Shumë rezoluta të miratuara, por vetëm disa prej tyre respektohen

Shumë rezoluta të miratuara, por vetëm disa prej tyre respektohen

Aktuale May 25, 2019 - 18:22
Lexoni detajet

Kuvendi i Kosovës ka vazhduar me praktikën e miratimit të rezolutave, të cilat kryesisht vijnë si rezultat i nismave nga partitë politike opozitare, por nuk kanë munguar as nismat nga partitë në pushtet.

Që nga fillimi i legjislaturës aktuale, e gjashta me radhë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë 17 rezoluta, akte këto të cilat shprehin qëndrimin ose vullnetin politik të Kuvendit për çështje të caktuara.

Së fundit, deputetët kanë votuar dhe miratuar Rezolutën që dënon, siç thuhet, gjenocidin e kryer serb në Kosovë, atë mbi procesin e dialogut për normalizim e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe rezoluta të tjera. Pavarësisht numrit të madh të rezolutave të miratuara, vetë deputetët mendojnë se fuqia e këtyre vendimeve mbetet e zbehtë.

Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se deri tani është nuk vërejtur se ka zbatim të plotë të rezolutave, pasi që, sipas tij, institucionet nuk e marrin me përgjegjësi rëndësinë e tyre ashtu siç do të duhej.

“Rezolutat i votojnë deputetët për t’u implementuar, por nga institucionet e tjera nuk po zbatohen dhe kjo po tregon për një papërgjegjësi institucionale. Vetëm rezolutat që kanë pasur një pajtim të plotë dhe kanë marrë përkrahjen paraprake edhe të Qeverisë së Kosovës, kanë arritur të zbatohen. Përndryshe, të gjitha ato që kanë qenë me diskutime dhe kundërshtime nga palët, nuk kanë arritur që të zbatohen”, thotë Isufi.

Kurse, deputetja Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se të gjitha akte që nxirren nga Kuvendi, paraqesin obligim për Qeverinë e Kosovës. Haxhiu konsideron se rezolutat duhet të zbatohen, pasi, sipas saj, një gjë të tillë e thotë edhe Kushtetuta e Kosovë në nenin 92.

“Rezoluta është akt i Kuvendit dhe në këtë kuptim, kur deputetët vendosin për një rezolutë, atëherë Qeveria e ka obligim, nuk është dëshirore, por e ka obligim që t’i zbatojë në përpikëri rezolutat e nxjerra nga Kuvendi. Është e vërtetë që ka shumë rezoluta, të cilat fare nuk janë respektuar dhe këto [partitë në pushtet] nuk kanë vullnet për t’i respektuar se janë të papërgjegjshëm”, shprehet Haxhiu.

Ajo thotë se për faktin që partitë në pushtet nuk i zbatojnë rezolutat, opozita do të veprojë dhe do të kërkojë seanca të jashtëzakonshme për zbatimin e tyre.

“Kjo është detyrë e opozitës që të përdorë presione e forma të ndryshme për ta vënë rezolutën në zbatim nga ana e Qeverisë apo edhe institucioneve tjera. Një qeveri që nuk respekton vullnetin e deputetëve, pa dyshim që duhet të shkojë në shtëpi. Në këtë kuptim, në këto rrethana, besoj që është i rëndësishëm angazhimi opozitar për rrëzimin e saj”, thekson Haxhiu.

Monitoruesit e punës së Kuvendi të Kosovës thonë se çështja e prezantimit të rezolutave nga partitë politike u ka shërbyer deputetëve në Kuvend për prezantimin e qëndrimeve dhe fjalimeve “të zjarrta” politike, të cilat besohet se ishin më tepër për konsum të brendshëm politik. Në legjislaturën e kaluar Kuvendi pati miratuar 17 rezoluta.

Në Institutin Demokratik i Kosovës, thonë se rezolutat në Kuvendit kanë efekt politik dhe duhet të respektohen, pavarësisht që ligjërisht nuk janë të obligueshme.

Artan Murati nga ky institut, thotë se rezolutat në rrafshin juridik njihen edhe si ligje të buta, të cilat nuk kanë qëllim detyrues sikurse ligjet.

“Sa i takon zbatueshmërisë së tyre, në Republikën e Kosovës është krijuar trend për t’u shpërfillur rezolutat, e njëkohësisht edhe Kuvendi. Kjo sepse ne kemi parë gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës rastet kur kabineti qeveritar shumë rrallë është prezent. Madje, e kemi parë këtë qasje të njëjtë edhe në Komisionet Parlamentare, ku ministrat duhet të luten që të vijnë komision për raportim”, thotë Murati.

Ai thekson se shumë rezoluta të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, kanë mbetur në sirtarët e Kuvendit dhe nuk kanë pasur as më të voglin rezultat apo efekt për atë që janë miratuar. Ai thotë se edhe në vende të ndryshme demokratike rezolutat kanë të njëjtën rendësi, por që atje merren më me shumë seriozitet.

“Rezolutat vetëm po miratohen dhe po mbesin në sirtarë, të pazbatuara dhe në fund vetëm po u kontribuon negativisht edhe statistikave sa i takon nxjerrjes së rezolutave, trajtimit ose zbatimit të tyre në praktikë”, vlerëson Murati.

Sipas tij, rezolutat janë vendime të Kuvendit të Kosovës që shprehin qëndrimin apo vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ato janë qëndrime politike dhe duhet patjetër që të respektohen nga institucionet, së cilave u drejtohen.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, sipas KDI-së, po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit.