira, as Evropa, nuk janë të brengosura sa duhet me këtë çështje. Evropa, siç ai është shprehur, ka halle të tjera, që e nxjerrin Ballkanin jashtë lojës politike në afat të shkurtër. Derisa është deklaruar rreth vazhdimit të dialogut, deputetja e LVV-së Albulena Haxhiu ka thënë se nëse palët ulen sërish në tavolinën e bisedimeve, një gjë e tillë paraqet dështim të radhës së Kosovës.

Opsioni i korrigjimit të kufijve mund të rikthehet në tavolinë

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se dialogu Kosovë - Serbi është bllokuar qe dy vjet. Ndërmjetësuesja e dialogut Federica Mogherini, sipas saj, i ka shkelur parimet duke e lënë si opsion të hapur diskutimin për kufijtë mes dy shteteve. “Mogherini shkeli parimet evropiane në Ballkan duke lënë hapësirë për temën e ndryshimit të kufijve, kur ne të gjithë e dimë që në Ballkan nuk duhet të hapet kjo temë”, ka deklaruar Tahiri për gazetën.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, Valon Murtezaj ka thënë se Franca asnjëherë nuk ka pohuar se mbështet një opsion të tillë. “Në asnjë rast as presidenti Macron dhe as Franca zyrtare nuk e kanë përmendur që përkrahin ndryshimet e kufijve. Përkundrazi, takimi i fundit në Berlin i ka dhënë pothuajse fund një ideje të tillë”, ka nënvizuar ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës.

Por Kraki ka thënë se Franca dëshiron zgjidhje pavarësisht asaj se cila palë mbetet fituese e cila humbëse. “Franca është në ngutësinë e përgjithshme evropiane, e cila si synim ka zgjidhjen ose mbylljen e dosjeve të hapura politike në periferinë e Evropës. Njëra ndër këto dosje është Kosova dhe duke e parë se liderët e Kosovës janë të vetmit që bëjnë kompromise deri në zbehjen ose shpërfytyrimin e shtetësisë së Kosovës, atëherë edhe Franca dhe Macron pajtohen me këtë fakt. Këta duan zgjidhje, pavarësisht kush humb e kush fiton në tavolinë”, ka theksuar Kraki.

Opsioni i korrigjimit të kufijve sipas Jeta Krasniqit nuk ka vdekur ende, pavarësisht disa deklarimeve se kjo ide ka marrë fund. Përkundrazi, sipas saj, kjo çështje mund të kthehet sërish në tavolinën e bisedimeve.// ZERI