Kuvendet e karrigeve

Kuvendet e karrigeve

Aktuale June 17, 2019 - 08:02
Lexoni detajet
Image

Procesi i brendshëm i zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka kohë që është duke u përcjellë me tensione dhe me përleshje fizike. Ndonëse për LDK-në problemet e tilla nuk po shihen si serioze, ambiciet për të parin e partisë vlerësohet se mund të sjellin edhe një “kuvend të rrahjes me karrige” siç kishte ndodhur në vitin 2006, shkruan sot gazeta "Zëri".

Qëkur e ka nisur procesin e brendshëm zgjedhor Lidhja Demokratike e Kosovës është përballur me shumë përleshje brenda degëve dhe nëndegëve të saj. Vazhdimisht persona brenda partisë të pakënaqur me rrjedhën e zgjedhjeve të brendshme kanë shkaktuar “hallakamë” nëpër kuvendet zgjedhore të LDK-së pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës. Po ashtu edhe të dielën dhunë dhe grushte kishte pasur edhe në degën e tretë të LDK-së në Prishtinë.

LEXO EDHE: Politikanët milionerë, qytetarët të varfër

Mirëpo për Lidhjen Demokratike veprimet e tilla nuk po shihen me shumë shqetësim. Sipas nënkryetarëve të partisë, gjendja nuk është aq serioze dhe situatat e tilla do të tejkalohen, porse këto veprime kanë tendencë të prishjes së imazhit të LDK-së. Përderisa me probleme të ngjashme Lidhja Demokratike e Kosovës ishte përballur edhe në vitin 2006, kur situata kishte eskaluar deri në rrahje me karrige, analistët vlerësojnë se mund të përsëritet skenari i njëjtë nëse vazhdojnë tensionet për pozitat e larta në parti.

Por i pari i LDK-së, Isa Mustafa, fajësoi partitë tjera për influencë në proces. Ai u shpreh se tubimet e LDK-së po i prishin persona nga subjektet tjera politike dhe jo anëtarët e partisë. “S’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallallëqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së! Të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statutin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen”, ka theksuar Mustafa.

Rugova: Përleshjet në LDK po ia prishin imazhin partisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka thënë për “Zërin” se incidentet brenda LDK-së po vijnë nga pakënaqësitë që po hasen nëpër degët dhe nëndegët e partisë, po që sipas tij nuk janë shumë serioze dhe do të tejkalohen.

“Ka pasur aty-këtu disa incidente, pakënaqësi të shprehura brenda kuvendeve, por besoj që ato do të tejkalohen. Ka pasur disa incidente, nuk do t’i quaja përleshje, por ne i kemi trajtuar në mbledhjen e fundit dhe shpresoj që procesi do të vazhdojë mirë dhe pa telashe të mëtutjeshme”, ka theksuar Rugova.

Mirëpo Rugova shprehet i shqetësuar se këto po ndodhin nga persona të infiltruar nga partitë tjera dhe se kanë qëllim prishjen e imazhit të LDK-së.

“Natyrisht që këto incidente mund ta dëmtojnë imazhin e LDK-së, por unë këto i shoh edhe si përpjekje për të bërë një gjë të tillë. Nuk e kuptoj si mund të infiltrohen edhe njerëz brenda strukturave tona që mund të marrin veprime të tilla pikërisht për dëmtimin e imazhit. Mirëpo LDK-ja i ka përvojat e veta dhe nuk do të lejojë që të prishet imazhi i saj. Për momentin LDK-ja është në proces të brendshëm zgjedhor, por ne do ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme”, ka pohuar Rugova.

Ramadani: Në LDK mund të përsëritet rrahja e 2006-s

Analisti politik Shkodran Ramadani është shprehur për “Zërin” se nëse brenda LDK-së do të vazhdojnë mospajtimet për ndarjen e pozitave për figurat e larta politike mund të përsëritet skenari i njëjtë i zgjedhjeve të brendshme të LDK-së i vitit 2006.

“Meqenëse proceset e deritanishme zgjedhore janë përshkuar me tensione të shumta e madje janë karakterizuar edhe nga dhuna, nuk është shumë larg mendsh të mendohet për një përleshje si ajo e vitit 2006. Nëse LDK-ja nuk ka një pajtim se si do të ndahen postet për figurat e larta, atëherë ka mundësi që grupet prapa të cilave qëndrojnë figurat e caktuara politike mund të përleshen edhe në Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor”, ka thënë Ramadani.

Ai i ka përmendur edhe disa nga arsyet që po çojnë në çarjen e brendshme të LDK-së, ndër to mungesën e një figure unitare të LDK-së.

“Këto probleme mund të vijnë për shkak që LDK-ja viteve të fundit ka çaluar nga mungesa e një figure unifikuese politike. Arsyeja e dytë është që anëtarësia e LDK-së beson se është partia e parë në Kosovë dhe afër pushtetit, në rrethanat e tilla kur njerëzit e nuhasin se e kanë pushtetin shumë afër aty rriten ambiciet. Arsyeja e tretë besoj është mungesa e mekanizmave demokratikë brenda partisë, me të cilët mund t’i menaxhojnë dallimet mes anëtarëve. Këto elemente çojnë në çarje dhe pastaj manifestohen edhe me dhunë”, është shprehur Ramadani.

Baraliu: Përdorimi i dhunës brenda LDK-së flet për gjendje alarmante

Ndërsa Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë për “Zërin” se shprehja e dhunës në tubimet brenda LDK-së flet për gjendje alarmante dhe sipas tij është mirë që partia të reagojë kundër këtyre fenomeneve dhe jo t’i fshehë ato.

“Përdorimi i dhunës dhe shprehja aq e madhe e mllefit për një ide të përbashkët që është në interes brenda dhe jashtë partisë flet për një gjendje alarmante të pakëndshme dhe të pahijshme të partisë. Këto procese do të duhej të analizohen mirë brenda strukturave të tyre dhe të mos mundohen t’i fshehin dhe t’i mbulojnë, sepse mund të prodhojnë më pas gangrena të tjera shumë të dëmshme dhe të pariparueshme për vetë subjektin politik, por edhe të qeverisjes eventuale të vendit nga ana e këtyre subjekteve”, ka deklaruar ai.

Baraliu thotë se shkak i këtyre përleshjeve mund të jenë ndikimet nga jashtë të partive tjera, por edhe pakënaqësitë brenda LDK-së, që mund të shpijnë deri në ndarjen në fraksione.

“Ka fërkime, ka kontradikta, ka divergjenca, për të mos thënë edhe fraksione në subjektet politike në Kosovë dhe mbase edhe në LDK, gjithashtu ka ambicie hera-herës të tepruara, për të mos thënë edhe patologjike të individëve të caktuar. Mendoj që është edhe një luftë gjeneratash për dominim të atyre që ndër vite e kanë mbajtur barrën e organizimit dhe të menaxhimit të partisë”, ka potencuar ai./ZERI