Shatri: Taksa nuk hiqet

Shatri: Taksa nuk hiqet

Aktuale May 25, 2019 - 12:31
Lexo tjera detaje

Në korrik të këtij viti pritet të nisë praktikisht lufta tregtare Kosovë - Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar dje se kanë përgatitur masa të ashpra ndaj Kosovës për shkak të taksës 100 për qind të vendosur para 6 muajve, porse të njëjtat do të aplikohen pas takimit të liderëve të Ballkanit në Paris, i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti, shkruan gazeta "Zëri".

Këshilltari ekonomik i kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosova aktualisht nuk ka asnjë arsye që ta heqë taksën, për vendosjen e së cilës ai thotë se ka pasur mjaft arsye.

“Edhe pse janë bërë gjashtë muaj, shteti fqinj nuk është sjellë konform me situatën. Pra nuk kanë reflektuar, kështu që nuk kemi asnjë arsye për të lëvizur dhe për të marrë ndonjë vendim tjetër në lidhje me taksën. Taksa do të vazhdojë të mbetet për arsyet për të cilat edhe është vendosur”, ka thënë Shatri, shkruan gazeta "Zëri".

Nga Qeveria pohojnë se falë kësaj tarife Kosova ka pasur shumë përfitime, sidomos në rrafshin ekonomik. Shatri thotë se me vendosjen e saj kanë përfituar prodhuesit vendorë.

“Janë nxjerrë argumente që ekonomia e vendit, sidomos prodhuesit vendorë, kanë pasur një prosperitet në këta gjashtë muaj, kanë rritur shfrytëzimin e kapaciteteve, kanë rritur masën e prodhimit, kanë rritur numrin e të punësuarve dhe e kanë rritur edhe fitimin. Ndërsa edhe furnizimi me lëndë të parë që është bërë nga Serbia ka qenë i përkohshëm, sepse janë gjetur shumë shpejt alternativat”, ka potencuar Shatri./ZËRI