Kërkohen masa të tjera kundër politikës së Serbisë
FOTO: Laura Hasani

Kërkohen masa të tjera kundër politikës së Serbisë

Aktuale May 27, 2019 - 07:54
Lexoni detajet
Image

Njohësit e çështjeve politike në vend po kërkojnë që Kosova t’i kundërpërgjigjet ofensivës së Serbisë me masa shtesë. Përveç taksës ata po kërkojnë që Kosova të përdorë edhe mjete të tjera diplomatike deri në ndaljen e sulmeve të Serbisë dhe arritjen e reciprocitetit të plotë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Serbia po vazhdon sulmet e saj ndaj shtetit të Kosovës. Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë ditës së djeshme ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për qasjen e tij kundër dialogut.

LEXO EDHE: Thaçi ringjall idenë për ndryshim të kufijve

Ai e ka fajësuar Haradinajn se përgjatë dy vjetëve të qeverisjes i ka shkatërruar të gjitha marrëveshjet Kosovë – Serbi. Madje Gjuriqi u shpreh se Serbia është e gatshme të arrijë marrëveshje me Kosovën nëse kjo u garanton serbëve në veri autonomi me standardet më të larta evropiane dhe botërore. Mirëpo një gjë e tillë është e papranueshme si për Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe për opozitën, shkruan tutje gazeta "Zëri".

Njohësit e çështjeve politike në vend theksojnë se Kosova duhet t’i ndalë këto sulme të Serbisë me mjete diplomatike dhe me masa tjera siç ka qenë edhe taksa.

Qeveria nuk lejon Republikë Serbe brenda Kosovës

Këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj, ka reaguar pas këtyre deklaratave duke thënë se Serbia nuk është e interesuar në dialog, por synon krijimin e një Republike Serbe brenda Kosovës.

“Tani pasi plani i ndarjes u shua, Serbia synon defunksionalizimin e Kosovës përmes Dodik Republikës. Me një fjalë, Serbia nuk kanë qenë asnjëherë e interesuar për marrëveshje e as për dialog”, ka shkruar Haradinaj.

Ajo theksoi se brenda Republikës së Kosovës kurrë nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive siç ka pretenduar gjithmonë Serbia.

“Tani le ta dijë Gjuriqi, Vladisavljeviqi dhe bota mirë e qartë se Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet, por asnjëherë s’do të lejojë realizimin e Dodik Republikës brenda kufijve të 17 Shkurtit. Në Kosovë asnjëherë nuk do të ketë asociacion ashtu siç ka pretenduar gjithmonë Serbia, duke defunksionalizuar investimin politik dydekadësh të popullit dhe të botës mbarë. Nuk do ta shohë asnjëherë Serbia ëndrrën për të hyrë në shtetin e Kosovës nga dera e pasme”, ka deklaruar këshilltarja e kryeministrit Haradinaj.

Kurteshi: Marrëveshjet nuk i shkatërroi Haradinaj, por Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për "Zërin" se Serbia është shkak për mosjetësimin e marrëveshjeve me Kosovën. Ai ka thënë se këto veprime të zyrtarëve serbë po bëhen për t'ia hedhur fajin e tyre Kosovës.

"Marrëveshjet Kosovë - Serbi, të cilat janë pothuajse të gjitha të dëmshme për Kosovën, Serbia edhe ashtu i ka shkatërruar sepse nuk e ka realizuar pothuajse asnjërën prej tyre, prandaj kjo është një përpjekje që fajin e saj t'ia hedhë Kosovës që në këtë rast është lidhur me emrin e Haradinajt, por besoj se tanimë të gjithë e dinë edhe jashtë Kosovës se fajtor për mosjetësimin e këtyre marrëveshjeve është vetë Serbia", ka thënë Kurteshi, për "Zërin".

Baraliu: Obstruksioneve të Serbisë t'u përgjigjemi me masa të tjera

Analisti politik Mazllum Baraliu, duke komentuar deklaratën e Marko Gjuriqit, u shpreh se deklaratat e tilla janë taktikë e qeverisë së Serbisë për ta destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin. Sipas tij, përveç taksës 100%, Kosova duhet t’i marrë edhe masat tjera të paralajmëruara deri në reciprocitetin e plotë me Serbinë.

"Është për keqardhje heshtja e institucioneve të Kosovës dhe e Qeverisë. Eksponentëve si Gjuriqi duhet t'u jepet përgjigjja e duhur, madje jo vetëm deklarativisht, por me veprime të caktuara. Përveç një mase që e ka humbur pothuajse kuptimin e saj tashmë, asnjë masë tjetër nuk është ndërmarrë. Do të duhej të ndërmerreshin masat tjera që janë paralajmëruar në mënyrë që të zbatohet parimi i reciprocitetit me Serbinë dhe në mënyrë që të ndalen zërat e tillë si Gjuriqi dhe të tjerët, të cilët jo vetëm e godasin Kosovën por edhe e destabilizojnë situatën në Ballkan", ka thënë Baraliu për “Zërin”.

Baraliu u shpreh se është e pamundur që brenda Kosovës të ketë autonomi të plotë të serbëve. Ai theksoi se Serbia nuk mund të vendosë çka bëhet në Kosovë, duke shtuar se këtyre veprimeve Kosova duhet t’u përgjigjet me mjete diplomatike.

"Kërkesa e tij është e papranueshme dhe Serbia nuk mund të vërë kushte se çka duhet të bëhet në Kosovë dhe si duhet të punojnë institucionet tona e aq më tepër përmes një eksponenti të tillë, siç është Marko Gjuriq. Natyrat e tilla dhe eksponentët e tillë do të duhej goditur me mjete diplomatike të fuqishme që t'u jepen leksione dhe të mësohen se nuk mund të luajë askush me interesat e qytetarëve të Kosovës", ka thënë ai.

Tahiri: Gjuriqi nuk duhet të merret seriozisht

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për gazetën se Serbia është ajo e cila i ka shkatërruar marrëveshjet Kosovë - Serbi dhe jo kryeministri Haradinaj, i cili qeveris qe dy vjet me vendin.

"Normalisht se ai nuk e thotë të vërtetën sepse delegacioni i Kosovës në Bruksel në krye me Avni Arifin ka kërkuar para se të vendosej taksa që të shqyrtohen se ku kanë ngecur marrëveshjet dhe të mos vazhdohet asnjë tjetër pa u shqyrtuar ato dhe Serbia nuk është pajtuar. Nuk ka vendim të kryeministrit Ramush Haradinaj për t’i hequr ose për t’i ndaluar ato marrëveshje, pengesat janë bërë prej Serbisë. Prandaj deklaratat e Gjuriqit nuk duhet të merren seriozisht", ka potencuar Tahiri.

Ai tutje theksoi se Kosova nuk mund të kushtëzohet me fillim të dialogut në këmbim të autonomisë së plotë të serbëve në veri e as me fillim të dialogut dhe bisedime për statusin e Kosovës.

"Kosova nuk është e gatshme të bisedojë me askënd për statusin e saj siç po deklarohet nga Gjuriqi e Vuçiqi, sepse askush nuk ka të drejtë, as me Kushtetutë dhe as me ligj, madje as në Bruksel që të bisedohet për statusin dhe për shtetësinë e saj", ka shtuar ai./ZERI