Muhaxhiri për LDK-në: Konfliktet në strukturë janë pasqyrim i konflikteve në lidership

Muhaxhiri për LDK-në: Konfliktet në strukturë janë pasqyrim i konflikteve në lidership

Aktuale qershor 17, 2019 - 20:16
Lexo Detajet

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se është e pakuptueshme se si faji për përplasjet fizike brenda LDK-së po provohet që të hidhet tek të tjerët.

“Nuk mund të jenë legjitime sepse këto konflikte janë pasqyrim i konflikteve në lidership. Konfliktet në strukturë janë pasqyrim i konflikteve në lidership”, ka thënë Muhaxhiri.

“Kosova nuk i ka 700 milionë banorë, por bëhet fjalë për votë familjare, klinenteliste. Është e pamundur që një dele e zezë ta destabilizojë gjithë procesin nëse gjithçka tjetër është në rregull. Janë ngjarje zhgënjyese, është absurd. Partitë nuk po mund të ballafaqohen me presionin e ardhjes në pushtet”.

“E njëjta ka ndodh edhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Sondazhet kanë ndikuar negativisht, sepse njerëzit e kanë vizuelizuar veten në ndonjë post. Është një tentim i pozicionimit paraprak. Ekziston bindja se LDK është shumë afër ardhjes në pushtet. Njerëzit pushtetin  barazojnë me përftime të mëdha dhe duan të pozicionohen tani për të ardhmen”.

Muhaxhiri ka deklaruar në Klan Kosova se është dështim i lidershipit të LDK-së sepse incidentet kanë ndodhur disa herë.

“Është dështim i lidershipiit sepse ndodhi katër herë – është një frymë, është më shumë se aksident që mund të ndodhte prej njerëzve të përgjegjshëm. Ka pasë plogështi të reagimit të figurave kyçe të LDK-së. Në politikën kosovare votat fitohen me viktimizim. Por duhet ta ketë një bazë, votuesi e dallon viktimizimin realist dhe kur kamuflohet paaftësia”.

Kurse për procesin zgjedhor në PDK që dje u kurorëzua më rizgjedhjen e Kadri Veselit si kryetar i partisë, Muhaxhiri, ka theksuar se derisa në LDK ka problem me lidership në PDK ka problem me një lloj autoritarizmi “me një lider që është i pakontestueshëm”.

“Ishte pak qesharake, sepse ishte e pamundshme që së paku të mos ketë një gjysmë-fjale për Veselin”.

“PDK dhe LDK, janë dy ekstreme. Në LDK ekziston një paqartësi sa i përket liderit, ndaj dhe ekzistojnë këto rryma për kandidatët. Por ndikimi i liderit ka efektin domino, sepse është një lloj përfitime nëse je në anën e duhur të liderit”.