Përfundon projekti i 'Aqua Park'-ut, investohen 7 milionë euro

Përfundon projekti i 'Aqua Park'-ut, investohen 7 milionë euro

Aktuale qershor 15, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Në kuadër të projektit “Aqua Park” (Parku Ujor) janë disa pishina olimpike dhe gjysmolimpike të tipit të hapur dhe të mbyllur, si dhe disa terrene për sport e për argëtim përreth tyre. “Parku Ujor” ndodhet në afërsi të liqenit akumulues të Mitrovicës dhe ato bashkë përbëjnë pikë turistike të qytetit të ndarë, shkruan gazeta "Zëri".

Është në përfundim e sipër projekti i “Aqua Park”-ut në Mitrovicë, në kuadër të të cilit janë disa pishina olimpike dhe gjysmolimpike të tipit të hapur dhe të mbyllur, si dhe disa terrene për sport e argëtim përreth tyre. “Parku Ujor” ndodhet në afërsi të liqenit akumulues të Mitrovicës dhe ato bashkë përbëjnë pikë turistike të qytetit të ndarë. “Aqua Park”-u do të lëshohet në përdorim të qytetarëve të të gjithë Kosovës në fund të këtij muaji, ndonëse disa vonesa kanë pamundësuar përfundimin e projektit ashtu siç është paraparë. Qytetarët e Mitrovicës e kanë mirëpritur përfundimin e projektit, i cili ka filluar të realizohet në prillin e vitit 2018. Ishte planifikuar që faza e parë e projektit të përfundojë në qershorin e vitit 2018, por disa probleme kishin zvarritur punët.

“Aqua Parku”-u është ndërtuar afër liqenit artificial në Suhadoll, i cili me një infrastrukturë të rregulluar mirë ofron pamje jashtëzakonisht të bukura, ndërsa do të jetë pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve. Investitor i këtij projekti, që kap vlerën mbi 7 milionë euro, është SHA “Aci”, që është themeluar nga “Arjeta Group” dhe “Linprojekt’, të dyja kompani vendore, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka mbështetur projektin me ndarjen në shfrytëzim të hapësirës komunale. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se realizimi i këtij projekti madhor për Mitrovicën do ta bëjë qytetin buzë Ibrit njërin nga vendet më tërheqëse, ndërsa hapësira përgjatë Ibrit do të jetë hapësira më e rregulluar në Ballkan. “Mitrovicasit më nuk do të shkojnë nëpër komuna të tjera të vendit për t’u freskuar në pishinat e atjeshme. Ata do t’i kenë këtu pishinat më bashkëkohore, të mbyllura dhe të hapura, olimpike dhe gjysmolimpike. Jam i bindur se qytetarët e komunave të tjera do të vijnë në Mitrovicë për t’i shijuar bukuritë përgjatë lumit Ibër”, ka thënë mes tjerash kryetari Bahtiri, shkruan gazeta "Zëri".

Pishina e hapur, ku qytetarët e Mitrovicës do të freskohen gjatë kësaj vere, do ta ketë një sipërfaqe prej rreth 2.000 metrash katrorë, lumi i ashtuquajtur “dembel”, do të ketë gjatësi prej 300 metrash.

Në anën tjetër Komuna e Mitrovicës dhe Policia e Kosovës kanë hartuar një plan për siguri dhe për mbrojtje përreth liqenit artificial dhe kompleksit të pishinave, pasi vitin që shkoi dy qytetarë kanë humbur jetën. Ndonëse vera është vonuar, deti i Mitrovicës, siç e quajnë mitrovicasit liqenin akumulues, por edhe në kompleksin e pishinave pritet fluks i madh i qytetarëve nga të gjitha anët e Kosovës për t’i kaluar pushimet. Sidomos ujin e liqenit të Mitrovicës dhe diellin pritet ta shijojnë ata qytetarë që kanë xhepin e zbraztë, sikurse ka ndodhur vitin që shkoi kur fitohej përshtypje se e gjithë Kosova ka zbritur në Mitrovicë, në liqenin akumulues. Por viti 2018 nuk ka kaluar pa viktima në zonën e liqenit. Dy persona kanë humbur jetën në zonën e liqenit akumulues të Mitrovicës në vitin që shkoi dhe kjo pati alarmuar jo vetëm institucionet komunale të Mitrovicës, por edhe Policinë e Kosovës për rajonin e Mitrovicës. Me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në ofrimin e sigurisë, në kuadër të implementimit të planit operativ “Sezoni veror”, Policia në Mitrovicë ka mbajtur takime me autoritete komunale, ku është diskutuar për domosdoshmërinë e vlerësimit praktik të gjendjes së lumenjve, të pishinave e në fokus zonat përgjatë liqenit artificial në Mitrovicë. “Me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në ofrimin e sigurisë, në kuadër të implementimit të planit operativ ‘Sezoni veror”, me iniciativën e drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, zyrtarët komunalë së bashku me Policinë e Kosovës kanë vizituar disa zona të lumenjve dhe liqeneve, të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët. Gjatë inspektimit të këtyre zonave përfaqësuesit nga Drejtoria për Mbrojtje dhe për Shpëtim në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë vlerësuar se zonat më të rrezikuara janë përgjatë liqenit artificial, duke kërkuar të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmërimi për vizitorët me anë të shenjëzimeve dhe segmentet për thellësinë, rrymat e ujit, si dhe rreziqet tjera të mundshme. Po ashtu është kërkuar të bëhet edhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë”, thuhet në një njoftim të Komunës së Mitrovicës, dërguar medieve.

E sipas shefit të sektorit për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, këto objektiva parashihen të ndërmerren duke u bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve dhe të liqenit artificial, të cilat po frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve. “Përfaqësuesit komunalë kanë shprehur gatishmërinë për t’i bashkërenduar aktivitetet në krijimin e kushteve dhe të sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe të barrierave”, tha ai.

Policia sugjeron që përgjatë zonës së liqenit artificial të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmëruese për vizitorë, të shënjohen segmentet për thellësinë, rrymat e ujit e rreziqet tjera të mundshme dhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë.

Në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se do të shikohet edhe mundësia e angazhimit të anëtarëve të klubit të zhytjes “Trepça”, nëse vlerësohet se ata janë të domosdoshëm. Vitin e kaluar klubi i zhytjes “Trepça” ishte dislokuar gjatë sezonit veror në zonën e liqenit. Autoritetet komunale të Mitrovicës janë zotuar se çështjen do ta trajtojnë me prioritet, nga fakti se qëndrimi i pjesëtarëve të këtij klubi afër liqenit do të jetë një mekanizëm shtesë i ofrimit të sigurisë në atë zonë. Komuna e Mitrovicës dhe Policia e Kosovës kanë apeluar te të gjithë qytetarët që i frekuentojnë zonat e liqenit akumulues dhe të pishinave që të jenë të vëmendshëm, sidomos të mos i lejojnë fëmijët pa mbikëqyrje./ZËRI