LDK-ja zgjedh së shpejti kryetarin, kandidatët mbeten sekretë
Foto: Laura Hasani

LDK-ja zgjedh së shpejti kryetarin, kandidatët mbeten sekretë

Aktuale July 12, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Zyrtarët e LDK-së thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt, por ata nuk kanë pranuar të flasin për emrat e mundshëm, të cilët do të kandidojnë për pozitën e të parit të kësaj partie. Dy nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri e Agim Veliu, të cilët shumë herë janë përmendur si emra potencialë, nuk kanë pohuar e as nuk kanë mohuar se do të kandidojnë për kryetar, porse kanë thënë se emrat e kandidatëve do të mësohen vetëm në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas pak ditësh pritet të përfundojnë zgjedhjet në të gjitha degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Aktualisht kanë mbetur vetëm edhe katër degë të këtij subjekti, Ferizaj, Vushtrria, Mitrovica dhe Dega III në Prishtinë, të cilat po presin t’i japin fund zgjedhjeve, në mënyrë që pastaj të mbahet Kuvendi i Përgjithshëm, në të cilin do të votohet lideri i partisë.

LEXO EDHE: Në pritje të Speciales

Zyrtarët e LDK-së thonë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt, por ata nuk kanë pranuar të flasin për emrat e mundshëm të cilët do të kandidojnë për pozitën e të parit të kësaj partie.

Dy nënkryetarët e LDK-së, Lutfi Haziri e Agim Veliu, të cilët shumë herë janë përmendur si emra potencialë, nuk kanë pohuar e as nuk kanë mohuar se do të kandidojnë për kryetar, porse kanë thënë se emrat e kandidatëve do të mësohen vetëm në Kuvend.

Në anën tjetër, si emra të mundshëm për këtë pozitë në medie janë lakuar edhe kryetari i tanishëm i LDK-së Isa Mustafa, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, nënkryetari Haki Rugova, deputetja Vjosa Osmani dhe disa figura të tjera. Gjatë këtij procesi zgjedhor LDK-ja është ballafaquar me incidente të shumta në degë e në nëndegë të ndryshme, duke filluar nga sharjet e fyerjet deri te përplasjet fizike.

Haziri: LDK-ja është unike, incidentet ishin nga dashakëqijtë

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se ende nuk janë vendosur se cilët do të jenë kandidatët e mundshëm për kryetarë të LDK-së. I pyetur nga gazeta nëse ai do të jetë njëri prej kandidatëve, Veliu ka thënë se një gjë e tillë do të kuptohet vetëm në Kuvend. “Në Kuvend bëhen kandidaturat dhe ai vendos pastaj. Në Kuvend do ta merrni vesh”, ka deklaruar shkurt ai.

Megjithëkëtë Veliu ka thënë se shumë shpejt do të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor.

“Ne jemi në fund të procesit, fare në fund, janë edhe 2-3 degë pa u përfunduar procesi. Pastaj do të mblidhet Kryesia për të vendosur për datën e mbajtjes së Kuvendit të Përgjithshëm”, ka potencuar ai.

Edhe nënkryetari i tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri, ka pohuar se shumë shpejt pritet të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor.

“Ne kemi edhe disa degë për t’i përfunduar, Lipjani, Ferizaj, Vushtrria dhe Dega III në Prishtinë. Janë katër degët e fundit dhe mbyllet procesi si i tillë në të gjitha degët e LDK-së, i cili është përcjellë me 980 kuvende të nëndegëve dhe presim që të zgjidhen 355 delegatë, që janë përfaqësues të zgjedhur politikë të cilët marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit, të këshillit drejtues të LDK-së”, ka deklaruar ai.

Haziri më tej ka pohuar se gjatë procesit ka pasur disa incidente, porse incidentet në fjalë kanë ardhur nga njerëz dashakëqij. Ndërkohë gjersa ka folur rreth kandidatëve të mundshëm për kryetar, Haziri ka thënë se ende nuk mund të dihen emrat potencialë që do të garojnë për të parin e partisë, por është shprehur i bindur se LDK-ja është dhe do të mbetet unike.

“Jo ende. Sipas rregullave të brendshme kandidaturat paraqiten para Kuvendit, ai nuk është ftuar ende. Pritet që kryetari në konsultim me Kryesinë ta ftojë Kuvendin. Gara do të jetë demokratike, LDK-ja do të jetë unike dhe ajo do të dalë superunike, duke e marrë një rol si partia e parë në republikë shumë shpejt”, ka theksuar ai për “Zërin”.

As Haziri sikurse Veliu nuk ka pranuar të flasë rreth mundësisë për të garuar për lider të LDK-së. “Unë jam për një marrëveshje politike, e cila LDK-së ia jep fuqinë e partisë së parë dhe e ruan këtë atribut edhe me besim politik. Deri atëherë janë spekulime të gjithë emrat që mund të përmenden, të lakohen nga publiku në Kosovë”, ka potencuar Lutfi Haziri.

Garë me karrige

Teksa ka folur rreth zgjedhjeve për lider të LDK-së deputeti i këtij subjekti, Haxhi Avdyli, ka thënë se askush nuk mund të thotë që kryetari aktual Isa Mustafa nuk ka të drejtë të kandidojë, porse partia nuk mund të rritet më tej me Mustafën. “Nuk e di a i fiton Isa Mustafa zgjedhjet në LDK, por e di që partinë nuk mund ta rrisë më shumë sesa është”, ka theksuar Avdyli.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike Rasim Alija ka thënë se zgjedhjet e brendshme në LDK kanë qenë gjithmonë interes i publikut, por edhe i subjekteve të tjera politike.

“Duke qenë të tilla, edhe ndërhyrjet nga jashtë në zgjedhjet e brendshme në LDK,e kanë përcjellë procesin zgjedhor gjatë kësaj faze. Në njërën anë ndërhyrjet e në anën tjetër pamundësia e menaxhimit në disa degë ka prodhuar edhe pakënaqësi. Edhe pse me karrige të hedhura në këto degë, këto prapë mbeten si çmimi i paguar nga LDK-ja për demokratizimin e subjektit në nivelet e degëve e të nëndegëve”, ka deklaruar ai.

Sa i përket garës për kryetar Alija ka thënë se prejse ish-presidenti Ibrahim Rugova ka ndërruar jetë në LDK ka pasur garë. Ndaj sipas tij edhe tash do të ketë një garë të fuqishme.

“LDK-ja ka ndërruar tre kryetarë të partisë, i ka mbijetuar ndarjes së gjysmës së partisë e të koalicioneve me PDK-në. Garë do të ketë, sepse e tillë është LDK-ja. Me kuvende të karrigeve, me deputetë që dalin kundër vendimeve të partisë, me figura brenda subjektit që vetëshpallen kandidatë e me plot gjëra të tjera”, ka theksuar ai.