'Veseli nuk e ka vendin në politikë, por diku tjetër'

'Veseli nuk e ka vendin në politikë, por diku tjetër'

Aktuale May 25, 2019 - 11:10
Lexo tjera detaje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, në intervistën dhenë për "Zërin" ka thenë se kryeparlamentari Kadri Veseli, nuk e ka vendin në institucione publike.

Selmanaj po ashtu ka folur rreth skandalit të publikuar për fajde ku është lakuar edhe emri i Veselit, rast pas të cilit thotë se keqpërdorimin e parasë publike këta e kanë formë të funksionimit të tyre, shkruan 'Zëri.info'.

Zëri: Është bërë publik edhe një skandal për fajde, ku bëhet fjalë për 200 mijë euro dhe ku është lakuar edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli. A mendoni që duhet të japë dorëheqje Veseli?

Selmanaj: Unë mendoj që njerëz si zotëri Veseli nuk duhet të jenë fare në institucione publike pa e kuptuar njëherë rolin e tyre, çfarë ka bërë me një organizatë parapolitike që ka pasur në Kosovë. Ne jemi i vetmi vend në botë që dikush në CV-në e tij pa asnjë ditë të angazhimit dhe përvojës së punës në një sektor të caktuar vjen në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues në Kosovë.. Na thoshte një kohë që SHIK-u me thasë ka marrë informata nga Serbia për ato çfarë ka bërë Serbia dhe kush janë serbët. Le të na japë informata kush i vrau shqiptarët në Kosovë, kush i vrau veprimtarët e LDK-së. Nëse këta jo, le të na tregojnë kush, sepse për bindjen time kanë pasur informata të bollshme. Prandaj këto të fundit janë gjëra të vogla, nuk koriten këta me 200 ose 300 mijë euro. Këta milionin nuk ta bëjnë llaf sot. Keqpërdorimin e parasë publike këta e kanë formë të funksionimit të tyre. Krimin, korrupsionin e kriminalitetin këta e kanë mënyrë të ekzistencës së partisë politike. Zoti Veseli nuk është dashur të jetë kurrë në politikë, tjetërkund e ka vendin ai. Ai duhet të japë llogari për shumë gjëra të së kaluarës së tij, të veprimeve të tij ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve në Kosovë. Edhe dorëheqja sot normalisht se nuk ndodh, por cila është pesha e saj? A ka prokuror në Kosovë që guxon ta trajtojë atë? A ka gjykatës në Kosovë që guxon ta trajtojë atë? Absolutisht jo. Të gjithë janë nën rrjetin e oktapodit të tij dhe të zotit Thaçi. Shteti i Kosovës është krejtësisht i kapur nga Thaçi dhe Veseli, këta nuk i bëjnë hesap 200, 300 e 400 mijë euro. Këta flasin për shuma tjera.