Pse Izraeli nuk po e njeh Kosovën sipas mediumit izraelit

Pse Izraeli nuk po e njeh Kosovën sipas mediumit izraelit

Aktuale June 16, 2019 - 16:25
Lexo Detajet

Shtatorin e kaluar, një deklaratë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se ai do ta hapte ambasadën në Jerusalem, nëse Izraeli e njeh Kosovën si shtet Sovran, qarkulloi shumë nëpër mediet izraelite.

Deklarata e presidentit Thaçi ishte vetëm një nga ofertat e zyrtarëve kosovarë ndaj Izraelit për t’ia larguar ngurrimin e tanishëm dhe për ta njohur shtetin më të ri në Ballkan. Pavarësisht se është disi kërkesë populiste, sugjerimi se Izraeli do ta fitonte një mik përmes njohjes së Kosovës do të duhej të nxiste reflektim.

Këtë vit, Kosova e festoi 11-vjetorin e pavarësisë nga Serbia pas deklaratës së njëanshme të vitit 2008. Kosova, 90 për qind e popullsisë së të cilës janë shqiptarë, është njohur nga më shumë se 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe shumicën e vendeve perëndimore. Sidoqoftë, Serbia, e përkrahur nga Rusia, refuzon ta njohë Kosovën dhe në mënyrë aktive është përpjekur ta bllokojë atë për të mos u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara.

Izraeli është në grupin e vendeve që ende nuk e konsiderojnë Kosovën si shtet të pavarur. Ato nuk kanë marrëdhënie zyrtare. Ngurrimi i Izraelit për ta njohur Kosovën është ndikuar pjesërisht nga frika se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të mund të përdorej si precedent në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe rreziku i prishjes së marrëdhënieve mes Izraelit dhe Serbisë. Sidoqoftë, marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë të mira. Serbia në disa raste ua ka mbajtur anën palestinezëve në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj. Vitin e kaluar, Serbia e kritikoi ashpër Izraelin për pjesëmarrjen në një ceremoni në Hungari, shkruan “JP”,transmeton Express.