Mosmarrëveshja e re mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt

Mosmarrëveshja e re mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt

Aktuale June 25, 2019 - 18:24
Lexoni detajet

Kryeministri Ramush Haradinaj kohë pas kohë në Zyrën e tij po dekoron personalitete kryesisht duke i nderuar ata që i përzgjedh me dekoratën e Gjergj Kastriotit –Skënderbeut. I fundit që e ka marrë këtë dekoratë nga duart e Haradinajt është Halil Kastrati që në opinion njihet për ndihmën ndaj të varfërve me shoqatën e tij Jetimat e Ballkanit.

E gjithë kjo nuk po shihet me sy të mirë nga Hashim Thaci. Nga Zyra e tij sot është dhënë një shpjegim se vetëm ai e ka të drejtën për të dhënë dekorata. Kjo është vetëm njëra nga mosmarrëveshjet që dy liderët kanë mes vete.

Kryetari i Komisionit Vlerësues për Dekorata në Zyrën e Presidentit, Besim Kajtazi, lidhur me dhënien e dekoratave ka thënë se shpeshherë ka keqinterpretime dhe mosnjohje të këtij procesi, por ka edhe raste kur përkundër që institucionet e dinë që nuk kanë bazë ligjore për të ndarë dekorata, krerët e tyre veprojnë kundërligjshëm.

“Presidenti i Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm kushtetues, i cili ka të drejtën e dhënies së medaljeve, mirënjohjeve dhe çmimeve. Kjo e drejtë është përcaktuar në Nenin 84 (28) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ndërsa, Ligji nr. 04/L-070 për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës i rregullon procedurat dhe kriteret për dhënien dhe revokimin e Dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe të drejtat dhe detyrat e të dekoruarve. Dhënia e dekoratave është e drejtë ekskluzive e Presidentit të Republikës së Kosovës, qofshin ato me vetiniciativë, qofshin me propozime për dekorata të dhëna nga Komisioni Vlerësues për Dekorata apo nga personalitetet që kanë të drejtë t’i propozojnë presidentit dhënien e dekoratave”, ka thënë Kajtazi për KosovaPress.

Ai ka thënë se as Kushtetuta dhe as Ligji për Dhënien e Dekoratave nuk përcakton ndonjë autoritetet apo personalitet tjetër që ka të drejtë të japë dekorata. “Kur i referohemi dekoratës nënkuptojmë urdhrat, medaljet, çmimet, titujt e nderit dhe mirënjohjet shtetërore”, ka thënë ai. Dhënia e dekoratës bëhet duke marrë parasysh kontributin dhe meritat e personave, thotë Kajtazi, porse ato mund t’u jepen edhe shtetasve të huaj, personaliteteve të njohura botërore dhe organizatave ndërkombëtare.

Kajtazi sqaron se dekoratat mund t’u jepen qytetarëve edhe pas vdekjes, por në këto raste, dhënia e dekoratës pas vdekjes së të dekoruarit i bëhet familjarëve të tij: bashkëshortit/tes, fëmijëve, të adoptuarve, nipave/mbesave, prindërve, adoptuesve, vëllezërve dhe motrave të të dekoruarit.

“Nëse i dekoruari nuk ka anëtar të familjes, dhënia e dekoratës publikohet në Gazetën Zyrtare dhe në ueb-faqen zyrtare të Presidentit të Kosovës. Me vendim të presidentit, dekorata jepet në muze që të ruhet si pasuri kulturore e vendit”, ka thënë ai.

Kajtazi thotë se njëjta dekoratë nuk mund t’i jepet dy herë të njëjtit person. Por, sipas tij, ka raste kur i njëjti person është dekoruar, por me dekorata të ndryshme.

“Jo rrallë po ndodhë që të kërkohet të dekorohen personalitete të ndryshme me të njëjtën dekoratë, sidomos me Urdhrin ‘Hero i Kosovës’, thjeshtë kanë dëshirë që edhe presidenti Thaçi të dekorojë personalitete të caktuara. Por, ligji e përcakton që e njëjta dekoratë nuk mund t’i jepet dy herë të njëjtit person, pavarësisht nga kërkesat dhe pavarësisht nga personalitetet”, ka thënë ai.

Kryetari i Komisionit Vlerësues për Dekorata në Zyrën e Presidentit ka treguar se ligji i përcakton shumë qartë edhe personalitetet që mund t’i paraqesin Presidentit të Republikës së Kosovës, propozime për dekorata.Ata janë Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Republikës së Kosovës, Ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kryetari i Komunës, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rektorët e Universiteteve Publike të Kosovës dhe personat me reputacion publik apo edhe organizata të tjera.

Kajtazi ka treguar se ligji sanksionon edhe imitimin e dekoratave.

“Ligji është shumë i qartë edhe në këtë drejtim. Askush nuk ka të drejtë të punojë, shesë apo bartë sende që imitojnë dekoratat e Republikës së Kosovës. Kjo është e ndaluar dhe sanksionohet me ligj”, ka thënë ai.

Si Kryetar i Komisionit Vlerësues për Dekorata në Zyrën e Presidentit, Kajtazi ka apeluar tek institucionet përkatëse që të bëjnë propozime zyrtare, gjithëpërfshirëse dhe të arsyetuara.

Po ashtu, ai i ka ftuar edhe personalitetet e ndryshme që janë dekoruar në shtetet e tjera ose organizatat ndërkombëtare, që ta njoftojnë Presidencën e Kosovës për t’i përfshirë ata në evidencën për shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë marrë dekorata nga shtetet e tjera ose organizata ndërkombëtare.