Aktivizimi i Speciales fillon me ngritjen e aktakuzave

Aktivizimi i Speciales fillon me ngritjen e aktakuzave

Aktuale korrik 12, 2019 - 14:41
Lexo tjera detaje

Sokol Dobruna, ish-kreu i Gjykatës së UÇK-së, Sabajdin Cena, ish-epror i UÇK-së, Flamur Hoti, ish-pjesëtar i UÇK-së, të cilët janë intervistuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë, janë në pritje të ftesës së radhës, ashtu siç u ishte thënë pas intervistimit të parë, shkruan gazeta "Zëri"

Lidhur me këtë çështje, avokatja e akredituar nga Gjykata Speciale Fehmije Gashi-Bytyqi ka deklaruar për “Zërin”  se aktivizimi i Speciales ndodh vetëm kur të ngrihen aktakuzat e para e që aktualisht nuk ka ndonjë afat se kur mund të ndodhë kjo.

“Zyra e Prokurorisë së Specializuar po fton persona, me qëllim që t’i plotësojnë informatat e veta për çështje të cilat i pretendojnë. Pas kryerjes së hetimeve me ngritjen e aktakuzave, vetëm atëherë mund të themi se ka filluar puna e Gjykatës”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër teksa ka theksuar se nuk ka ndonjë klient nën mbrojtje, Gashi-Bytyqi ka shtuar se përmes një njoftimi nga Specialja u është kërkuar t’i nënshtrohen administratës tatimore me ligje të Holandës, gjë që ajo e ka vlerësuar si të padrejtë, meqë Gjykata është e Kosovës.

“Nuk kam klient deri më tani, mirëpo unë jam në dilemë se a do të vazhdoj ose jo si avokate, sepse na kanë njoftuar nga Gjykata Speciale se ne që do të shkojmë në Holandë do t’i nënshtrohemi administratës tatimore me ligje të Holandës. Sipas meje kjo është një dëmtim i madh për ne, sepse Gjykata është e Kosovës dhe duhet t’i respektojë ligjet e Kosovës”, ka thënë ajo./ZËRI