Vendosen familjet e para në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan
FOTO: Laura Hasani

Vendosen familjet e para në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan

Aktuale June 24, 2019 - 08:18
Lexoni detajet
Image

Komuna paralele e Zveçanit ka shpallur ftesë publike për ndarjen e 82 njësive banesore për familjet me gjendje të rëndë sociale në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan, i cili është ndërtuar pa lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës. Për të përfituar banesë kushti kryesor është që ata të cilët konkurrojnë të jenë shtetas të Republikës së Serbisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Lugina e Diellit”, një vendbanim krejtësisht ilegal në të ashtuquajturin “Zveçani i Vogël” në Zveçan, do të fillojë t’i pranojë familjet e para, pasi që Komuna paralele e cila udhëhiqet nga ish-ministri Ivan Todosijeviq ka shpallur thirrje publike për ndarjen e 82 njësive banesore për familje me gjendje të rendë sociale.

LEXO EDHE: Sot nis të zbatohet plani i Serbisë për “katastrofë humanitare” në veri

Ky vendbanim është ndërtuar pa lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pasi Komuna e Zveçanit nuk e ka përfillur kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të mos fillojë ndërtimi pa u dorëzuar dokumentet e nevojshme, shkruan tutje gazeta "Zëri"

Sipas kësaj thirrjeje publike, do të ndahen 82 banesa: 16 banesa me sipërfaqe 62.96 metra katrorë, 3 banesa me sipërfaqe 79.91 metër katrorë, 18 banesa me sipërfaqe 42.42 metra katrorë, plus 29.34 metra katrorë hapësirë ndihmëse, 30 banesa me sipërfaqe 76.07 metra katrorë dhe 15 banesa me sipërfaqe 75.91 metra katrorë. Sipas shpalljes, ato u janë dedikuar rasteve sociale për banim “në kushte mbrojtëse në kuadër të vendbanimit për kthim “Lugina e Dellit” në lokacionin “Zveçani i Vogël".

“Njësitë banesore në objektet me të cilat udhëheq Komuna e Zveçanit jepen në shfrytëzim pa mundësi të blerjes, me qëllim të zgjedhjes së çështjes së banimit, posaçërisht të kategorive të rasteve sociale, të zhvendosurve të cilët janë vendosur në territorin e Republikës së Serbisë, të Malit të Zi dhe të vendeve të tjera të rajonit”, thuhet në thirrjen publike për ndarje të 82 banesave në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan.

Kushti kryesor është që të gjithë ata të cilët konkurrojnë duhet patjetër të jenë shtetas të Republikës së Serbisë.

Ivan Todosijeviq, kryetar paralel i Zveçanit, ka thënë se jo të gjithë serbët mund të konkurrojnë për t’u kthyer dhe për të jetuar në vendbanimin “Lugina e Diellit”. Sipas tij, të gjithë ata serbë që kanë shitur pronat e tyre në gjithë Kosovën nuk mund të konkurrojnë për një banesë në këtë vendbanim.

Todosijeviq ka thënë se aktualisht në komunën e Zveçanit ka mbi 4 mijë persona të zhvendosur, si dhe 250 refugjatë serbë nga Kroacia.

“Deri më tani asnjë projekt i kthimit nuk ka qenë i qëndrueshëm, sepse asnjë vendbanim nuk ka pasur shkollën ose kopshtin e fëmijëve, ato shtëpi nuk kanë qenë të sigurta, janë djegur dhe janë plaçkitur. ‘Lugina e Diellit’ i ka të gjitha të siguruara edhe ekonomikisht, edhe në aspektin e sigurisë”, ka thënë Todosijeviq.

“Zëri” ka mësuar në ndërkohë se në vendbanimin “Lugina e Diellit”, përveç familjeve që janë raste sociale, ndër të parët që do të vendosen do të jenë familjet serbe të Frashërit të Mitrovicës dhe të komunës së Vushtrrisë. Në vendbanimin “Lugina e Diellit”, sipas medieve lokale në veri të Mitrovicës, të parat familje që do të vendosjen do të jenë 134 familje të fshatit Frashër të Mitrovicës dhe 63 familje të fshatrave Maxhunaj, Sllatinë dhe Dolak të Vushtrrisë, të cilat janë të vendosura në një kamp në vendin e quajtur “Zveçani i Vogël”, aty edhe ku është ndërtuar ky vendbanim. Qeveria e Serbisë, sipas të dhënave të Zyrës për Kosovën për këtë vendbanim, për ta përfunduar komplet projektin ka ndarë 25 milionë euro.

E në anën tjetër, ndonëse Qeveria e Kosovës bashkë edhe me disa organizata të tjera kanë investuar rreth 5 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të serbëve në Frashër të Mitrovicës dhe të fshatrave të Vushtrrisë, serbët nuk janë kthyer asnjëherë për të jetuar në ato shtëpi. Përkundrazi, disa familje serbe i kanë shitur shtëpitë e ndërtuara me mjetet e buxhetit të Kosovës. Ndonëse u janë ndërtuar shtëpitë, në Frashër të Mitrovicës deri vonë ka jetuar vetëm një familje serbe, ajo Joviq, ndërsa 134 familje të tjera serbe jetojnë në Zveçan.

E në fshatrat Maxhunaj, Sllatinë dhe Dolak të Vushtrrisë janë 63 shtëpi në të cilat do të duhej të ktheheshin serbët e zhvendosur në veri të Mitrovicës, por edhe në Serbi. Por megjithëse kishin pranuar të kthehen shtëpitë kanë mbetur bosh që nga viti 2003, ndërsa familjet serbe vazhdojnë të jetojnë në veri të Mitrovicës, të shumtën në banesat e uzurpuara të shqiptarëve, pastaj në Zveçan, por edhe në pjesë të ndryshme të Serbisë. Në vitin 2003 në fshatin Maxhunaj qenë ndërtuar 35 shtëpi për po aq familje serbe, të cilat dëshironin të ktheheshin për të jetuar në këtë fshat.

Një vit më vonë gjithashtu për të njëjtin qëllim ishin ndërtuar edhe 15 shtëpi të tjera në fshatin Sllatinë, ndërsa në vitin 2010 në Dolak u ndërtuan edhe 13 shtëpi për familjet serbe. Këto shtëpi janë ndërtuar me fonde të organizatave dhe të qeverive të shteteve evropiane.

Për ta stimuluar kthimin familjeve serbe, përveçqë shtëpitë e tyre ishin mobiluar, u janë dhënë edhe nga 2 mijë euro, por nuk ka shkuar shumë kohë e serbët janë përpjekur t’i shesin shtëpitë, meqë nuk kanë arritur, atëherë i kanë demoluar ato, kanë plaçkitur të gjitha mobiliet dhe pajisjet e kanë ikur nga këto fshatra./ZERI