Përplasjet brenda koalicionit - ky është reagimi i Nismës ndaj Nitajt

Përplasjet brenda koalicionit - ky është reagimi i Nismës ndaj Nitajt

Aktuale korrik 11, 2019 - 09:23
Lexo Detajet

Ndonëse në vazhdimësi kanë pohuar se koalicioni qeverisës është duke funksionuar siç duhet, zyrtarë të koalicionit PAN, gjegjësisht të AAK-së dhe të Nismës Socialdemokrate, ditëve të fundit janë përplasur ashpër mes vete. Përplasja e tyre përmes replikave publike ka ardhur si rrjedhojë e deklarimit të deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt, i cili teksa ka folur për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë ka thënë se ka lloj-lloj thashethemesh, duke përfshirë edhe atë se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, do të kthehet në PDK, shkruan gazeta "Zëri".

Si pasojë e kësaj zyrtarë të Nismës kanë dalë menjëherë me reagime të njëpasnjëshme në publik. Disa prej tyre madje kanë kërkuar që partitë në pushtet të ulen të diskutojnë dhe të merren vesh për zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Nitaj ka thënë se deklarata e tij është keqkuptuar totalisht nga zyrtarët e Nismës.

Pavarësisht kësaj, zgjedhje të parakohshme së fundi kanë kërkuar edhe disa anëtarë të PDK-së, sado që deputetët e këtij subjekti pa reshtur e kanë mohuar një opsion të tillë.

Në reagimin ndaj deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë se Nitaj ka bërë goditje të ulët ndaj liderit të Nismës.

LEXO EDHE: Përplasje brenda koalicionit, zyrtarë të PAN-it kërkojnë zgjedhje

Pa reaguar nuk ka lënë as shefja e kabinetit të Limajt, Valdete Dushica-Bajrami, e cila ka thënë se kryetari i Nismës ka qenë njeriu i cili është angazhuar vazhdimisht edhe në kohën kur Nisma ka qenë në opozitë, por edhe tash, që për çështjet nacionale të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha partive parlamentare. “Këtë ide e ka vazhduar edhe nga pozita e zëvendëskryeministrit, duke i ftuar partitë opozitare që të bëhen pjesë e ekipit shtetëror për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deri diku u arrit me përfshirjen e partisë opozitare PSD-së në delegacionin i cili është votuar në Kuvend”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

E pyetur rreth përplasjeve mes zyrtarëve të Nismës dhe të AAK-së, Bajrami ka thënë se deklarimet nga zyrtarët e Nismës kanë qenë reagime për t’i rikujtuar qëndrimet që Limaj i ka pasur dhe që vazhdon t’i ketë për çështjet nacionale. Ndërkohë ka shtuar se ky subjekt është më se i gatshëm për zgjedhje kurdo që mbahen ato.