Veseli: PDK do të udhëheqë me Qeverinë e ardhshme

Veseli: PDK do të udhëheqë me Qeverinë e ardhshme

Aktuale June 17, 2019 - 21:08
Lexoni detajet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur vizionin e tij për Kosovën në Dekadën e Re, duke theksuar se pas zgjedhjeve të ardhshme, PDK do të udhëheqë me Qeverinë dhe do ta ketë një qeveri krejt ndryshe, më të vogël dhe në interes të gjithë qytetarëve pa dallime, raporton Zëri.info.

Deri në udhëheqjen e Qeverisë së re, ai ka paralajmëruar shumë reforma brenda partisë dhe brenda shtetit, duke i ftuar të gjithë qytetarët që ta mbështesin në reformat që ka nisur.

“Ne përmbyllëm dje procesin zgjedhor, ndërsa prej sot do ta hapim një etapë të re. Partia Demokratike është dhe do të jetë partia më e fuqishme në Kosovë. Por, prisni pak. Sepse, le ta pranojmë, ky proces i reformave, në PDK dhe në krejt Kosovën, nuk do të jetë i lehtë, do të marrë kohë dhe mua më duhet mbështetja juaj e vazhdueshme që t’ia dalim. E di se dikush mund të ketë dyshime nëse do ta bëjmë këtë. Më lejoni t’ju them, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë brenda një dite”, tha Veseli.

Ai ka theksuar se vendin po e presin vendime të rëndësishme dhe reforma të mëdha, sepse siç tha ai, nuk ka opsion tjetër.

“Këtë e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë ngopur me fjalë dhe janë të etur për veprime. Prandaj, shumë shpejt, ju do të shihni ndryshime të mëdha dhe hapa të rëndësishëm. Do ta çojmë partinë drejt një etape të re. Gjithmonë, kur kam para vetes vendime të rënda, vështirësi, më kujtohen ditët e mia në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Asokohe, ishim pak veta kundër një ushtrie të madhe. Shpesh, nuk na besonte pothuajse askush, madje as të afërmit, se do të mund t’ia dilnim dhe se do të mund te fitonim. Por, ne e dinim se nuk kishim opsion tjetër përveç se të vepronim. Vetëm nëse do të vepronim, vetëm nëse do të merrnim vendime, vetëm nëse do ta kishim guximin që duhej, do ta çlironim Kosovën”, tha Veseli.

Veseli deklaroi se edhe sot, nuk ka tjetër opsion përveç se të veprojë.

“Ne duhet të veprojmë drejt dhe mirë për Kosovën. Me angazhimin tuaj dhe me ndihmën e qytetarëve tanë të mrekullueshëm, në zgjedhjet e ardhshme ne do ta kemi pushtetin e nevojshëm dhe do ta udhëheqim Qeverinë. Atëherë do të jemi në gjendje ta zbatojmë vizionin tonë të plotë, edhe më mirë, për Dekadën e Re”, tha kreu i PDK-së.

Ai shtoi se në vizionin e qeverisjes së re të udhëhequr nga ai, Kosova do të ketë shanse të barabarta për të gjithë qytetarët e saj dhe të rinjtë do të rrinë dhe do të gjejnë punë në Kosovë.

“Një Kosovë me ekonomi të fuqishme dhe stabile, që shfrytëzon përparësitë konkurruese përmes resurseve të veta njerëzore natyrore, që hap vende të reja pune, që tërheq investitorë të huaj. Një ekonomi që do t’ia bëjë të lehtë secilit ta hapë një biznes, të ketë sukses dhe t’i përmbushë ëndrrat që ka. Një ekonomi që nuk varet vetëm nga ndihma e Qeverisë, por varet nga konkurrenca dhe idetë kreative. Sepse, të rinjtë janë motori i vërtetë i ekonomisë kosovare”, tha ai, raporton portali Zëri.

Veseli potencoi se Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga ai, do të jetë Qeveri e vogël, që u siguron qytetarëve mundësi të mëdha.

“Më pak pushtet për Qeverinë. Më shumë pushtet për qytetarët. Po flas për një ekonomi të lirë të tregut, të bazuar në ndërmarrësi, konkurrencë dhe sundim të ligjit. Por, për ta arritur këtë, ka një kusht: ta luftojmë korrupsionin dhe ta forcojmë sundimin e ligjit. Sepse, kudo që ka korrupsion dhe nepotizëm, nuk ka shanse të barabarta, nuk ka konkurrencë të drejtë. E shanset e barabarta dhe konkurrenca fer janë themeli i një ekonomie të suksesshme dhe i një shoqërie moderne. Ky është misioni ynë në Dekadën e Re. Ne do ta bëjmë këtë”, tha Veseli në Konventën Festive të PDK-së.//  ZERI