Gati lufta tregtare Kosovë - Serbi
Foto: Laura Hasani

Gati lufta tregtare Kosovë - Serbi

Aktuale May 25, 2019 - 07:45
Lexo tjera detaje
Image

Në korrik të këtij viti pritet të nisë praktikisht lufta tregtare Kosovë - Serbi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar dje se kanë përgatitur masa të ashpra ndaj Kosovës për shkak të taksës 100 për qind të vendosur para 6 muajve, porse të njëjtat do të aplikohen pas takimit të liderëve të Ballkanit në Paris, i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti, shkruan gazeta "Zëri".

Gjashtë muaj pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka njoftuar dje se kanë përgatitur masa të ashpra ndaj Kosovës, porse të njëjtat, siç ka thënë ai, do të aplikohen pas takimit të Parisit, i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

Megjithatë, Vuçiq nuk ka dhënë detaje se për çfarë masash bëhet fjalë. “Kemi përgatitur masa të fuqishme dhe të ashpra kundër Kosovës, por do të shikojmë që me to të mos i rrezikojmë njerëzit tanë në Kosovë. Me serbët e Kosovës do të takohemi sërish pas takimit në Paris”, ka deklaruar presidenti serb Vuçiq.

Siç ka deklaruar ai, në Paris nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për Kosovën dhe për statusin e saj, nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh pa heqjen e taksave. “Hiqni taksat, do të bisedojmë për çka të doni. Nëse nuk i hiqni do të bisedojmë për kohën e bukur dhe të keqe. Për dialogun nuk ka bisedime derisa të filloni të respektoni normat e të drejtave ndërkombëtare dhe kjo do të jetë porosia ime për kancelaren gjermane dhe për presidentin francez”, ka deklaruar Vuçiq pas takimit që ka zhvilluar dje me liderët e serbëve të Kosovës.
Përndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës disa herë kanë deklaruar se vendi nuk do ta heqë taksën prej 100 për qind, pavarësisht kundërpërgjigjeve që mund të vijnë nga Serbia.

Haradinaj dhe Thaçi, pro dhe kundër taksës

Më 21 nëntor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe si kundërpërgjigje ndaj fushatës së egër diplomatike që ka zhvilluar Serbia ndaj vendit.
Pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar kryeministri Ramush Haradinaj ka refuzuar ta heqë taksën deri më tani, duke përsëritur disa herë qëndrimin e tij se taksa hiqet vetëm atëherë kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, për shkak të taksës janë bllokuar bisedimet në Bruksel, pasi që Serbia refuzon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr e njëjta.

Heqjen e taksës disa herë e ka kërkuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse së fundi në deklarimet publike ka ndryshuar fjalët, duke thënë se nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

Taksa 100 për qind i ka shkaktuar dëme të mëdha deri më tani ekonomisë së Serbisë, e cila gjatë një viti ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 500 milionë eurosh. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, importi i mallrave nga Serbia dhe Bosnja ka rënë për rreth 99 për qind. “Ndikimi kyç i taksës ka qenë ulja e importit të mallrave serbe dhe të atyre nga Bosnjë e Hercegovina me 98,9% në krahasim me periudhën paraprake”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për “Zërin”.

Shatri: Taksa nuk hiqet

Këshilltari ekonomik i kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosova aktualisht nuk ka asnjë arsye që ta heqë taksën, për vendosjen e së cilës ai thotë se ka pasur mjaft arsye. “Edhe pse janë bërë gjashtë muaj, shteti fqinj nuk është sjellë konform me situatën. Pra nuk kanë reflektuar, kështu që nuk kemi asnjë arsye për të lëvizur dhe për të marrë ndonjë vendim tjetër në lidhje me taksën. Taksa do të vazhdojë të mbetet për arsyet për të cilat edhe është vendosur”, ka thënë Shatri.

Nga Qeveria pohojnë se falë kësaj tarife Kosova ka pasur shumë përfitime, sidomos në rrafshin ekonomik. Shatri thotë se me vendosjen e saj kanë përfituar prodhuesit vendorë.

“Janë nxjerrë argumente që ekonomia e vendit, sidomos prodhuesit vendorë, kanë pasur një prosperitet në këta gjashtë muaj, kanë rritur shfrytëzimin e kapaciteteve, kanë rritur masën e prodhimit, kanë rritur numrin e të punësuarve dhe e kanë rritur edhe fitimin. Ndërsa edhe furnizimi me lëndë të parë që është bërë nga Serbia ka qenë i përkohshëm, sepse janë gjetur shumë shpejt alternativat”, ka potencuar Shatri.

Opozita: Taksa i ka arritur qëllimet, por nuk duhet të hiqet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se vendosja e tarifës 100% ndaj produkteve serbe ka qenë vendim i një shteti të pavarur dhe sovran, siç është Kosova. Ndonëse Rugova thotë se Qeveria nuk është konsultuar me opozitën për vendosjen e kësaj takse dhe siç thotë ai nuk janë menduar ndikimet që ajo mund t’i ketë në ekonomi dhe në politikë, ai thekson se Kosova nuk duhet ta heqë taksën deri në arritjen e plotë të reciprocitetit me Serbinë. “Konsideroj që taksa i ka arritur ndikimet e veta edhe pse i jemi nënshtruar presionit të madh ndërkombëtar për largimin ose pezullimin e saj. Mirëpo unë mendoj që tash pasi kanë kaluar gjithë këta muaj Qeveria e Kosovës duhet të qëndrojë konsistente dhe të mos e suspendojë taksën pa e arritur parimin e reciprocitetit dhe të barazisë me Serbinë”, ka thënë Rugova.

Ramadani: Serbia e ka përdorur taksën për ta destabilizuar veriun

Analisti politik Shkodran Ramadani ka përmendur disa nga kundërefektet që ka krijuar tarifa tregtare kundër shtetit të Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës. Duke folur për “Zërin”, Ramadani ka theksuar se kjo tarifë ka ndihmuar në zvogëlimin e ndikimit të institucioneve të Kosovës në pjesën veriore të saj. “Taksa disi i ka bashkuar pjesëmarrësit politikë në një pozicion, por ka krijuar edhe disa kundërefekte. Ajo e ka dobësuar prezencën e Kosovës në veri, i ka zbehur marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e ka bllokuar dialogun Kosovë - Serbi. Jorastësisht SHBA-ja, Gjermania, por edhe Franca po e kërkojnë heqjen e saj, pra ka një konsensus në bashkësinë ndërkombëtare për këtë gjë. Rezistenca për ta mbajtur taksën nuk i kontribuon përmirësimit të marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, është shprehur për “Zërin” se nga taksa 100% ka pasur efekte pozitive dhe me të janë favorizuar prodhuesit vendorë. “Si rezultat i jetësimit gjashtëmujor të taksës kemi efekte të mëdha pozitive që u kanë ndodhur prodhuesve vendorë dhe po ashtu është ngritur vetëdija qytetare, duke larguar nga shportat e konsumit dhe të veshmbathjes produktet serbe. Të gjitha shoqatat që i mbrojnë bizneset e kanë përshëndetur këtë tarifë si rezultat të rritjes së pjesëmarrjes në treg, që ka reflektuar në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe në punësim”, ka theksuar ai.

Sipas Kadrijajt, përveç efekteve ekonomike, taksa ka pasur edhe efekte politike, të cilat sipas tij e kanë shpërfaqur Kosovën si shtet që mund të marrë vendime të mëdha. Meqë Kosova aktualisht është në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, Kadrijaj thotë se Kosova duhet ta shfrytëzojë taksën në këto negociata. “Vendosja e taksës 100% nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë dhe të parimeve të BE-së, por kjo ka ardhur si rezultat i atakimit politik dhe ekonomik nga ana e Serbisë në raport me Kosovën, duke penguar në çdo nismë të saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Dhe pasi jemi në fazën e bisedimeve përfundimtare me Serbinë Kosova duhet ta përdorë taksën si levë politike në këto bisedime”, ka shtuar ai./ZËRI