Sot nis të zbatohet plani i Serbisë për “katastrofë humanitare” në veri
FOTO: Laura Hasani

Sot nis të zbatohet plani i Serbisë për “katastrofë humanitare” në veri

Aktuale June 24, 2019 - 08:09
Lexoni detajet
Image

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore të Kosovës, të cilët para dy ditëve kanë dhënë betimin dhe kanë rifilluar detyrën, janë mbase kreatorët kryesorë të një plani të përgatitur nga Qeveria e Serbisë për të krijuar krizë artificiale humanitare në veri të Kosovës, duke boshatisur dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Planin, që besohet se është konstruktuar nga Beogradi, janë duke e përgatitur njerëz në veri të Mitrovicës, shkruan sot gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Mbi 1 miliard euro pasuria e politikanëve të Kosovës

Zëri” ka mësuar se plani parasheh zbrazjen e të gjitha dyqaneve për të dëshmuar se për shkak të taksës 100 për qind ndaj importit të produkteve serbe furnizimi është pamundësuar. Gjithçka ka filluar me barnatoret në të gjitha komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ato janë mbyllur, ndërsa janë vendosur njoftimet se ato nuk punojnë për shkak se nuk po mund të furnizohen me barna nga Serbia. I gjithë ky plan i Beogradit ka për qëllim destabilizimin e pjesës veriore të Kosovës, shkruan tutje gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Tri arsyet e shtyrjes së takimit të Parisit

Njerëzit që janë të caktuar për ta zbatuar planin në komunat veriore (Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq e të tjerë) janë mbledhur në një restorant në veri të Mitrovicës e aty janë parë edhe kryetarët e posazgjedhur, Goran Rakiq (Mitrovicë e Veriut), Zoran Todiq (Leposaviq), Serxhan Vulloviq (Zubin Potok) dhe Vuçina Jankoviq (Zveçan), ndërsa kanë marrë pjesë edhe disa biznesmenë të veriut, përfaqësues të institucioneve paralele e zyrtarë të lartë nga Serbia. Me plan parashikohet që të boshatisen të gjitha dyqanet, marketet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës".

Policia e Kosovës në veri nuk ka asnjë informacion për një organizim të tillë.

Në anën tjetër, për planin e Beogradit për të provokuar “katastrofë humanitare” është njoftuar edhe Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është informuar për këtë plan, i cili po përgatitet nga njerëz të caktuar atje, ndërsa ka siguruar se ndaj këtyre tendencave as ata nuk do të rrinë duarkryq.

Njëri prej njerëzve që është caktuar për ta zbatuar këtë plan në praktikë në pjesën veriore të Kosovës, Goran Vllashkoviq, ka arritur të fusë mallra kontrabandë nëpërmes rrugëve ilegale në pjesën veriore, pasi që njerëzit e tij kanë penguar Policinë e Kosovës që t’i ndalë dy kombi me plot mallra në Zhitkovc të Zveçanit. Patrulla policore është detyruar që të tërhiqet pasi që atyre nuk u ka ardhur përforcimi që kishin kërkuar.

E në anën tjetër, me t’u zbuluar plani serbët e veriut, si dhe mediet lokale kanë nxituar t’i gjejnë, siç thonë ata, “spiunët e Prishtinës”, të cilët e kishin njoftuar Prishtinën për planin e “katastrofës humanitare”. Sipas tyre, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është njoftuar direkt nga ata. “Ku e ka ditur Ramush Haradinaj për emrat e atyre që do ta zbatonin planin? Ku e diti Haradinaj se ata do të ndihmohen edhe nga ‘Civilna Zastita’ e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq?”, pyesin mediet lokale serbe në veri.

Sipas “TV Most”-it, duke u bazuar në pohimet e njohësve të rrethanave në teren, Prishtina për një plan të fëlliqur ka mbështetjen e disa serbëve, të cilën paguhen mirë, në mënyrë që Prishtinës t’ia dërgojnë të gjitha informacionet nga terreni dhe për t’i shantazhuar njerëzit që kundërshtojnë taksën./ZERI