Fajon: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, padrejtësi e BE-së
FOTO: Laura Hasani

Fajon: Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, padrejtësi e BE-së

Aktuale June 26, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Eurodeputetja Tanja Fajon ka thënë për “Zërin” se është e papranueshme që Bashkimi Evropian të mos ia heqë vizat Kosovës, pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme. Megjithatë, ajo ka shtuar se përbërja e re e Parlamentit Evropian është në favor të zgjerimit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Bashkimi Evropian po tregohet i padrejtë në raport me Kosovën, pasi pavarësisht plotësimit të të gjitha kritereve të nevojshme nuk po ua heq vizat qytetarëve të saj.

Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” eurodeputetja Tanja Fajon, e cila ka premtuar se do të vazhdojë me të bërit presion tek institucionet e BE-së deri në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ashtu siç u është premtuar atyre.

“Më vjen keq që konkluzionet e fundit të Këshillit ishin shumë më pak premtuese e konkrete sesa propozimet fillestare sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Është e papranueshme që pavarësisht kushteve të përmbushura Këshilli ende nuk ka arritur të japë dritën e gjelbër për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rolin tim si raportuese e Parlamentit për liberalizimin e vizave do të vazhdoj të luftoj për Kosovën dhe do të vazhdoj të ushtroj presion ndaj shteteve anëtare për të ofruar atë që është premtuar”, ka deklaruar Fajon për “Zërin.

Fajon: Përbërja e re e Parlamentit Evropian është në favor të zgjerimit

Ndërsa duke folur për zgjerimin e BE-së, duke i përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Fajon vlerëson se pas zgjedhjeve të mbajtura në maj të këtij viti përbërja e re e Parlamentit Evropian është në favor të zgjerimit të BE-së.

“Përbërja e Parlamentit Evropian ka ndryshuar pas zgjedhjeve. Për herë të parë dy grupet e mëdha pro evropiane, EPP-ja dhe S&D-ja, nuk kanë më shumicën. Pavarësisht disa fitoreve në mesin e anëtarëve euroskeptikë dhe të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e fundit jam e bindur se me Renew Europe (ish-ALDE) dhe të Gjelbrit Parlamenti Evropian mbetet pro evropian dhe favorizon zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Vazhdimi i zgjerimit i BE-së është një politikë vendimtare e BE-së jo vetëm në Evropë, por edhe për Ballkanin Perëndimor, me qëllim që të sigurohet prosperitet, stabilitet, pajtim dhe një e ardhme e ndritur veçanërisht për të rinjtë”, ka thënë ajo.

Shtetet që aspirojnë BE-në t’i përmbushin kriteret e përcaktuara

Raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, po ashtu ka thënë se shtetet të cilat aspirojnë të jenë pjesë e BE-së, duke përfshirë edhe Kosovën, duhet t’i përmbushin kriteret e dhëna nga BE-ja, mirëpo me veprime jo vetëm me fjalë.

“Është jetike që vetë vendet e Ballkanit Perëndimor të mbeten të përkushtuara edhe për procesin e zgjerimit jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime. Reforma konkrete duhet të vendosen në mënyrë që të mos i humbasin arritjet e viteve të fundit dhe momentin pozitiv. Ne të gjithë duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë, në mënyrë që negociatat të mundë të hapen sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që Parlamenti Evropian do të vazhdojë të ushtrojë presion mbi qeveritë e BE-së në këtë drejtim”, ka potencuar ajo.

Hoxha: BE-ja po i bën padrejtësi Kosovës

Edhe Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se është padrejtësi që BE-ja nuk ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj Kosovës sa i përket vizave, mirëpo kjo nuk do ta ndalë rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

“Ne jemi duke zbatuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, jemi duke zbatuar MSA-në, të gjitha reformat e parapara me Agjendën Evropiane të Reformave, jemi duke intensifikuar punën për mënjanimin e çdo pengese në rrugën e përafrimit maksimal me BE-në, për fuqizim të sundimit të ligjit, për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, duke zbatuar rekomandimet e raporteve ndërkombëtare si raport për vendin dhe rekomandimet tjera që dalin nga dokumentet madhore në procesin integrues”, ka thënë Hoxha.

Hoxha po ashtu ka thënë se integrimi i Kosovës në BE është interes nacional i Kosovës.

“Procesi integrues nuk do të ndalet, nuk do të hamendemi para asnjë dileme për rrugën tonë, sa më shpejt që do të arrijmë, kjo pjesë e Evropës dhe botës do të ketë më shumë energji pozitive, më shumë mirëkuptim e mirëqenie, më shumë paqe e stabilitet, më shumë kushte për thellimin dhe të fqinjësisë së mirë, të vlerave njerëzore e demokratike”, ka theksuar ajo.

Korrupsioni po pengon heqjen e vizave

Mosluftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit, sipas anëtarit të Komisionit Parlamentar për Integrime, Armend Zemaj, po e pengon heqjen e vizave.

Sipas tij, konkluzionet e fundit të Këshillit të Ministrave në raport me heqjen e vizave shpërfaqin ngecjet e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

“Konkluzionet pasqyrojnë gjendjen reale të procesit integrues, por edhe çështjen e vizave për Kosovën. Kushtet si kriter janë marrë parasysh si të plotësuara, por vlerësimi mbi sundimin e rendit, të ligjit, të luftës kundër krimit të organizuar e të korrupsionit janë detyra të cilat kanë krijuar hezitime te shtetet e BE-së që Kosova ta ketë liberalizimin e vizave”, ka thënë Zemaj.

Zemaj deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës në raport me vizat i ka quajtur si deklarata boshe dhe joserioze.

“Ajo çka e rëndon këtë situatë janë deklaratat boshe, të pamatura dhe joserioze të Qeverisë së Kosovës se liberalizimi do të ndodhë shumë shpejt. Negativiteti i kësaj situate është që imazhi i keq i kësaj Qeverie, diplomacia e dobët dhe aferat e ndryshme po e largojnë edhe më shumë Kosovën nga agjenda integruese, si dhe nga marrja e lajmit pozitiv për lëvizje të lirë”, ka deklaruar ai.

Shasha: Heqja e vizave për Kosovën nuk është prioritet i BE-së për këtë vit

Në anën tjetër Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka vlerësuar se në bazë të raporteve të BE-së del se Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE.

“Duke marrë për bazë konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së, si dhe raportin vlerësues të Komisionit Evropian 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE. Raporti identifikoi si çështje parësore dhe imediate arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe depolitizimin e institucioneve publike”, ka thënë ai.

Po ashtu, sipas tij, Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, i cili vlerësohet në stadin krejtësisht fillestar për anëtarësim në BE në dy fushat më të rëndësishme, si gjyqësori dhe të drejtat themelore, si dhe në sigurimin e në lirinë e qytetarëve të saj. Shasha ka theksuar se Kosova për t’u bërë anëtare e BE-së ka ende një rrugë të gjatë para vetes.

“Në aspektin afatshkurtër Kosova duhet t’i adresojë prioritetet imediate politike, siç janë: arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimi i bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresi i ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe depolitizimin e institucioneve publike. Kurse në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë Kosova duhet të fokusojë gjithë vullnetin politik në ndërmarrjen e reformave në sundimin e ligjit, të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë sonë, në përmirësimin e sistemit arsimor dhe në adresimin e situatës alarmante në fushën e mjedisit”, ka shtuar ai.

Kurse duke folur për heqjen e vizave ai ka vlerësuar se aktualisht janë disa faktorë, të cilët janë duke penguar këtë proces, siç është mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Po ashtu sipas tij çështja e liberalizimi të vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019, si dhe ka mungesë të vullnetit politik për liberalizim të vizave brenda BE-së.