Cilat janë procedurat për shkarkimin e presidentit Meta

Cilat janë procedurat për shkarkimin e presidentit Meta

Aktuale qershor 19, 2019 - 11:48
Lexo Detajet

Nisma për shkarkimin e Presidentit Meta është parashtruar ditën e sotme në komisionin e ligjeve. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla argumentoi pikat se përse pala që ka ndërmarrë këtë nisëm mendon se Presidenti duhet shkarkuar.

“Presidenti ka marrë atributet e Kuvendit dhe sovranit, duke anuluar datën e zgjedhjeve e duke mos caktuar një datë të re”, tha Balla.

Përfaqësuesi i Presidentit nuk ishte i pranishëm në sallën e komisionit. Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni e kundërshtoi nisëm duke propozuar që raporti të çohet në seancën plenare pas zgjedhjeve. Sipas tij vendi po shkon drejt një situate kaotike të panevojshme.

“Nuk e di nëse keni shkarkuar ndonjëherë President. Keni sjellë këtu një nismë të thjeshtë ligjore, I thërras arsyes tuaj politike. Vendi po shkon drejt një kaosi të panevojshëm. Brenda 7 ditëve, Presidenti anulon datën, nuk hapen negociatat, Parlamenti bën karshillëk dhe shkarkon Presidentin. Një kalendar kaq i shpejtë është i nxituar. Brenda datës 26 qershor, ju do të çoni raportin në seance plenare. Shtyjeni pas zgjedhjeve” tha deputeti Gjoni.

Procedura e shkarkimit të presidentit e kërkon që pas këtij hapi, komisioni duhet t’i paraqesë raportin Kuvendit bashkë me mendimin nëse duhet ngritur një Komision Hetimor për shkeljet e pretenduara të Presidentit.

Në përfundim të hetimit, për të cilin Rregullorja nuk parashikon një afat maksimal kohëzgjatjeje, komisioni hetimor duhet t’i paraqesë Kuvendit në mënyrë të arsyetuar nëse ekzistojnë shkaqet për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Më pas, Kuvendi shqyrton raportin e komisionit hetimor në një seancë të veçantë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.

Presidenti ka të drejtën të dëgjohet gjatë të gjitha këtyre hapave, edhe në seancë plenare. Për shkarkimin e Presidentit të Republikës vetëm pasi të mbarojnë të gjithë këto hapa, arrihet në votim në seancë plenare, kur duhet të votojnë pro shkarkimit 2/3 e deputetëve, pra 94 vota. Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit i dërgohet më pas Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të shprehet nëse Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës apo jo. Por në mungesë të kësaj të fundit, kjo procedurë do të kërkojë edhe më shumë kohë./Koha Jonë/