Përurohet memoriali “Shqiponja” në Podujevë

Përurohet memoriali “Shqiponja” në Podujevë

Aktuale June 19, 2019 - 11:53
Lexoni detajet

Në 20 vjetorin e çlirimit të Podujevës u përurua memoriali “Shqiponja”.

Pesë kilometra nga pika kufitare me Serbinë në Merdare, në hyrje të Podujevës, u vendos simboli i shqiponjës.

Në përurimin e këtij memoriali prezent ishte edhe gazetari Marin Mema, ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, e shumë qytetarë.

Në fjalën e tij gazetari Mema tha se e ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë është bashkë.

“Jam nga jugu i Shqipërisë por e kam ndjerë veten gjithmonë një shqiptar i Kosovës, sepse në fund të ditës është gjaku jonë që na bashkon”.

“Ky monument për mua simbolizon edhe të ardhmen. Duhet të tregohemi të afte të ndërtojmë të ardhmen tonë. Ne jemi ne ata që i japim udhë asaj që na do zemra, asaj që na do shpirti”.

“Historinë e kemi bashkë, gjakun e kemi bashkë dhe të ardhmen s’mund të na ndalë askush që ta kemi bashkë”.

Ish-komandanti i UÇK-së Rrustem Mustafa, uroi qytetarët për 20 vjetorin e çlirimit të Podujevës dhe tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës hapi rrugën për liri.

“Kjo shqiponjë që do ta zbulojmë sot do të fluturojë e lirë e do të rrugëtojë bashke me ne”.

“Dua t’i nderoj secilin nga ata që kanë derdhur gjak deri tek eprori im i fundit Zahir Pajaziti. Gjithashtu dua t’i nderoj gjithë ato familje që dhanë gjakun për lirinë e Kosovës”.

Me rastin e përurimit të memorialit performoi edhe këngëtari i njohur Afrim Muçiqi.