Fëmijë në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive

Fëmijë në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive

Aktuale korrik 09, 2019 - 10:38
Lexoni detajet

Mbi 2300 persona janë pickuar nga rriqrat vetëm gjatë këtij viti, derisa komuna e Malishevës dhe ajo e Prishtinës prijnë me numrin më të madh të rasteve. Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) kanë bërë të ditur se numri i të pickuarve në Komunën e Malishevës ka arritur në 968, 368 raste në komunën e Suharekës, 273 raste në komunën e Klinës dhe 125 në komunën e Rahovecit, shkruan Gazeta "Zëri". 

Edhe në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjatë këtij viti ka pasur shumë raste, të cilat kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të pickimit nga rriqrat.

Drejtoresha e kësaj Klinike, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për “Zërin” se ndonëse kanë pasur pacientë të pickuar me rriqra edhe nga komunat tjera të Kosovës, numri më i madh i pacientëve ka qenë nga Prishtina.

Ajvazi-Berisha ka bërë të ditur se për shkak të pickimit nga rriqra jeta e një fëmije 10-vjeçar ka qenë në rrezik.

Sipas saj, edhe ky fëmijë është trajtuar dhe me përmirësimin e gjendjes është liruar për në shtëpi.

“Kemi pasur raste me pickime të rriqrave diku rreth 400 raste, prej tyre dominon komuna e Prishtinës, kurse prej komunave tjera është numri më i vogël. Jeta ka qenë e rrezikuar për një fëmijë 10 vjeç, i cili ka qenë me Ethe Hemorragjike Krime Kongo (EHKK­). Ai ka qenë në gjendje shumë të rëndë, por falë punës së mjekëve në Klinikën Infektive, si dhe përkrahjes që e kemi pasur nga Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK (Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës) është arritur sigurimi i terapisë adekuate që na është dashur neve dhe fëmija në gjendje të mirë është lëshuar në shtëpi”, ka thënë ajo. /ZERI