Selmanaj: Do ta rrëzojmë Qeverinë
Foto: Laura Hasani

Selmanaj: Do ta rrëzojmë Qeverinë

Aktuale May 25, 2019 - 08:02
Lexo tjera detaje
Image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, është i bindur se partia e tij bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me partitë tjera parlamentare do ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend, shkruan gazeta "Zëri".

Selmanaj gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se kjo iniciativë e opozitës është shumë serioze, me ç’rast nuk ka përjashtuar mundësinë që për t’ia arritur qëllimit do të bashkëpunojnë me të gjithë deputetët, duke përfshirë edhe ata të PDK-së.

“Ajo që është e rëndësishme është që kjo qeveri do të marrë fund. LDK-ja fillimisht do t’i takojë partitë opozitare dhe më pas do të shohë se si të veprojë më tutje. Të gjitha mundësitë janë të hapura për të diskutuar edhe me deputetët individualisht, por edhe me partitë politike konkrete. Nuk është menduar nëse do të marrim ndonjë deputet te PDK-ja ose deputetë tjerë individualisht të ndonjë subjekti tjetër politik, por iniciativa jonë është serioze dhe kushdo që bashkohet ne do ta mirëpresim”, ka pohuar Selmanaj.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” njëri nga deputetët më të votuar të LDK-së ka folur edhe për skandalin prej 200 mijë eurosh të publikuar së fundi në medie, ku lakohet emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli në një videoincizim në aferën e fajdeve.

Selmanaj ka thënë se Veseli nuk e ka vendin në politikë, por diku tjetër. “Zoti Veseli nuk është dashur të jetë kurrë në politikë, tjetërkund e ka vendin ai. Ai duhet të japë llogari për shumë gjëra të së kaluarës së tij, të veprimeve të tij ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve në Kosovë”, ka potencuar Selmanaj në intervistën për “Zërin”.

Zëri: Së fundmi si opozitë bashkë me LVV-në keni paralajmëruar përgatitjet për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj”. Si do të arrini t’i siguroni votat kur aktualisht e dimë që e gjithë opozita bashkë nuk i ka numrat e nevojshëm për ta rrëzuar Qeverinë?

Selmanaj: Ka disa muaj, për të mos thënë edhe një vit, që kjo qeveri nuk e ka as shumicën për të udhëhequr me Kosovën, por ata nuk ndërmorën asnjë iniciativë që të kërkojnë votëbesimin për të parë nëse kanë legjitimitet për të vazhduar mandatin. Nga ana tjetër ne nuk ndërmorëm iniciativë sepse nuk ishim të bindur që i kishim numrat e mjaftueshëm për të pasur sukses mocioni. Ideja e LDK-së është që të mos bëjmë veprime sa për ta konsumuar si instrument, por në momentin që ne vendosim të marrim iniciativë, atëherë edhe ta arrijmë rezultatin e saj. Duke parë rrezikun që po i kanoset Kosovës nga kjo qeverisje abuzive, kemi vendosur që të marrim iniciativë për mocion mosbesimi. Pas takimeve me opozitën, besoj që do të shkohet në konsulta eventuale edhe me partitë tjera politike. Iniciativa është jashtëzakonisht serioze, pas konsultave që do të bëhen do të shkojmë më pas me mocionin brenda Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që mocioni të jetë i suksesshëm.

A do t’i pranojë LDK-ja votat e PDK-së për rrëzim të Qeverisë?

Zëri: A do t’i pranonte LDK-ja votat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë?

Selmanaj: Ajo që është e rëndësishme është që kjo qeveri do të marrë fund. LDK-ja fillimisht do t’i takojë partitë opozitare dhe më pas do të shohë se si të veprojë më tutje. Të gjitha mundësitë janë të hapura për të diskutuar edhe me deputetët individualisht, por edhe me partitë politike konkrete. Nuk është menduar nëse do të marrim ndonjë deputet te PDK-ja ose deputetë tjerë individualisht të ndonjë subjekti tjetër politik, por iniciativa jonë është serioze dhe kushdo që i bashkohet ne do ta mirëpresim. Ne jemi të bindur që Qeveri më të keqe në kontekstin e keqqeverisjes nuk ka pasur në Kosovë që nga paslufta, prandaj kushdo që na bashkohet do të jetë vlerë e shtuar për t’i dhënë shpresë këtij vendi, të cilit mund t’i ofrohet një Qeveri tjetër e cila në radhë të parë do të dinte se si t’u qasej problemeve që ka.

Koalicioni LDK - LVV po mirëpritet nga qytetarët

Zëri: Në rast të mocionit të suksesshëm dhe të zgjedhjeve të parakohshme, a ka gjasa për koalicion mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje?

Selmanaj: Këto çështje janë tema që do të diskutohen mes dy subjekteve politike për t’i parë modalitetet se si mund të ecim më tutje. Ne me Vetëvendosjen kemi funksionuar mirë në opozitë, kemi bashkërenduar aktivitete të shumta, kemi gjetur gjuhë të përbashkët në tematika kruciale për vendin dhe normalisht një bashkëpunim i mëtutjeshëm do të ishte besoj i mirëseardhur edhe për njerëzit në Kosovë. Duke parë disponimin nga jashtë shihet që njerëzit në Kosovë kërkojnë ndryshime rrënjësore në të gjitha aspektet dhe vetëm një koalicion i shëndoshë mund ta shpëtojë Kosovën. Se a mund të jetë njëri nga ta koalicioni LDK – LVV, duket sikur njerëzit në Kosovë janë duke e përqafuar këtë ide më së shumti. Por kjo gjithmonë mbetet në suaza të vendimmarrjes së strukturave politike të partive politike.

LDK-ja s’e jep pozitën e kryeministrit

Zëri: Nëse potencialisht do të ketë koalicioneve parazgjedhore, a do të lëshojë LDK-ja pe për pozitën e kryeministrit?

Selmanaj: Nuk ka asnjë kuptim që kjo të ndodhë. Në Kosovë duhet të vendoset praktika që partia e parë gjithmonë ta marrë kryeministrin. Ne po shohim sot që e kemi kryeministrin nga partia e katërt ose e pestë dhe po shihet fuqia e këtij kryeministri. Ai ka fuqi mbi dy ministrat e tij, askush tjetër nuk e dëgjon,. Pesha e tij te ministrat tjerë as që vërehet, prandaj ne jemi të interesuar që të kemi një kryeministër legjitim, kompetent për të marrë vendime dhe për të qeverisur me vendin dhe jo një kryeministër spektator i cili nuk pyetet për asgjë. Ne duke e parë këtë situatë po themi se do të duhej të ishte rregull që në Kosovë kushdo që bën koalicione partia e parë ta marrë kryeministrin. Në këtë drejtim LDK-ja nuk ka asnjë kuptim që të heqë dorë nga kjo pozitë, sepse në të gjitha sondazhet që po bëhen, qofshin vendore ose ndërkombëtare, LDK-ja po del të jetë e para. LDK-ja është parti dukshëm e para nga të tjerat dhe këtë disponim të popullit nuk guxojmë ta zhgënjejmë. Nuk mund t’ia dhurojmë dikujt tjetër pozitën e kryeministrit.

Zëri: Ka kohë që LDK-ja e ka nisur procesin e brendshëm zgjedhor dhe është raportuar për disa përleshje brenda strukturave të LDK-së. Si i komentoni ju këto dhe a ka rrezik për përçarje brenda partisë?

Selmanaj: Ne kishim vetëm një incident ose një sjellje të pahijshme të disa personave në Mitrovicë. Unë nuk e besoj që një incident i tillë mund të ketë përmasa të shqetësimit, është rast krejtësisht i izoluar, në një ose dy nëndegë të LDK-së, kur në Kosovë ka me mijëra. Por të mos harrojmë, ka pasur edhe shumë raste më të rënda sesa ky incident i LDK-së te partitë tjera, por nuk bëhen lajme ato. Për LDK-në standardi dhe kërkesa e njerëzve është më e madhe dhe ndoshta është mirë që është më e madhe, megjithatë e shoh si rast të izoluar dhe assesi me pasoja për dikur që LDK-ja të mundë të ndahet ose diçka tjetër. LDK-ja është jashtëzakonisht unike, po organizon një proces zgjedhor shumë të suksesshëm deri tani dhe mendojmë që zgjedhjet në LDK do të jenë shembull edhe për partitë tjera se si organizohet një parti politike dhe si e zgjedh të parin e saj.

Zëri: Kur do të bëhen të ditur emrat e kandidatëve të LDK-së për kryetar të partisë dhe kush sipas jush do të duhej të udhëhiqte me këtë pozitë?

Selmanaj: Në aspektin formal zyrtarizimi i kandidaturave bëhet tek pas konstituimit të Kuvendit zgjedhor, që i bie pa përfunduar të gjitha zgjedhjet në të gjitha degët e LDK-së ai proces nuk mund të ndodhë. E rëndësishme është që LDK-ja ka aq shumë kuadro, të cilët mund të jenë të parët e partisë, saqë kam përshtypjen që kemi kuadro edhe për të gjitha partitë tjera. Këdo që delegatët e Kuvendit zgjedhor e zgjedhin, mendoj që nuk do të gabojnë, ajo do të ishte zgjedhje për LDK-në fillimisht dhe më pas edhe për Kosovën, duke e ditur që LDK-ja është shumë e rëndësishme për Kosovën. Duke i ditur kapacitet që LDK-ja i ka, kam përshtypjen që kemi shumë njerëz të mirë, të zotë e që janë të gatshëm të dalin në ballë të LDK-së për të udhëhequr në vitet e ardhshme të kësaj partie.

Zëri: Ka gati 6 muaj që ka stagnuar dialogu me Serbinë, sa jeni optimist që gjatë këtij viti mund të ketë një marrëveshje finale Kosovë - Serbi?

Selmanaj: Nuk jam optimist, dialogun e kanë futur në qorrsokak ata të cilët e kanë nisur, kanë menduar që projektet fatkeqe për Kosovën mund të materializohen lehtë dhe mendoj që ka pasur projekte që lirisht mund t’i cilësojmë si antikombëtare. Idetë për prekjen e kufijve të Kosovës kanë nisur me dekada në Beograd, për fatin e keq së fundmi e gjetën një shërbëtor të tyre në Kosovë dhe për fat të keq doli të jetë ai presidenti i vendit. Kancelarja Merkel dhe presidenti Macron morën një iniciativë për ta zhbllokuar në njëfarë forme këtë proces, iniciativë që do të vazhdohet edhe në Paris, mund të ketë lëvizje, e them në kontekst të shtensionimit të raporteve, por një marrëveshje përfundimtare duket se nuk është afër, për shkak të shumë çështjeve të cilat janë diskutuar dhe kanë marrë trajtën e gabuar nga dialogu Thaçi - Vuçiq.

Zëri: Janë bërë 6 muaj prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. A mendoni që taksa e ka arritur efektin e saj?

Selmanaj: Mund të themi që taksa ka pasur peshën e saj. Normalisht për neve ka qenë pak e diskutueshme mënyra sesi është vendosur ajo, do të thotë pa analiza konkrete dhe pa dakordime. Mirëpo, a meriton Serbia pasoja të tilla? Sigurisht, prej Kosovës meriton edhe shumë më shumë, sepse ne kemi treguar lojalitet ndaj tendencës për të normalizuar raportet, ndërkohë përpjekja e tyre ishte akoma edhe më shoviniste. Serbia vetëm ka ndërruar formë në raport me Kosovën. Lufta speciale ndaj Kosovës, pengesat e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, tendenca për çnjohje nga shtetet afrikane përmes lobimit të Serbisë, lojëra të tilla me INTERPOL-in, të gjitha këto e kanë bërë pothuajse të pamundur raportin mes këtyre dy shteteve dhe ka merituar masa të tilla. Unë mendoj që meriton masa edhe më shumë, deri të arrihet një reciprocitet i plotë me Serbinë. Në kuptimin pak më të gjerë, masat të cilat i ka ndërmarrë Qeveria mund të vlerësohen si masa të cilat kanë pasur efekt dhe besoj që duhet rimenduar nëse me të vërtetë duhet shtuar edhe masa të tjera deri në ndërrimin e qasjes nga ana e Serbisë.

Zëri: Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka marrë iniciativën për krijimin e një tribunali ndërkombëtar, i cili i dënon krimet serbe. Si e shihni këtë dhe sa mendoni që mund të realizohet një gjë e tillë?

Selmanaj: Krejt kjo iniciativë është një lojë politike për protagonizëm. Zoti Veseli ka mbetur nën hije të shumë proceseve. Ai ka problem edhe për t’u imponuar si kryetar i plotë i PDK-së, sepse ka problem me personalitetin e tij dhe me rolin e tij brenda PDK-së, për shkak të hijes së presidentit Thaçi që akoma vazhdon ta ndjekë atë parti. Në bazë të OKB-së, ne jemi akoma në administrimin e tyre dhe meqenëse ne nuk jemi anëtarë të OKB-së nuk mund të themelojmë tribunal ndërkombëtar. Krejt çka mund të bëjmë është që ne t’i fuqizojmë strukturat tona shtetërore të gjyqësisë dhe të Prokurorisë. Të ndërrojmë ligjet eventuale për të gjykuar njerëzit në mungesë, në mënyrë që t’i vëmë para drejtësisë të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe ato krime që kanë pasur karakterin e gjenocidit. Mirëpo kjo kulmoi me një skandal të llojit të vet, me atë fotografinë e zonjës Flora Brovina, që kam përshtypjen se ajo është shfrytëzuar si një instrument nga ana e zotëri Veselit. Nëse marrim fotografitë false dhe i vendosim në vend të krimeve të cilat në fakt kanë ndodhur në Kosovë, atëherë devalvojmë vetë ekzistencën e atij krimi.

Veseli nuk e ka vendin në politikë, por diku tjetër

Zëri: Është bërë publik edhe një skandal për fajde, ku bëhet fjalë për 200 mijë euro dhe ku është lakuar edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli. A mendoni që duhet të japë dorëheqje Veseli?

Selmanaj: Unë mendoj që njerëz si zotëri Veseli nuk duhet të jenë fare në institucione publike pa e kuptuar njëherë rolin e tyre, çfarë ka bërë me një organizatë parapolitike që ka pasur në Kosovë. Ne jemi i vetmi vend në botë që dikush në CV-në e tij pa asnjë ditë të angazhimit dhe përvojës së punës në një sektor të caktuar vjen në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues në Kosovë.. Na thoshte një kohë që SHIK-u me thasë ka marrë informata nga Serbia për ato çfarë ka bërë Serbia dhe kush janë serbët. Le të na japë informata kush i vrau shqiptarët në Kosovë, kush i vrau veprimtarët e LDK-së. Nëse këta jo, le të na tregojnë kush, sepse për bindjen time kanë pasur informata të bollshme. Prandaj këto të fundit janë gjëra të vogla, nuk koriten këta me 200 ose 300 mijë euro. Këta milionin nuk ta bëjnë llaf sot. Keqpërdorimin e parasë publike këta e kanë formë të funksionimit të tyre. Krimin, korrupsionin e kriminalitetin këta e kanë mënyrë të ekzistencës së partisë politike. Zoti Veseli nuk është dashur të jetë kurrë në politikë, tjetërkund e ka vendin ai. Ai duhet të japë llogari për shumë gjëra të së kaluarës së tij, të veprimeve të tij ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve në Kosovë. Edhe dorëheqja sot normalisht se nuk ndodh, por cila është pesha e saj? A ka prokuror në Kosovë që guxon ta trajtojë atë? A ka gjykatës në Kosovë që guxon ta trajtojë atë? Absolutisht jo. Të gjithë janë nën rrjetin e oktapodit të tij dhe të zotit Thaçi. Shteti i Kosovës është krejtësisht i kapur nga Thaçi dhe Veseli, këta nuk i bëjnë hesap 200, 300 e 400 mijë euro. Këta flasin për shuma tjera.

Zëri: Keni qenë nënkryetar i Komisionit Hetimor për dëbimin e 6 shtetasve turq. A e keni përpiluar raportin përfundimtar, cilat janë rezultatet dhe a e ka penguar mosintervistimi i presidentit Thaçi zbardhjen e këtij rasti?

Selmanaj: Ne e kemi përfunduar punën, e kemi draftuar raportin, e kemi miratuar raportin në Komision, tani do të jetë në seancë plenare. Raporti është jashtëzakonisht i mirë, shumë përmbajtjesor, ka diku 31 shkelje të evidentuara. Tani i ngelet Prokurorisë që të bëjë punën e saj dhe njerëz të tillë jo të mos jenë në institucione, por të jenë duke vuajtur dënimin të cilin e meritojnë. Që nga fillimi kur e kemi themeluar këtë komision nuk është që kemi pritur shumë që presidenti i vendit mund të vijë aty dhe ta tregojë të vërtetën. Por ai erdhi ndryshe. Nuk erdhi as për të gënjyer, ai erdhi për t’u tallur me Kuvendin dhe me popullin e Kosovës. Sjelljet e tij, gjuha e tij prej një rrugaçi tregoi për nivelin shqetësues të vetë gjendjes së tij emocionale, të cilën ai sot po e përjeton. Për ne nuk ka qenë pengesë që të vijmë në përfundime të sakta. Ajo çka të gjithë ne e kemi ditur është që prapa krejt këtij procesi është presidenti Thaçi. Falënderimet publike që presidenti Erdogan i bënte për të tregonin se kush është përgjegjësi. Mënyra sesi shefi i AKI-së ka përfunduar në Zyrën e presidentit, ndërkohë që ish-shefi i Policisë ka shkuar shef i AKI-së tregon saktë se ku është adresa e vendimmarrjes. Të dhënat janë shqetësuese. Policia dhe AKI-ja janë në gjendje të transformojnë edhe mandatin e tyre, të shkelin Kushtetutën dhe ligjet për shkak të një urdhri abuzues që mund të vijë nga dikush.