Haradinaj reagon pas deklaratave të Vuçiqit

Haradinaj reagon pas deklaratave të Vuçiqit

Aktuale May 24, 2019 - 15:27
Lexoni detajet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklarimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me “masat e ashpra” të cilat i ka paralajmëruar sot i pari i shtetit serb.

Haradinaj, përmes një statusi në Facebook, i ka sugjeruar Vuçiqit që të reflektojë.

“Reflekto Z. Vuçiç! Është koha që të prezantosh vlera europiane dhe jo qëndrime të cilat i ke prezantuar në të kaluarën, qëndrime këto që kanë shkaktuar tragjedi dhe dhimbje. Shteti i Kosovës është edhe shteti i serbëve të Kosovës, një shoqëri që ne e ndajmë së bashku”, ka thënë Haradinaj.

“Neve na duhet shpresë dhe Kosova është gati për marrëveshje me të cilën pranohet realiteti i dy shteteve, në kufijt ekzistues dhe respekt reciprok”, shkroi kryeministri i Kosovës në Facebook të premtën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë sot se shteti i tij ka përgatitur masa të ashpra kundër Kosovës.

“Kemi përgatitur masa të ashpra kundër Prishtinës, e cila ka vendosur taksën nëntë muaj më herët”, tha Vuçiq në Beograd. “Këto masa do të zbatohen pas takimit të Parisit që do të mbahet në korrik”.

Ai ka shtuar se janë në dijeni se forcat speciale të policisë së Kosovës, ROSU, janë në gjendje gatishmërie dhe ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të pengojnë ‘qëllimin për arrestimin e serbëve’.