Zyberaj: Takimit të Parisit t’i qasemi në nivelin më të lartë diplomatik

Zyberaj: Takimit të Parisit t’i qasemi në nivelin më të lartë diplomatik

Aktuale May 25, 2019 - 12:17
Lexo tjera detaje

Më 1 korrik të këtij viti pala kosovare dhe ajo serbe pritet të ballafaqohen sërish pas Samitit të Berlinit, i cili u mbajt më 29 prill 2019, raporton zeri.info.

Me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron liderët shtetërorë të të dyja vendeve do të takohen në Paris, ku do të diskutojnë rreth procesit të dialogut.

Në këtë takim (nga Kosova) pos presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, pritet që në Paris të shkojnë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili njëherësh është ministër i Punëve të Jashtme, si dhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti

Nga Zyra e kryeministrit ditë më parë patën deklaruar për gazetën se shefi i ekzekutivit ka thënë që pjesë e delegacionit të jetë edhe ekipi negociator dhe pjesëmarrësit e tjerë politikë në vend.

Ndërkohë, gjersa ka konfirmuar se edhe ministri i jashtëm Behgjet Pacolli do të marrë pjesë në takimin e Parisit, Jetlir Zyberaj, këshilltar i shefit të diplomacisë, ka thënë për “Zërin” se ky rast nuk mund të lëshohet duke mos iu qasur në nivelin më të lartë diplomatik.

“Sikurse në takimin e Berlinit ashtu edhe në atë të Parisit do të marrë pjesë z.Pacolli në cilësinë e zëvendskryeminstrit të parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. Takimi në fjalë prek para së gjithash aspektin e politikës së jashtme dhe diplomacisë dhe duke qenë se bëhet fjalë për një proces delikat, ne nuk mund ta lëshojmë këtë rast duke mos iu qasur në nivelin më të lartë diplomatik”, ka deklaruar ai.

Thirrjet e lidershipit për pjesëmarrje të akterëve të tjerë në këtë takim sipas tij shkojnë në drejtim të sigurimit të një përfaqësimi unik, institucionalisht dhe politikisht gjithpërfshirës.

Rrjedhimisht, siç Zyberaj është shprehur, do të ishte mëkat që kësaj thirrje të mos i përgjigjeshin të gjithë ata që e ndjenjë veten pjesë të lidershipit politik dhe institucional të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

“Në anën tjetër, duhet të shihet së në çfarë formati të pjesëmarrjes së delegacioneve e kanë menduar këtë Samit organizuesit dhe nikoqiri, kjo sepse në varësi nga ky format dhe modalitetet tjera, ne duhet ta peshojmë pjesëmarrjen tonë. Duhet të sigurohemi që në kuptim të paraqitjes, përfaqësimit dhe roleve, të mos i lëmë asgjë mangu, por as të mos i shtojmë. Saktësia tregon seriozitetin tonë”, ka nënvizuar ai.

Megjithkëtë, Zyberaj ka thënë se koordinimi i krerëve institucionalë të Kosoës është një proces konstant i takimeve por edhe i komunikimit, i cili sipas tij duhet të konsumohet edhe në vazhdim.

“Kjo ka të bëjë me koordinimin politik, ndërinstitucional. Nuk është një proces teknik të cilit i vihet pika. Keni parasysh që ky është një proces dinamik, i cili varet edhe nga vizitat që pritet të kemi të delegacioneve perendimore, pra mënyra se si koneptohet nga akteret tjerë. Njëkohësisht zëvendëskryeministri Pacolli ka sugjeruar një Tour Diplomatik me qëllim që të zhvillohet një qëndrim dhe përfaqësim i avancuar dhe i përgatitur deri në detaje”, është shprehur ai.

Kosova sipas tij duhet të ketë qëndrime dhe pozicione të qarta, të cilat do t’i shfaqë në varësi nga zhvillimiet në Samitin e Parisit.

“Pritjet tona nuk mund t’ja komunikojmë Serbisë, sepse pikërisht ato pritje ajo synon t’i shfrytëzojë dhe t’i përdorë për narracionet e saj. Ne duhet të kemi qëndrime dhe pozicione të qarta, të cilat i shfaqim në varësi nga zhvillimet në këtë Samit”, ka potencuar Zyberaj.

Ndërkohë në fillim të këtij muaji krerët institucionalë qenë takuar mes vete për t’i bashkërenduar qëndrimet rreth dialogut, rrjedhimisht për t’u përgatitur për takimin e 1 korrikut. Pavarësisht kësaj dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, po vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, jo vazhdim të procesit të dialogut. /ZËRI