Lituania pro heqjes së vizave për Kosovën, Finlanda e rezervuar
FOTO: Zëri

Lituania pro heqjes së vizave për Kosovën, Finlanda e rezervuar

Aktuale July 15, 2019 - 07:45
Lexoni detajet

Image

Image

 

Andrius Kalindra, nga Ministria e Jashtme e Lituanisë, i ka thënë “Zërit” se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa Virpi Kankare, nga Ministria e Jashtme e Finlandës, shtet ky që nga fillimi i këtij muajit e ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, i ka thënë gazetës se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e të gjitha kritereve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shtetet e Bashkimit Evropian (BE) po vazhdojnë të mos jenë me një zë sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Gjersa disa prej tyre e mbështesin heqjen e vizave, një numër i caktuar i shteteve që janë pjesë e BE-së nuk po lëvizin ende nga pozicioni i deritanishëm - kundër vizave. Zyrtarë të lartë të Finlandës, shtet ky i cili më 1 korrik të këtij viti ka marrë kryesimin e Presidencës së BE-së, kanë thënë për “Zërin” se liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e kritereve të vëna, kurse vendimi final për këtë proces varet nga Këshilli i Ministrave të BE-së.

Ndërkohë, meqë Britania e Madhe nuk është pjesë e Zonës Shengen, zyrtarë të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë thënë se ky shtet nuk merr pjesë në vendimet që lidhen me liberalizimin.

LEXO EDHE: Qëndrimi i Holandës, i Sllovakisë dhe i Bullgarisë për vizat

Kurse përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të Lituanisë kanë pohuar për “Zërin” se e mbështesin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ekspertët e çështjeve të integrimit konsiderojnë se problemin kyç në drejtim të mosliberalizmit janë duke e paraqitur disa shtete të tjera të BE-së, siç është Franca e Holanda.

Finlanda: Vizat për Kosovën varen nga përmbushja e kritereve

Të pyetur nga gazeta “Zëri” lidhur me qëndrimin që ka Finlanda rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, zyrtarë të MPJ-së nga ky shtet kanë thënë se finalizimi i këtij procesi varet nga përmbushja e kritereve të vëna për vizat.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën varet nga përmbushja e të gjitha kritereve për heqjen e vizave dhe puna do të vazhdojë në bazë të punës së presidencave të mëparshme”, ka thënë për “Zërin” Virpi Kankare, nga MPJ-ja e Finlandës.

Duke mos dhënë një qëndrim të saktë të Finlandës lidhur me këtë çështje, Kankare ka thënë se Këshilli i BE-së është ai që merr vendimin rreth vizave për Kosovën.

“Është e rëndësishme të theksohet se Këshilli i Ministrave është organi që i merr vendimet në këtë fazë”, ka potencuar Virpi Kankare.

Lituania mbështet liberalizimin për Kosovën

Për dallim prej Finlandës, që nuk ka pohuar nëse mbështet heqjen e vizave për Kosovën, përfaqësues të MPJ-së së Lituanisë kanë thënë se liberalizimi i vizave mbetet një mekanizëm për t’i afruar vendet fqinje të Bashkimit Evropian me BE-në.

“Siç e dini, Lituania është mbështetëse e politikës evropiane të fqinjësisë, duke përfshirë promovimin e tregtisë së lirë dhe të lidhjeve ekonomike, bashkëpunimin e qytetarëve të shteteve të ndryshme, si dhe bashkëpunimin në fusha të tjera relevante. Pa dyshim, liberalizimi i vizave mbetet një mjet shumë i rëndësishëm për t’i afruar të gjitha vendet fqinje të BE-së me Bashkimin Evropian”, ka deklaruar për “Zërin” Andrius Kalindra, nga MPJ-ja e Lituanisë.

Së këndejmi Kalindra ka bërë të ditur se Lituania mbështet heqjen e vizave për Kosovën.

“Sa i përket Kosovës, duke pasur parasysh progresin e arritur nga ky shtet, Lituania mund ta mbështesë vlerësimin e ofruar nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe opinionin e Parlamentit Evropian për këtë çështje”, ka theksuar Andrius Kalindra.

Britania e Madhe nuk merr pjesë në vendimmarrjen për vizat

Teksa kanë folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë kanë thënë se ky shtet nuk merr pjesë në vendimmarrje të atilla siç është çështja e vizave.

“Britania e Madhe nuk është pjesë e Zonës së Shengenit dhe si e tillë nuk merr pjesë në marrjen e vendimeve mbi politikën e vizave të Zonës së Shengenit, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave”, thuhet shkurt në përgjigjen e Ambasadës.

Duke u nisur nga kjo, njohësi i çështjeve të integrimit Armend Muja ka vlerësuar se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk do të jetë relevant në këtë kohë sa u përket vizave.

“Kjo meqë deri në fund të vitit parashihet të përfundojnë negociatat për dalje të saj nga BE-ja”, ka theksuar Muja.

Shtetet që paraqesin problem për vizat

Teksa ka komentuar qëndrimet e tri shteteve të BE-së rreth liberalizimit, Armend Muja ka thënë se Finlanda disa herë e ka përkrahur këtë proces, porse tash sipas tij Finlanda mund të jetë e kushtëzuar që ta mbajë qëndrimin e shteteve të Bashkimit Evropian.

“Finlanda në shumë raste e ka mbështetur liberalizimin e vizave me Kosovën. Sidoqoftë, aktualisht mund të jetë e kushtëzuar të mbajë qëndrim të vendeve të BE-së”, ka deklaruar ai.

Kurse Lituania dhe vendet e tjera baltike sipas Mujës e përkrahin liberalizimin e vizave dhe janë shtetet më të përkushtuara ndaj liberalizimit dhe zgjerimit. Por sipas tij procesin e liberalizimit po e kundërshtojnë fuqishëm disa shtete të tjera të BE-së.

“Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave për Kosovën dy herë, siç e ka bërë edhe Parlamenti Evropian. Mbrapa qëndrimit ‘për plotësim’ të kritereve qëndron një kundërshtim i fuqishëm nga Holanda, Franca, Belgjika, Danimarka dhe Spanja”, është shprehur ai.

Ndërkohë Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), ka thënë se problemi për vizat mbetet te Franca dhe Holanda. “Duhet konsensus nacional brenda secilit vend anëtar. Liberalizimin nuk do ta fusin në agjendë derisa Franca e kundërshton. Nuk shkon Gjermania që ta shtyjë liberalizimin e vizave kur ka kundërshtim francez”, ka deklaruar ai.

Sipas Kryeziut, shtetet si Finlanda nuk mund ta bllokojnë procesin e vizave edhe nëse nuk e mbështesin këtë proces.

“Kjo është një për qind e votës së përgjithshme, nuk mund ta bllokojë Finlanda, nuk është proces që Finlanda e bllokon. Nëse do të ketë ujdi gjermano-franceze për këtë punë, mendoj që ky proces ec. Franca e Gjermania përbëjnë afro 33 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Holanda është goxha e zëshme, ka qenë në vazhdimësi në kundërshtim të këtij procesi”, ka theksuar ai.

Në Parlamentin Evropian Finlanda ka 13 anëtarë, Britania e Madhe 71 ulëse, kurse Lituania 11 nga 571 anëtarë sa janë gjithsej në PE.

Qëndrimi i Holandës, i Sllovakisë dhe i Bullgarisë për vizat

Në kohën kur premtimet e krerëve institucionalë të Kosovës për heqjen e vizave nuk po ndalen, pavarësisht faktit që disa shtete të fuqishme të BE-së po hezitojnë ta mbështesin këtë proces, gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të mësuar saktësisht qëndrimet e tyre rreth liberalizmit të vizave. Në kuadër të kësaj para pak ditësh “Zëri” ka publikuar edhe qëndrimin zyrtar të Holandës, të Bullgarisë dhe të Sllovakisë.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur se kanë kërkuar sqarime shtesë nga Komisioni Evropian sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizim nga Kosova, të specifikuara në Raportin e Komisionit. Holanda po vazhdon të mbetet një prej shteteve hezituese të BE-së sa i përket finalizimit të procesit të vizave. Për dallim prej Holandës, zyrtarë të MPJ-së së Sllovakisë i kanë thënë “Zërit” se e përkrahin perspektivën evropiane të Kosovës, pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Se procesin e vizave për Kosovën e mbështesin para pak ditësh kanë bërë të ditur edhe zyrtarë të MPJ-së së Bullgarisë, të cilët kanë thënë se Bullgaria e përkrah raportin e KE-së, i cili ka rekomanduar heqjen e vizave./ZERI