I mbledh rreth 115 nënshkrime, Bahtiri kërkon nga institucionet shtetërore ndërprerjen e ndërtimeve në veri

I mbledh rreth 115 nënshkrime, Bahtiri kërkon nga institucionet shtetërore ndërprerjen e ndërtimeve në veri

Aktuale June 19, 2019 - 16:11
Lexo Detajet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga institucionet shtetërore që në bazë të kompetencave të tyre të ndërmarrin veprimet për ndërprerjen e punimeve siç i ka quajtur ai “të paligjshme dhe ilegale” në lagjen “Kroi i Vitakut” në qytet.

Bahtiri madje ka thënë se për ndërprerjen e këtyre punimeve për ndërtimin e banesave kolektive të destinuara për pjesëtarët e komunitetit serb, ka mbledhur rreth 115 nënshkrime nga qytetarët, përcjell zëri.info.

Komunikata e plotë

Kryetari Bahtiri i bënë thirrje Presidentit, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ndërprerjen e ndërtimeve ilegale në veri

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, sot ka pranuar një peticion me rreth 115 nënshkrime nga qytetarët e lagjes “Kroi i Vitakut” nga qyteti i Mitrovicës, të cilët kanë shprehur shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre lidhur me ndërtimin e banesave kolektive të destinuara për pjesëtarët e komunitetit serb.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri duke u solidarizuar me qytetarët e kësaj lagjeje kërkon nga Presidenti, Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të ndërmarrin veprimet e nevojshme duke u bazuar në kompetencat e tyre, për ndërprerjen e këtyre ndërtimeve të paligjshme dhe ilegale.

Kryetari Bahtiri thekson se iniciativa të tilla janë diskriminuese ndaj popullatës shqiptare në atë pjesë të qytetit, duke marrë parasysh edhe faktin që nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre.

Në lidhje me këtë shqetësim të qytetarëve të “Kroit të Vitakut”, ne si qeverisje lokale mbështesim shqetësimin e ngritur nga këta banorë duke iu drejtuar organeve kompetente të nivelit qendror për ndërprerjen e këtyre ndërtimeve.

Kryetari Bahtiri shpreson që zëri i ngritur i këtyre qytetarëve i shprehur përmes këtij peticioni të merret parasysh dhe kërkesa të realizohet sa më parë.