15 muaj zero njohje, Ministria e Jashtme mburret me ndaljen e çnjohjeve

15 muaj zero njohje, Ministria e Jashtme mburret me ndaljen e çnjohjeve

Aktuale May 23, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje
Image

Ka më shumë se një vit që Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të re. Që prej njohjes së shtetit të Barbadosit, në shkurt të vitit të kaluar, nga Ministria e Punëve të Jashtme janë premtuar disa herë njohje të reja të cilat shumë herë janë demantuar, madje disa herë është raportuar edhe për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Së fundmi ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se pritet që shteti i Kongos ta njohë pavarësinë e Kosovës, gjë e cila u kundërshtua. Nëpërmjet një letre për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Republika Demokratike e Kongos pati theksuar se nuk e njeh Kosovën si shtet. Ndonëse diplomacia e egër e Serbisë konsiderohet të jetë një ndër shkaqet e mungesës së njohjeve, deputetë dhe njohës të çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se shkaku kryesor qëndron te mospuna e diplomacisë kosovare. Por ndryshe nga ta në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se kanë punuar intensivisht për ta rritur numrin e njohjeve.

Vuniqi: E shpërbëmë fushatën e Serbisë për çnjohjet

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, duke folur për “Zërin” është shprehur se Kosova vazhdimisht po kërkon njohje të reja dhe njëkohësisht e ka shpërbërë me sukses fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. “Kosova ka punuar intensivisht në disa fronte diplomatike: Së pari për të rritur numrin e njohjeve, së dyti për t’i forcuar marrëdhëniet e Kosovës me vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, së treti për të penguar diplomacinë serbe që të dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe së fundmi lobimi për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare si një objektiv kyç strategjik i politikës së jashtme”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo Vuniqi theksoi se ministri Pacolli është duke punuar me disa vende në mënyrë që të arrihen njohje dhe zgjerim marrëdhëniesh me to. “Zëvendëspresidenti i Kenias vizitoi Kosovën së fundmi, një vend me të cilin po punohet ngushtë për të siguruar njohjen e Kosovës. Kenia është një vend shumë i rëndësishëm në kontinentin e Afrikës, gjithashtu edhe kryetari i Parlamentit të Etiopisë vizitoi Kosovën për t’i diskutuar marrëdhëniet midis vendeve tona dhe njohjen e Kosovës”, ka potencuar ajo.

Ajo tutje njoftoi se në javët dhe në muajt e ardhshëm disa presidentë e ministra të Jashtëm do ta vizitojnë Kosovën për të forcuar bashkëpunimin dypalësh, duke shtuar se lobimi për njohjen e Kosovës është interes kombëtar dhe si i tillë kërkon angazhimin e të gjitha institucioneve.

Kurteshi: Pas dështimeve të MPJ-së, Pacolli të japë dorëheqje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka thënë për "Zërin" se mungesa e njohjeve të reja është dështim i diplomacisë kosovare dhe pas këtyre dështimeve ministri Pacolli është dashur të dorëhiqej nga posti. "Në vazhdën e shumë dështimeve kemi dështuar edhe në fushën e marrëdhënieve me jashtë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në çdo vend normal do të duhej që ministri të dorëhiqej për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme dhe jo vetëm për shkak të mungesës së njohjeve, por për shkak të tërheqjes së njohjeve, për shkak të dështimit të anëtarësimit në institucione ndërkombëtare siç është INTERPOL-i, UNESCO-ja e të tjera", ka theksuar ai.

Kurteshi shprehet se një ndër arsyet pse Kosova ka dështuar në këtë aspekt është përfaqësimi i Kosovës nga persona partiakë dhe joprofesionalë. "Në përfaqësimin e Kosovës kanë shkuar shumë njerëz sipas përkatësisë partiake dhe jo njerëz të përgatitur që ta kryejnë atë punë me profesionalizëm, prandaj kemi kaq shumë skandale në diplomacinë tonë", ka shtuar ai.

Rashiti: Është zbehur roli i aleatëve të Kosovës në botë

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Naim Rashiti është shprehur për “Zërin” se janë disa probleme që i pamundësojnë njohjet e reja për Kosovën, ndër to ai përmendi edhe diplomacinë kosovare e cila nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie të Kosovës.

“Politika e jashtme vazhdon të mos jetë prioritet nacional i çdo qeverie konstituive të Kosovës dhe kjo është bërë pengesë e vazhdueshme, sepse politika e jashtme është një proces shumë i ndërlikuar e afatgjatë dhe kërkon shumë investime dhe dedikim. Problemi tjetër që ka ndikuar te njohjet është ngecja e procesit të dialogut Kosovë - Serbi. Sepse kur ka filluar dialogu dhe është arritur marrëveshja e parë është menduar se do të zgjidhej çështja e njohjeve Kosovë - Serbi, e cila pastaj do të ndikonte në këtë proces dhe gjithashtu në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Rashiti.

Sipas tij, një ndër problemet më serioze që kanë çuar në mungesë të njohjeve është zbehja e rolit të shteteve aleate të Kosovës, të cilat e kanë njohur pavarësinë e saj. “Problemi më serioz ka të bëjë me ndryshimin e kontekstit ndërkombëtar, ku miqtë perëndimorë të Kosovës në këtë rast, në një formë e kanë dobësuar rolin e tyre në botë dhe një kontekst ndërkombëtar ku Kosova ka mbi 100 njohje, akterë tjerë që janë kundër pavarësisë së Kosovës kanë rritur influencën dhe kjo është treguar më së miri me procesin e anëtarësimit në INTERPOL vitin e kaluar”, ka theksuar ai./ZËRI