Mitrovicasit s’duan xhami, duan shkollë dhe ambulancë

Mitrovicasit s’duan xhami, duan shkollë dhe ambulancë

Aktuale June 24, 2019 - 12:04
Lexoni detajet

Banorët e lagjes Sylani të Mitrovicës sot protestuan para komunës kundër ndërtimit të një xhamie në lagjen e tyre. Këta protestues thanë se po kërkojnë revokim të menjëhershëm të lejes së ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, deri në arritjen e një marrëveshjes në mes palëve.

Disa nga organizatorët e kësaj proteste u takuan me nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, dhe me pas të gjitha kërkesat e tyre i ndan me media përmes një shkrese. Në këtë letër thuhet se banorët nga komuna e Mitrovicës po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje për ndërtim të një ambulance dhe shkolle për nivelin e ulët arsimor. Kjo protestë erdhi pasi që të premten banorët kanë parë që investitorët kanë filluar punimet për ndërtimin e xhamisë.

Sipas banorëve, kanë ardhur disa individë dhe i kanë kërcënuar duke u thënë se askush nuk guxon tua ndërpres punimet. Po këta banorë ndërtimin e xhamisë në lagjen Sylani e kanë kundërshtuar me peticion para dy viteve dhe po në qershor të vitit 2017 kishin marrë shkresën zyrtare nga Drejtoria e Urbanizimit në Mitrovicë se asnjë punë nuk do zhvillohet në atë zonë pa ujdi mes palëve.

Sipas banorëve aprovimin për ndërtim të kësaj xhamie e ka dhënë hoxha Gazmend Mehmeti, për të cilin kanë kërkuar që t’i revokohet aprovimi nga Bashkësia Islame e Kosovës.