Përplasje brenda koalicionit, zyrtarë të PAN-it kërkojnë zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Përplasje brenda koalicionit, zyrtarë të PAN-it kërkojnë zgjedhje

Aktuale July 11, 2019 - 08:09
Lexo Detajet
Image

Ndonëse në vazhdimësi kanë pohuar se koalicioni qeverisës është duke funksionuar siç duhet, zyrtarë të koalicionit PAN, gjegjësisht të AAK-së dhe të Nismës Socialdemokrate, ditëve të fundit janë përplasur ashpër mes vete. Përplasja e tyre përmes replikave publike ka ardhur si rrjedhojë e deklarimit të deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt, i cili teksa ka folur për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë ka thënë se ka lloj-lloj thashethemesh, duke përfshirë edhe atë se lideri i Nismës, Fatmir Limaj, do të kthehet në PDK, shkruan gazeta "Zëri".

Si pasojë e kësaj zyrtarë të Nismës kanë dalë menjëherë me reagime të njëpasnjëshme në publik. Disa prej tyre madje kanë kërkuar që partitë në pushtet të ulen të diskutojnë dhe të merren vesh për zgjedhje të parakohshme. Mirëpo Nitaj ka thënë se deklarata e tij është keqkuptuar totalisht nga zyrtarët e Nismës.

LEXO EDHE: Qëndrimi i Holandës, i Sllovakisë dhe i Bullgarisë për vizat

Pavarësisht kësaj, zgjedhje të parakohshme së fundi kanë kërkuar edhe disa anëtarë të PDK-së, sado që deputetët e këtij subjekti pa reshtur e kanë mohuar një opsion të tillë. 

Reagimet e Nismës kundrejt Nitajt

Në reagimin ndaj deputetit të AAK-së Muharrem Nitajt deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë se Nitaj ka bërë goditje të ulët ndaj liderit të Nismës.

Pa reaguar nuk ka lënë as shefja e kabinetit të Limajt, Valdete Dushica-Bajrami, e cila ka thënë se kryetari i Nismës ka qenë njeriu i cili është angazhuar vazhdimisht edhe në kohën kur Nisma ka qenë në opozitë, por edhe tash, që për çështjet nacionale të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha partive parlamentare. “Këtë ide e ka vazhduar edhe nga pozita e zëvendëskryeministrit, duke i ftuar partitë opozitare që të bëhen pjesë e ekipit shtetëror për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo deri diku u arrit me përfshirjen e partisë opozitare PSD-së në delegacionin i cili është votuar në Kuvend”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

E pyetur rreth përplasjeve mes zyrtarëve të Nismës dhe të AAK-së, Bajrami ka thënë se deklarimet nga zyrtarët e Nismës kanë qenë reagime për t’i rikujtuar qëndrimet që Limaj i ka pasur dhe që vazhdon t’i ketë për çështjet nacionale. Ndërkohë ka shtuar se ky subjekt është më se i gatshëm për zgjedhje kurdo që mbahen ato.

Nitaj: Deklarata ime u keqkuptua

Pas reagimeve nga radhët e Nismës ka reaguar deputeti i AAK-së Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se zyrtarët e partisë së Limajt duhet t’i kërkojnë falje për ato që janë thënë në drejtim të tij.

Në reagimin e tij Nitaj ka thënë se i është përgjigjur vetëm konstatimit se ka përplasje e mospajtime midis AAK-së e Nismës dhe se kjo e fundit mund të votojë për rrëzimin e Qeverisë. “Ne nuk dimë çfarë ka në mendje Limaj e as Veseli, por e dimë që në raportet zyrtare nuk ka mospajtime dhe se koalicioni është funksional. Pikërisht në sensin e cilësimit si thashetheme kam thënë se ka lloj-lloj storiesh, duke e përmendur edhe llafin se çarshia po flet se Limaj do të kthehet në PDK”, ka potencuar ai.

Kërkohet dakordim për zgjedhje

Pas tërë këtyre përplasjeve deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka vlerësuar se ka ardhur momenti që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Një e vërtetë është se ka ardhur koha që mazhoranca të mendojë për shkuarje në zgjedhje dhe të mendojë për institucione e shtet, jo vetëm për pushtet. Mosfunksionimi i Kuvendit është shqetësues, rrjedhimisht edhe i Qeverisë”, ka deklaruar ai në një prononcim për gazetën.

Duke mos saktësuar nëse do ta votojë mocionin në rast se ngrihet nga opozita, Berisha ka thënë se partitë duhet të ulen të diskutojnë dhe të merren vesh për shkuarje në zgjedhje.

Ditë më parë edhe deputeti i pavarur që është në kuadër të Grupit Parlamentar të Nismës, Milaim Zeka, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Ndërkohë, teksa ka pohuar se duhet të ketë zgjedhje të reja, anëtari i PDK-së Qemajl Mustafa, i cili ka qenë kryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se partitë politike duhet të merren vesh për datën e zgjedhjeve. “Kam thënë shumë qartë që do të ishte mirë sikur subjektet politike të Kosovës ta krijonin një konsensus rreth përfundimit të këtij mandati dhe zgjedhjeve të ardhshme”, ka deklaruar ai për “Zërin”./ZERI