Veteranët e rrejshëm rrezikojnë deri në 20 vjet burg

Veteranët e rrejshëm rrezikojnë deri në 20 vjet burg

Aktuale qershor 11, 2019 - 09:05
Lexoni detajet

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka paralajmëruar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do t’i hetojë veteranët e rrejshëm të UÇK-së. Por brenda Kuvendit, të cilin e drejton Veseli, ka deputetë me aktakuza të konfirmuara nga Prokuroria për “Mashtrim me listat e veteranëve”. Një aktakuzë të tillë e ka deputeti i AAK-së Shkumbin Demaliaj. Iniciativa e Veselit nuk përkrahet as nga partitë opozitare, përfaqësuesit e të cilave thonë se kjo çështje i takon Prokurorisë, me ç’rast politika nuk duhet të ndërhyjë në drejtësi, shkruan Gazeta "Zëri". 

Në anën tjetër edhe avokati Tomë Gashi është shprehur se nuk është e nevojshme të krijohet komision për rastin e veteranëve, pasi atë e heton Prokuroria.

Gashi thotë se veteranët “mashtrues” e kanë dëmtuar shumë buxhetin e shtetit dhe ata akuzohen për vepra penale për të cilat rrezikojnë burgim deri në 20 vjet dhe sanksione deri në gjysmë milioni euro.

Gashi shprehet se ndihma më e madhe që do t’i jepte Kuvendi i Kosovës këtij rasti është ndryshimi i Ligjit për Veteranët.

“Është iniciativë krejtësisht e panevojshme, pasi rasti është në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe janë duke u zhvilluar hetimet për këtë çështje. Kryeparlamentari Veseli, por dhe udhëheqësit tjerë të Kosovës me siguri që ndihmën më të madhe për Kosovën në këtë rast do ta bënin duke paraqitur iniciativa për ndryshime të duhura në Ligjin për Veteranët e UÇK-së. Secili prej aplikuesve do të duhej të filtrohej edhe një herë me përgjegjësinë më të madhe morale, penale dhe kombëtare”, ka thënë Gashi për "Zërin". /ZERI