Strategjia sekrete për rrëzimin e Qeverisë
Foto: Laura Hasani

Strategjia sekrete për rrëzimin e Qeverisë

Aktuale May 23, 2019 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare kanë filluar t’i koordinojnë veprimet për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, mirëpo nuk po e zbulojnë strategjinë se si do t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme në Kuvend, shkruan gazeta "zëri".

Krerët e dy partive më të mëdha opozitare, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe i pari i LVV-së Albin Kurti, kanë zhvilluar një takim gjatë ditës së djeshme, me qëllim të koordinimit të veprimeve për rrëzimin e qeverisë aktuale. Pas këtij takimi ata kanë bërë të ditur se kanë diskutuar për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Megjithëkëtë, asnjëri nga ta nuk ka treguar se cila do të jetë strategjia e cila do të përdoret për të ardhur deri te sigurimi i votave, pasi opozita aktualisht nuk i ka numrat e nevojshëm për t’i dhënë fund Qeverisë dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Lideri i LDK-së, Isa Musatafa, ka njoftuar tashmë se shumë shpejt do të takohet edhe me kryetarin e PSD-së Shpend Ahmetin. Por zyrtarë të LDK-së kanë pohuar për gazetën “Zëri” se ky subjekt nuk ka vendosur ende ndonjë agjendë se si do të veprojë tutje, përpos që të fillojë me këto takime. Përkundrazi, sipas tyre tek pas takimeve në fjalë do të analizohen veprimet dhe hapat e mëtutjeshëm. Ndonëse LDK-ja po e cilëson si një iniciativë tejet serioze për ta larguar qeverinë e tanishme, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës këtë nismë po e konsiderojnë si aspak të tillë. Së këndejmi, ata shprehen të bindur se gjatë 2019-s nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Mustafa e Kurti diskutojnë për mocionin, s’flasin për sigurimin e votave

Pas takimit të zhvilluar mes dy liderëve opozitarë, LDK-ja përmes një komunikate ka njoftuar se Mustafa dhe Kurti kanë vlerësuar se pavarësisht faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe skandaleve të qeverisë aktuale, situata në Kosovë po përkeqësohet. “Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme. Në ditët në vijim grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka pohuar se në takim me Isa Mustafën është rënë dakord që të bëhen përgatitjet për ta larguar qeverinë aktuale. “Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti, duke mos treguar se si do të sigurohen votat për mocion.

Ndërkohë sikurse LVV-ja, e cila vazhdimisht ka pohuar se nuk do t’i pranojë votat e Listës Serbe për ta mundësuar rrëzimin e Qeverisë, ashtu ka deklaruar edhe lideri i PSD-së Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se do të luftojë që Qeveria të mos rrëzohet me LS-në.

LDK: Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, jashtëzakonisht serioze

Se nuk është përpiluar agjenda se si të veprohet tutje pas takimeve mes krerëve opozitarë e ka pohuar deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, i cili gjatë një bisede për “Zërin” ka thënë se hapat e mëtejshëm për rrëzim të Qeverisë do të bëhen të ditur pas përfundimit të takimeve. “Pas këtyre takimeve do të bëhen publike dhe do të analizohen edhe veprimet e domosdoshme për t’u materializuar mocioni. Kjo është e rëndësishme. LDK-ja aktualisht nuk ka vendosur çështje të tjera ose agjendë tjetër, përpos të fillojë me këto takime, ndërkohë pas këtyre takimeve do të dalin nevojat se çfarë hapash duhet të ndërmarrë LDK-ja, me kë duhet të takohet”, ka deklaruar ai.

Por ajo çka është e sigurt sipas Selmanajt është se iniciativa e LDK-së për koordinimin dhe për bashkërendimin e veprimeve të opozitës për rrëzim të Qeverisë është jashtëzakonisht serioze. Ndaj qeveria e tanishme sipas deputetit të LDK-së nuk guxon të vazhdojë edhe më tej që të udhëheqë me shtetin e Kosovës. “Për LDK-në është shumë e qartë se kjo Qeveri duhet të rrëzohet sa më shpejt që është e mundur. Normalisht për hapat dhe për veprimet politike do të analizohen takimet, veprimet, përfundimet dhe më pas vlerësohen se cilët janë hapat për të ecur tutje”, ka theksuar ai.

Berisha: S’ka zgjedhje, kemi të bëjmë me opozitarizëm të thatë

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka vlerësuar për “Zërin” se nisma e opozitës për ta rrëzuar Qeverinë nuk është aspak serioze, porse është vetëm një opozitarizëm i thatë. Rrethanat në të cilat ndodhet Kosova aktualisht sipas tij paraqesin tregues të qartë se as këtë vit nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Madje siç Berisha ka deklaruar, nuk ka asnjë arsye për ta votuar mocionin e opozitës për rrëzim të Qeverisë. “Nuk shoh arsye për ta votuar ndonjë mocion të opozitës, sepse kërkesa e tyre është shumë meskine dhe nuk tregon se mund të vijë një qeveri ndryshe”, ka theksuar ai.

Nisma, sipas deputetit Berisha, do ta votonte mocionin vetëm atëherë kur do të vinte në një përfundim të atillë që qeveria aktuale është duke e dëmtuar shtetin, si dhe të sigurohej se pas zgjedhjeve në pushtet do të vinte një qeveri e re premtuese.

Skepticizëm rreth nismës së opozitës

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj e ka vlerësuar të çuditshëm faktin se opozita ka nisur të koordinohet pikërisht tash për ta rrëzuar Qeverinë. “Është shumë e çuditshme pse po ndodh pikërisht në këtë moment. E njëjta qeveri, me të njëjtat probleme, e njëjta keqqeverisje ka qenë edhe para tre muajve, edhe para gjashtë muajve, edhe para një viti. Në atë kohë nuk kemi parë iniciativa të tilla, ndërkaq tash përnjëherë po vijnë iniciativa që po thuhet se janë shumë serioze nga ana e LDK-së dhe dy partive të tjera opozitare”, ka deklaruar ai, shkruan gazeta zeri.

Sipas Mushkolajt, gjithçka po bëhet për të përfituar politikisht dhe për të shërbyer për kauza partiake, pasi mocioni është dashur të ngrihej qysh moti. “Vetë momenti kur po ndodh dhe mënyra se si po ndodh na lë për të dyshuar që, megjithatë, qëllimi kryesor nuk është rrëzimi i Qeverisë, por përfitimi i poenëve partiakë për liderë të caktuar, në këtë rast për kryetarin e LDK-së Isa Mustafa”, ka nënvizuar Mushkolaj.

Sipas tij, opozita nuk po tregon se çka ka ndryshuar që momenti i tanishëm të konsiderohet i përshtatshëm për ta rrëzuar Qeverinë dhe pse ky moment nuk ekzistonte para një muaji, dy muajve ose para një viti. “Nëse kjo nuk sqarohet deri në fund na lë për të dyshuar se gjithçka po bëhet vetëm që opozita ta krijojë përshtypjen se është më e dukshme në kuptimin e aktivitetit opozitar, për shkak se vazhdimisht deri më tash të paktën opozita ka qenë shumë e pazëshme, shumë joaktive në kauzën e vet për ta rrëzuar Qeverinë”, ka theksuar Mushkolaj./ZËRI