Opozita e koordinuar për rrëzimin e Qeverisë, nuk shpresojnë në votat e Listës Serbe

Opozita e koordinuar për rrëzimin e Qeverisë, nuk shpresojnë në votat e Listës Serbe

Aktuale maj 25, 2019 - 17:27
Lexoni detajet

Liderët e partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, javën që e lamë pas kanë biseduar rreth koordinimit të veprimeve për mundësinë e ngritjes së një mocioni mosbesimi për rrëzimin e qeverisë. Zyrtarë të LDK-së, si iniciuese e këtyre takimeve kanë konfirmuar se javën që vjen do të takohen edhe me Partinë Socialdemokrate. Analisti Behlul Beqaj konsideron se përafrimet e partive opozitare për një mocion eventual po tregojnë një pjekuri politike, krahasuar me rast

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur përkushtimin e saj për ngritjen e një mocioni mosbesimi, për të cilin edhe kanë nisur takimet edhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Një takim i tillë pritet të zhvillohet javën që vjen  ndërmjet kreut të LDK-së, Isa Mustafa, dhe atij të PSD-së, Shpend Ahmeti, bën të ditur për Radio Kosovën deputetja nga PSD, Shqipe Pantina. Sipas saj, ky subjekt politik ka disa muaj që ia ka dorëzuar LDK-së nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë. Megjithatë, sipas saj, PSD nuk pajtohet që kjo të ndodhë me votat e Listës Serbe.

”Të merremi vesh edhe për rrëzimin e  kësaj qeverie dhe se cila do të ishte forma e qeverisjes së ardhshme. Sepse, nuk është thjesht me rëndësi që të rrëzohet një qeveri. Ajo çka ka nevojë vendi është, mënyra e qeverisjes. Natyrisht se nuk besoj që qeveria duhet të rrëzohet me votat e Listës Serbe”, theksoi për RTK – Radio Kosova, Shqipe Pantina.

Takimet e subjekteve politike opozitare për analistin politik, Behlul Beqaj, tregojnë një pjekuri politike dhe presion pozitiv ndaj pushtetit që të përmirësojë qeverisjen.  Kjo meqë, sipas tij, viteve të kaluara partitë politike pakënaqësitë karshi qeverisë së vendit dhe zgjidhjet i kërkonin të ndara.

”Ndërkaq problemet i kemi të përbashkëta dhe do të ishte mirë që me këtë frymë të krijohet një si energji e cila i eliminon problemet pavarësisht se kjo apo ajo forcë është në pushtet apo në opozitë. Për faktin se krijohet një klime e re e cila ngritë kualitetin e zgjedhjeve dhe politikbërjes”, thotë Behlul Beqaj.

Ndërkaq, deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, në një postim në facebook ka ftuar LDK -në dhe LVV-në që të organizojnë protesta për rrëzimin e qeverisë.