Nis koordinimi i opozitës për rrëzim të Qeverisë
Foto: Laura Hasani

Nis koordinimi i opozitës për rrëzim të Qeverisë

Aktuale May 21, 2019 - 08:06
Lexo Detajet
Image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se brenda kësaj jave do ta takojë liderin e LVV-së Albin Kurtin për të diskutuar rreth bashkërendimit të veprimeve opozitare për rrëzim të Qeverisë. Gjithashtu i pari i LDK-së ka njoftuar se ftesë për një gjë të tillë do t’i bëjë edhe kreut të PSD-së Shpend Ahmetit, partia e të cilit ka deklaruar se mirëpret ftesat për takime koordinuese, shkruan gazeta "Zëri".

Edhe zyrtarë të LVV-së i kanë thënë gazetës “Zëri” se janë të gatshëm të bashkohen në iniciativën për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Megjithëkëtë ata kanë pranuar se opozita aktualisht nuk i ka votat e mjaftueshme për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Duke marrë për bazë këtë fakt përfaqësuesit e koalicionit qeverisës mbeten të sigurt se nismat e tilla për mocion mosbesimi nuk do të rezultojnë me sukses. Përkundrazi, ata thonë se Qeveria do të vazhdojë edhe më tej t’i çojë përpara objektivat e saj.

LEXO EDHE: Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje

Por njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë deri në fund të mandatit, pasi zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

LVV-ja e PSD-ja mirëpresin iniciativën për koordinim opozitar

Gjersa ka bërë të ditur se këtë javë do ta ftojë liderin e LVV-së dhe kreun e PSD-së për t’u koordinuar për rrëzim të Qeverisë, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se liderët opozitarë do të diskutojnë mes vete për koordinimin e veprimeve të përbashkëta. “Gjatë kësaj jave do të takohemi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale dhe përmbysjen e koalicionit PAN. Po ashtu gjatë javës do të ftoj edhe kryetarin e PSD-së, z. Ahmeti, të diskutojmë dhe të merremi vesh për veprime të përbashkëta”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se deri tani ky subjekt ka bashkërenduar aktivitetin opozitar me LDK-në në disa pika tejet të rëndësishme. Ndaj ka deklaruar se LVV-ja është e gatshme të bashkohet në nismën që çon deri te rrëzimi i Qeverisë aktuale. “Ajo që është konstatim i përbashkët opozitar është se kjo qeveri duhet të bjerë sa më shpejt. Ne jemi të gatshëm të bashkohemi në iniciativën për rrëzimin e Qeverisë dhe këtë e kemi potencuar tash e sa kohë, çdo aktivitet që çon në këtë drejtim është i mirëseardhur”, ka theksuar ajo.

Edhe zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se ky subjekt mirëpret ftesat për bashkërendim të veprimeve mes opozitës. “Jemi partia e parë që i ka dhënë nënshkrimet për ta rrëzuar Qeverinë. Natyrisht që i mirëpresim ftesat për takime koordinuese”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Rrjedhimisht Kuçi ka pohuar se PSD-ja është e gatshme të veprojë drejt rrëzimit të Qeverisë. Por gjithçka lidhur me strategjinë për çuarjen e vendit në zgjedhje sipas saj duhet të diskutohet në takimet koordinuese.

Mungesa e votave

Albulena Haxhiu ka pohuar se opozita momentalisht nuk i posedon numrat e nevojshëm për ta çuar vendin në zgjedhje. Porse në momentin që sigurohen votat, sipas saj, LVV-ja pa asnjë diskutim voton pro rrëzimit të Qeverisë. “Ne edhe më parë kemi potencuar që opozita aktualisht nuk i ka numrat për të rrëzuar Qeverinë, ndërkohë që sapo ato të bëhen pa asnjë hezitim do të procedonim për në votim të mocionit për shkarkimin e këtij koalicioni qeverisës”, është shprehur ajo.

Kurse Natyra Kuçi ka vlerësuar se opozita duhet të punojë e koordinuar, në mënyrë që të arrihen votat e mjaftueshme për t’i dhënë fund Qeverisë. “Për rrëzimin e Qeverisë duhen 61 vota dhe synimi duhet të jetë të sigurohen ato. Kjo është më e mundur përmes një strategjie të përbashkët opozitare dhe për këtë duhet koordinim e bashkërendim i veprimeve mes tri partive opozitare”, ka potencuar ajo.

Koalicioni qeverisës, i bindur se s’do të ketë zgjedhje

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka vlerësuar se Kosova ka probleme shumë më të mëdha sesa të punohet rreth rrëzimit të Qeverisë. “E drejtë e opozitës është të punojë 24 orë që të vijë në pushtet, kjo është e padiskutueshme. Mirëpo aktualisht Kosova ka probleme shumë më të mëdha dhe të rëndësishme sesa opozita ta shpenzojë krejt energjinë për ta rrëzuar Qeverinë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Pavarësisht paralajmërimeve të opozitës për ngritje të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Reçica është shprehur i bindur që nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. “Absolutisht nuk ka zgjedhje këtë vit, nuk mund të ketë zgjedhje. Pavarësisht vështirësive ne do të arrijmë t’i realizojmë objektivat dhe qëllimet”, ka theksuar deputeti i PDK-së.

Koordinimi i opozitës, një fillim i ri

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka konsideruar se partitë opozitare deri tash nuk ka qenë të koordinuara pothuajse për asgjë, ndaj një koordinim i tyre për rrëzim të Qeverisë sipas tij do ta shënonte një fillim të ri për subjektet opozitare dhe për veprimet e tyre të përbashkëta. Megjithëkëtë Murati ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk paraqet garanci për rrëzim të Qeverisë, për faktin që opozita nuk i ka votat aktualisht. “Duhet një ndihmë qoftë nga ndonjë deputet i pavarur, ose edhe një bashkërendim me njërin grup parlamentar të koalicionit qeverisës”, ka theksuar Murati.

Deri më tash sipas tij kuorumin koalicionit qeverisës ia ka bërë PSD-ja, por një praktikë e tillë, siç ai është shprehur, nuk mund të funksionojë deri në fund të mandatit. Kjo pasi sipas tij zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Ndërkaq analisti Agon Maliqi ka thënë se për rrëzim të Qeverisë aktualisht ekzistojnë dy opsione. “Çështja kryesore është nëse votat do të kërkohen brenda koalicionit ose edhe do të shkohet për rrëzim të Qeverisë me votat e Listës Serbe. Në rastin e parë gjithsesi rol vendimtar ka PDK-ja, sepse nuk shoh arsye përse AAK-ja dhe Nisma do të kërkonin zgjedhje të reja”, ka deklaruar Maliqi./ZERI