Veseli liron nga detyra të gjithë zyrtarët e PDK-së me aktakuza
Foto: Laura Hasani

Veseli liron nga detyra të gjithë zyrtarët e PDK-së me aktakuza

Aktuale qershor 19, 2019 - 15:34
Lexoni detajet

Sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar lirimin nga detyra te zyrtarëve të Partisë së tij të cilët janë të përfshirë apo të dyshuar për përfshirje në afera korruptive, raporton Zëri.info

Duke iu referuar deklaratës së tij që ka dhënë në konventën festive të PDK-së, për luftim të korrupsionit Veseli tha se do ta mbajnë fjalën.

“Në fillim të kësaj jave jam zotuar që do ta luftoj korrupsionin, krimin e organizuar, nepotizmin dhe çdo formë të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne sepse janë të ngopur me fjalë dhe duan ndryshim. Ne si PDK po fillojmë me veten sot jam para jush për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë”, tha Veseli.

Kësisoj ai kërkoi që zyrtarët e PDK-së me aktakuza të lirohen nga detyra.

“Kam vendosur që të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së që kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për korrupsion ti lirojnë funksionet menjëherë. Poashtu kërkoj mirëkuptim edhe nga ata që janë të zgjedhur përmes votës në institucione publike dhe që janë të dyshuar për korrupsion të ndërmarrin të njëjtin veprim”, ka thënë Veseli.

Gjithashtu ai kërkoi që të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të pezullojnë postet e tyre deri në aktgjykimet përfundimtare.

“Unë kam biseduar me zyrtarët tanë qe kanë aktakuza dhe i kam njoftuar për lirimin nga detyra zyrtare. Lufta kundër korrupsionit është vendimtare për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Veseli./Zëri