Qëndrimi i Holandës, i Sllovakisë dhe i Bullgarisë për vizat

Qëndrimi i Holandës, i Sllovakisë dhe i Bullgarisë për vizat

Aktuale July 11, 2019 - 07:50
Lexo Detajet

Image

Image

Gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nëse ministrat e tyre do të votojnë pro ose kundër heqjes së vizave për Kosovën. Nga qëndrimet e konfirmuara nga Holanda, Bullgaria dhe Sllovakia, kjo e fundit ka dhënë përgjigjen më interesante, shkruan gazeta "Zëri".

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po vazhdon të mos finalizohet pavarësisht faktit që Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kjo pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po hezitojnë ta mbështesin liberalizimin për Kosovën. Në mesin e këtyre shteteve gjendet edhe Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për “Zërin” se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Në anën tjetër zyrtarë të MPJ-së së Sllovakisë i kanë thënë gazetës “Zëri” se e mbështesin perspektivën evropiane të Kosovës, pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. 

Megjithatë ata kanë pohuar se brenda BE-së aktualisht nuk ka konsensus sa i përket heqjes së regjimit të vizave. Ndërkohë, për dallim prej disa shteteve hezituese, nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë kanë thënë për gazetën “Zërin” se ky shtet e përkrah procesin e liberalizimit për Republikën e Kosovës.

Gazeta “Zëri” u ka dërguar pyetje të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për ta marrë qëndrimin e tyre rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, përkatësisht nëse do të votojnë pro ose kundër në Këshill të Ministrave. Gjatë ditëve në vijim do t’i botojmë edhe qëndrimet e 25 shteteve tjera anëtare.

Liberalizimi për Kosovën, Holanda kërkon sqarime shtesë nga Komisioni Evropian

Duke mos pohuar se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës kanë thënë për gazetën “Zërin” se për shtetin e Holandës është me rëndësi që nga Kosova të plotësohen të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian. “Propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është duke u shqyrtuar në Këshill. Holanda është e angazhuar për procesin e liberalizimit të vizave. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme për Holandën që të gjitha kushtet e vëna të plotësohen në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në këtë drejtim sipas tyre Holanda ka kërkuar nga KE-ja që t’i sqarojë edhe më tej disa pika të Raportit, ndonëse Komisioni veçse ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën. “Prandaj Holanda ka kërkuar nga Komisioni të sqarojë më tej disa pika në raport”, potencohet më tutje.

Sllovakia: S’e njohim Kosovën, por jemi pro perspektivës evropiane të saj

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Republikës së Sllovakisë, Boris Gandel, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht faktit që ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, është pro perspektivës evropiane të Kosovës. “Pavarësisht se Sllovakia nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, ne e mbështesim perspektivën evropiane për Kosovën si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ne gjithashtu mbështesim zbatimin e standardeve dhe të vlerave të BE-së në Kosovë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas Gandelit, aktualisht nuk ka njëzëshmëri brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën. “Pas rekomandimit të Komisionit Evropian vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është në duart e shteteve anëtare të BE-së. Debati, i cili filloi në Këshill vitin e kaluar, tregoi se aktualisht nuk ka konsensus për këtë çështje brenda BE-së”, ka potencuar ai.

Disa vende të BE-së, siç Gandel është shprehur, po e vënë në pikëpyetje çështjen e liberalizimit për qytetarët e Kosovës. “Disa shtete anëtare po vënë në pikëpyetje konkluzionin e Komisionit se Kosova ka përmbushur plotësisht kriteret, duke argumentuar se ekziston rreziku i lartë i migrimit të paligjshëm dhe se numri i lartë i dhënies së vizave po keqpërdoret. Shtetet anëtare duan të sigurohen që liberalizimi i vizave, kur të jepet, nuk do të ketë ndikim negativ në sigurinë e tyre të brendshme”, ka nënvizuar ai.

Ndaj zëdhënësi i MPJ-së i Sllovakisë ka thënë për “Zërin” se Kosova duhet të vazhdojë të shfaqë progres në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Dëshirojmë të theksojmë se miratimi i legjislacionit është vetëm hapi i parë, ajo që është edhe më e rëndësishme është zbatimi i tij. Ne sugjerojmë që Kosova të vazhdojë të ndërtojë një progres të qëndrueshëm në rastet e shënjestruara (track records), në mënyrë që t’i bindë shtetet anëtare skeptike”, ka theksuar për gazetën Boris Gandel.

Bullgaria i thotë “Po” heqjes së vizave për Kosovën

Ndonëse aktualisht ka disa shtete që po hezitojnë ta mbështesin heqjen e vizave për Kosovën, Bullgaria tashmë ka ndarë mendjen për ta mbështetur Kosovën në këtë proces. Kështu kanë bërë të ditur për “Zërin” nga Zyra për Informim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, të cilët kanë thënë se ky qëndrim bazohet në përkrahjen që ky shtet ua bën vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Bullgaria ka mbështetur konkluzionet e vitit të kaluar të Raportit të Komisionit Evropian se kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës për të udhëtuar në BE janë përmbushur. Ky qëndrim është në përputhje me mbështetjen e vendit tonë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në veçanti të Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Bullgaria, siç kanë njoftuar zyrtarë të MPJ-së së këtij shteti, mbështet rekomandimet e dala nga KE-ja për të marrë një vendim sa më parë për vizat. “Është e rëndësishme t’i rrisim kontaktet e shteteve të BE-së dhe ta shpërblejmë vendin për përpjekjet e bëra për t’i përmbushur kriteret e vëna. Ne e mbështesim rekomandimin e Komisionit Evropian në Këshillin e BE-së të majit 2019 për të marrë një vendim urgjent mbi këtë çështje”, theksohet në përgjigjen e MPJ-së së Bullgarisë.

Hoxha: Liberalizimi s’futet në agjendë nëse s’ka konsensus mes shteteve

Zvarritjes së procesit të liberalizimit të vizave sipas ministres së Integrimit Evropian në Kosovë, Dhurata Hoxha, i ka kontribuar konteksti politik në BE, sidomos zgjedhjet brenda këtij unioni. Hoxha më tej ka përmendur faktin që ndër shtetet që po hezitojnë ta mbështesin liberalizmin e vizave për Kosovën është edhe shteti i Holandës.

Rrjedhimisht ajo ka thënë liberalizimi nuk do të futet në agjendën e Këshillit nëse së pari nuk ka marrëveshje rreth kësaj çështjeje. “Ajo që është duke ndodhur tani është që futja në agjendë në Këshillin e Ministrave nuk do të ndodhë nëse nuk ka ndonjë konsensus të ndërtuar paraprakisht, pra një konsensus i ndërtuar prapa dyerve të mbyllura”, ka potencuar e para e MIE-së.

Hoxha më tej ka thënë se nga fundi i tetorit pritet të mbahet takimi i radhës i Këshillit, por shtetet e BE-së sipas saj tashmë e kanë politizuar çështjen e vizave. “Vendet anëtare e kanë politizuar çështjen e liberalizimit të vizave, posaçërisht pas dështimit të futjes në agjendë heqjen e vizave për Kosovën në dhjetor të vitit të kaluar. Prej kësaj periudhe ne kemi parë një politizim të procesit dhe këtë e kam theksuar disa herë”, ka shtuar ministrja Hoxha.

Qëndrimi i Holandës, pikë kritike për Kosovën

Profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, ka vlerësuar se nuk është shumë dramatik deklarimi i Sllovakisë, e cila e ka ritheksuar gjendjen aktuale përbrenda BE-së në raport me liberalizimin e vizave për shtetin e Kosovës. Gjithashtu sipas tij është i pritshëm qëndrimi mbështetës i Bullgarisë lidhur me vizat, pasi ky shtet nuk është në Zonën Shchengen.

Çështja së cilës duhet t’i vihet fokusi kryesor sipas Ujkanit është qëndrimi i Holandës, e cila është një ndër shtetet më të rëndësishme të BE-së. “Holanda është një nga pikat më kritike për gjithë agjendën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për Kosovën. Qëndrimi i saj është i njohur edhe në raport me Shqipërinë, me Maqedoninë Veriore, por te ne vlerësimi i Holandës për situatën aktuale është shumëdomethënës dhe një vlerësim i tillë nuk është që jep shpresë se mund të ketë një lëvizje të shpejtë që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai.

Qëndrimi i Holandës sa i përket liberalizimit sipas profesorit universitar çon peshë të madhe, për të mos thënë se një veprim i Holandës mund të ketë një domino efekt te Gjermania e te Franca. “Kjo veçse ka ndodhur, sepse e kemi parë që në një situatë deklarohet Gjermania, pastaj Franca e pastaj Holanda. Pra këtu mendoj se është një qasje e koordinuar e këtyre vendeve, të cilat vazhdojnë t’i kenë hezitimet e veta dhe që momentalisht nuk shohin ndonjë mundësi që Kosovës t’i jepet mundësia e lëvizjes së lirë”, ka shtuar ai.

Ujkani më tej ka bërë të ditur se për të ardhur deri te vendimi për heqjen e vizave duhet të votohet me shumicë të kualifikuar në Këshillin e Ministrave, respektivisht me 2/3 e deputetëve. Ndonëse 23 vende të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sipas Ujkanit problemi mbetet pikërisht te disa prej këtyre shteteve që ani pse e kanë njohur Kosovën mbeten skeptike sa i përket liberalizimit.

Në Parlamentin Evropian Holanda ka 26 ulëse, Bullgaria 17, kurse Sllovakia 13 ulëse nga 751 ulëse sa i ka gjithsej Parlamenti./ZERI