Forca e shpresës
FOTO: Laura Hasani

Forca e shpresës

Aktuale June 12, 2019 - 07:59
Lexoni detajet
Image

Para dy dekadave në Kosovë patën hyrë trupat e NATO-s, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën e humbur për jetë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kosova po i bën përgatitjet e fundit për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në vend pas dëbimit të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, të cilat kryen krime makabre ndaj popullatës civile.

LEXO EDHE: Welcome Mr. President!

Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë patën hyrë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, numër ky që pas dy dekadave është reduktuar në 3500 sosh si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Zyrtarë të KFOR-it tregojnë për “Zërin” se në qershor të vitit 1999 në Kosovë kishin arritur ushtarë nga 39 kombe të ndryshme të botës.

“Nuk është e lehtë të tregohet numri i saktë i ushtarëve që patën hyrë në Kosovë më 12 qershor 1999, por e dimë se gjatë muajve të parë ishin rreth 50.000 ushtarë nga rreth 39 kombe. Gjatë 20 vjetëve të fundit numri i tyre ka ndryshuar vazhdimisht në përputhje me zhvillimet. Sot janë rreth 3500 trupa, me kontributin e 28 kombeve, 20 prej të cilave janë pjesë e NATO-s dhe e 8 vendeve partnere”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë gazetës “Zëri.

Më tej në përgjigje thuhet se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe se roli i këtij misioni do të vazhdojë të mbetet ai që ka qenë.

“Roli i KFOR-it ka qenë i njëjtë gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, në përputhje me mandatin e dhënë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e nënshkruar më 10 qershor 1999 që të garantojë sigurinë për të gjithë njerëzit në Kosovë, pa dallim kulture, feje ose përkatësie etnike”, potencohet në këtë përgjigje.

Ndërsa duke folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës, NATO-ja ka theksuar se për të ndërtuar një ushtri shumëfunksionale duhet ende shumë punë.

“Kosova miratoi një ligj, i cili ndryshon mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për të ndërtuar një ushtri nuk është e mjaftueshme një ligj, por keni nevojë për para dhe kjo kërkon kohë. Forca e Sigurisë së Kosovës paraqiti publikisht një plan 10-vjeçar për tranzicionin”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Përjetë mirënjohës ndaj NATO-s dhe ndaj SHBA-së

Ndonëse lufta në vend ka përfunduar para 20 vjetëve, njëri nga ish-themeluesit e UÇK-së Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, ende i ka të freskëta kujtimet për 12 qershorin e vitit 1999.

“Për mua me rëndësi të madhe ka qenë fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Nuk mund të them se jam gëzuar më shumë sesa një qytetar i zakonshëm i Kosovës, por për këtë ditë duhet t’u falënderohemi të gjithë atyre që e kanë marrë në mbrojtje popullin shqiptar që nga Mali i Zi, Maqedonia e në veçanti çdo familje shqiptare në Republikën e Shqipërisë, e cila është organizuar në format e mundshme për t’i mbajtur dhe për t’i trajtuar të gjithë shqiptarët e Kosovës që i lëshuan vatrat e tyre”, ka thënë Haliti.

Haliti gjatë rrëfimit të tij për “Zërin” ka thënë se NATO-ja dhe SHBA-ja janë më meritoret për çlirimin dhe për shpëtimin e Kosovës nga kthetrat e Serbisë.

“NATO-ja në veçanti SHBA-ja dhe shtetet kryesore të NATO-s morën vendimin për ta çliruar dhe për ta shpëtuar Kosovën. Ky është një akt i veçantë në historinë e njerëzimit dhe për neve NATO-ja është gjithçka. Ata na rikthyen në jetë dhe në shtëpitë tona duke i larguar forcat shoviniste dhe terroriste të regjimeve të përhershme të Serbisë nga Kosova. Ata na ofruan mundësinë të jetojmë të lirë në Kosovë, të punojmë, por edhe të krijojmë një shtet të së drejtës dhe nëse e bëjmë këtë ne e kemi dhënë provimin”, ka shtuar ai.

Haliti tregon edhe për gëzimin që kishin përjetuar ish-ushtarët e UÇK-së me rastin e hyrjes së NATO-s në Kosovë.

“Unë besoj se gëzimi i ushtarëve është parë si në kamera, ashtu si gjithkund tjetër, sepse ata kanë qenë në pozita më të pafavorshme gjatë bombardimeve, sepse Serbia ka qenë shumë agresive në atë kohë dhe fuqia furnizuese e ushtrisë së UÇK-së ka qenë e zvogëluar për shkak të veprimeve të fuqishme ushtarake të Serbisë. Gëzimi ka qenë i çdo qytetari të Kosovës, duke përfshirë të gjithë që e panë më në fund se liria erdhi për ta”, ka rrëfyer tutje ai.

Kadrijaj kujton hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë

Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila në atë kohë ishte pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), me emocion flet për 12 qershorin e vitit 1999. Ajo këtë ditë e kujton si ditën kur u rikthye shpresa për shqiptarët e Kosovës.

“12 qershori ka qenë dita më e veçantë në historinë e Kosovës dhe i gjithë populli ishte i lumtur se më në fund u është dhënë goditja përfundimtare forcave serbe, të cilat kanë vrarë, kanë masakruar dhe kanë dhunuar popullin me dekada të tëra dhe më në fund ka lindur shpresa se ne jemi të lirë, fituam pavarësinë dhe ne do të jetojmë si popull i lirë e i barabartë me të gjithë popujt e tjerë të botës”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ndonëse pranon se Kosova e ka merituar të përparojë më shumë brenda dy dekadave, sipas saj, gjatë kësaj periudhe vendi ka arritur ta ketë ushtrinë e vet.

“Se a është Kosova pas 20 vjetëve ashtu siç është dashur të jetë, mendoj se nuk është. Por vitin e kaluar e kemi formuar e Ushtrinë e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Ndërsa lidhur me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kadrijaj ka thënë se ky mision duhet të vazhdojë edhe për disa vite, me qëllim që siguria në Kosovë të jetë e garantuar.

Qehaja: NATO-ja na çliroi

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja për “Zërin” ka thënë se 12 qershori mbetet ditë e veçantë për gjithë popullin e Kosovës si simbol i lirisë dhe i paqes për gjithë vendin. Pavarësisht vështirësive, Qehaja tha se NATO-ja ia doli ta çlirojë Kosovën nga kthetrat e shtetit serb.

“12 qershori duhet të festohet me një pompozitet të madh, sepse bëhen dy decenie prej momentit kur kanë filluar të tërhiqen forcat serbe ushtarake policore, përkatësisht bëhen dy decenie qëkur kapitulloi Serbia. Unë atëherë si ushtarak profesionist duke e ditur çfarë force ushtarake ka pasur Serbia, prej shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, e di se ishte mrekulli e madhe që ne të çlirohemi nga thundra serbe dhe të bëhemi shtet i pavarur sepse tendenca e gjeneratave të tëra ka qenë që njëherë e përgjithmonë të shkëputemi dhe të jemi të pavarur në vendin tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë përbën një nga misionet më të vështira të historisë së Aleancës Veriatlantike, sepse në rrezik ishin mijëra trupa të saj nga forcat serbe.

Ai po ashtu ka theksuar se roli i KFOR-it në Kosovë është i pazëvendësueshëm, prandaj ky mision duhet të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë.

“Kjo forcë është reduktuar në më pak se 5000 njerëz dhe gjithnjë forcat e KFOR-it në Kosovë kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e integritetit dhe të sovranitetit të Kosovës, por edhe për kryerjen e detyrave të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë në tërësi në Kosovë. Prandaj nuk është e çuditshme se vlerësimi i popullit të Kosovës për rolin e KFOR-it ka qenë shumë i lartë prej vitit 1999 e deri në ditët e sotme”, ka thënë ai.