Welcome Mr. President!
FOTO: Laura Hasani

Welcome Mr. President!

Aktuale June 12, 2019 - 07:56
Lexoni detajet
Image

Bill Clinton u rikthye në shtetin, qytetarët e të cilit i shpëtoi njëzet vjet më parë. Ai deklaroi dje në Prishtinë se ndihet krenar që ishte president i SHBA-së në kohën kur ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright po e vizitojnë vendin në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Kosova meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë ndërkombëtare si vend i lirë e i pavarur”, kështu ka deklaruar dje në Prishtinë ish-presidenti amerikan Bill Clinton pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Ky i fundit e dekoroi ish-presidentin amerikan me “Urdhrin e Lirisë” për merita të veçanta. Clinton me këtë rast është shprehur i lumtur që pasardhësi i tij presidenti George W. Bush e njohu pavarësinë e Kosovës.

“Isha i lumtur që pasardhësi im, presidenti George W.Bush njohu Kosovën, besoj vetëm një ditë pasi ju e shpallët pavarësinë”, tha Clinton.

Clinton ka shtuar se ndihej krenar që ishte president i SHBA-së në kohën ishte marrë vendimi për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

"Gjithmonë do të jem krenar me faktin se isha president i SHBA-së në kohën kur ju patët nevojë që dikush të ngrihet dhe ta thotë se nuk ka më spastrim etnik, nuk ka më përndjekje të njerëzve nga shtëpitë e tyre, jo më vrasje të civilëve të pafajshëm", tha Clinton.

Ai tha se jo vetëm SHBA-ja, por e gjithë bota duhet të jetë krenare me të arriturat në Kosovë, me demokracinë e saj dhe me shtetndërtimin. Ai inkurajoi lidershipin e Kosovës që tani ta ndërtojnë paqen brenda e jashtë kufijve të Kosovës për dëshmuar se është shtet demokratik.

Thaçi: Clinton, heroi i Kosovës

Në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Clintoni është heroi i Kosovës dhe ia shprehu mirënjohjen më të lartë atij për vendimin historik që kishte marrë në vitin 1999 për ndërhyrjen e NATO-s dhe për çlirimin e Kosovës, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

"Ju jeni heroi ynë dhe ju falënderoj shumë-shumë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe një herë. Prandaj, duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, por edhe si mik juaji sot do të ndaj çmimin në emër të institucioneve dhe të popullit të Kosovës ‘Urdhrin e Lirisë’. Nuk ka çmim që mund ta shpërblejë atë kontribut tuajin, sepse dekorimi më i madh është liria e Kosovës", tha Thaçi.

Ish-presidenti Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeline Albright po qëndrojnë në Kosovë për të marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që shënon edhe Ditën e Lirisë së Kosovës.

Kosova shënon të mërkurën 20-vjetorin e hyrjes ushtarake të NATO-s, përkatësisht të trupave shumëkombëshe të KFOR-it. Kjo ditë shënohet edhe si Dita e Lirisë ose e Çlirimit të Kosovës. Si datë e cilësuar historike, autoritetet në Prishtinë kanë ftuar të marrin pjesë në këtë jubile edhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ish-sekretaren e shtetit Madeline Albright dhe shumë personalitete të tjera që ndihmuan në çlirimin e Kosovës.

Haradinaj: Clinton jetësoi ëndrrën e shqiptarëve

Ish-presidentin amerikan në zyrën e tij e ka pritur dje edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, të cilin e ka falënderuar për ndihmën amerikane që Kosova ta fitojë luftën me Serbinë. Haradinaj ka thënë me këtë rast se falë vendosmërisë së presidentit Clinton u jetësua ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar të lirë dhe në demokraci, shkruan më tutje Gazeta "Zëri'. 

“Ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe te populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur, President Bill Clinton. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe për demokraci e ndërtuam shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ai thotë se hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ka qenë një kthesë historike, që rezultoi edhe me realizimin e ëndrrës për të pasur shqiptarët e Kosovës shtetin e tyre. “Falë kësaj kthese historike fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën. President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe për popullin tuaj!”, ka përfunduar Haradinaj.

Albright arrin në Kosovë

Përpos ish-presidentit Bill Clinton, të martën në Kosovë ka arritur edhe ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madelenie Albright. Ajo është pritur në aeroportin “Adem Jashari” nga ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Albright së bashku me ish-presidentin Bill Clinton do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s dhe të çlirimit të Kosovës. Me këtë rast Jahjaga ka thënë se është krenare që pas 20 vjet lirie të presë në Kosovë ish-sekretaren Albright.

“Vendosmëria dhe përkushtimi i sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë e shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar - lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen. Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga.

Kosova sot shënon 20-vjetorin e Çlirimit

Ndërkohë sot, më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit të Kosovës do të mbahet ceremonia shtetërore për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Nga ora 11:00 deri në orën 12:30 fillon tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në sheshin “Skënderbeu”. Kurse në orën 14:00 deri në orën 14:30 do të bëhet ecja e personaliteteve të larta ndërkombëtare dhe vendore nga hoteli “Swiss Diamond” deri te busti i sekretares Albright. Ndërsa në orën 15:00 deri në orën 15:15 do të zhvillohet vizita në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Aktiviteti i fundit do të fillojë prej orës 17:00 deri në orën 19:30, që do të jetë konferenca ndërkombëtare e sigurisë “20 vjet liri: Një vizion për paqe të qëndrueshme” në hotelin “Emerald”. /ZERI