Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje

Fituan, paralajmërojnë sërish dorëheqje

Aktuale May 21, 2019 - 07:53
Lexo Detajet
Image

Në zgjedhjet e së dielës Lista Serbe mori kryesimin e katër komunave veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, të gjitha me mbi 90 për qind të votave. Ndonëse në atë pjesë të vendit garuan dy parti politike shqiptare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të njëjtin guxim vlerësohet se nuk e patën edhe partitë tjera serbe, siç kanë thënë drejtuesit e këtyre të fundit, për shkak të shantazhit dhe të kërcënimeve të Listës Serbe, shkruan gazeta "Zëri".

Kësisoj, konsiderohet se edhe pas zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe ndryshimi do të jetë i pamundur dhe demokracia nuk do të ekzistojë. Menjëherë pas fitores Lista Serbe nuk e mohoi mundësinë e dorëheqjeve të kryetarëve serbë, madje ata theksuan se për një gjë të tillë do të konsultohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Analisti politik Rasim Alija në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se zgjedhjet në veri e kanë mbytur demokracinë dhe pluralizmin. “Në zgjedhje ku kandidatët e një subjekti politik arrijnë fitore me 98% të votave nuk flasim më për demokraci. Flasim për mbytje të sistemit demokratik e të pluralizmit. Ndërsa sa u përket dorëheqjeve, nëse ndodhin, e sinjalet janë për një gjë të tillë, do ta kthejnë gjithë procesin në pikën zero dhe e gjithë kjo do t’i bënte zgjedhjet vetëm një farsë të demokracisë”, ka thënë Alija.

LEXO EDHE: Korridori i krimit të organizuar në Ballkan

Sipas tij, në veri nuk do të ndryshojë asgjë pas këtyre zgjedhjeve dhe se për një gjë të tillë nuk kanë pritje as vetë serbët që jetojnë atje. “Praktikisht nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë asgjë. Janë po të njëjtit kandidatë të Listës Serbe që i kanë kërcënuar e i kanë shantazhuar partitë tjera serbe, siç është SLS-ja, në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Janë po të njëjtit kandidatë që e kanë kontestuar sovranitetin e Kosovës në atë pjesë e do të vazhdojnë ta kontestojnë sërish. Lista Serbe është pararojë e politikave instrumentaliste të Beogradit. Në këtë frymë ndryshimi atje është i pamundur, i papritshëm dhe nuk mund të mendohet as si dëshirë”, ka deklaruar ai.

Gjuriq: Fitorja në veri, sukses për mbijetesën e serbëve në Kosovë

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, duke uruar serbët për fitoren në veri të Kosovës u shpreh se ata triumfuan në luftën e përbashkët për mbijetesë në Kosovë. Sipas tij, serbët në veri luftuan që Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku të mbeten serbe dhe në lidhje institucionale me Serbinë. Ai gjithashtu vuri në dukje se këto rezultate tregojnë se përpjekjet e individëve për bojkot të këtyre zgjedhjeve kanë dështuar plotësisht. “Kjo do të thotë se ne kemi treguar unitet, këmbëngulje, vendosmëri dhe angazhim për të luftuar, për të qëndruar aty ku jemi dhe se thirrjet për bojkot dhe të votohet për kandidatët shqiptarë përjetuan një katastrofë të plotë”, ka thënë Gjuriq.

Vendet e QUINT-it e cilësojnë të qetë procesin e zgjedhjeve

Ambasada e Francës, e Gjermanisë, e Italisë, e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët gjatë ditës së djeshme lidhur me procesin zgjedhor në katër komunat veriore. Ata thonë se kanë përcjellë me vëmendje atmosferën e zgjedhjeve në veri, të cilën pavarësisht disa defekteve e kanë cilësuar si të qetë. “Sidoqoftë, ambasadat i rikujtojnë gjetjet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Serbe. Këto defekte, si dhe kërkesat për t’i përditësuar listat e votuesve dhe për t’i qartësuar procedurat mbeten të paadresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën e pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngrenë pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”, thuhet në kumtesë.

Ata kërkuan që të gjithë pjesëmarrësit relevantë t’i adresojnë problemet që kanë hasur gjatë procesit zgjedhor.

Ambasadat e QUINT-it kanë kërkuar që të zgjedhurit në veri të angazhohen për t’i përfaqësuar interesat e të gjitha bashkësive në komunat e tyre.

Sheholli: Kosova të marrë masa ndaj qasjes së Listës Serbe

Fatmir Sheholli, drejtor ekzekutiv i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike (IAMN), në një prononcim për “Zërin” ka thënë se as pas këtyre zgjedhjeve nuk pritet që situata në veri të ndryshojë dhe kryetarët serbë ta njohin realitetin kosovar. “Lista Serbe në veri vetëm e ka shpenzuar buxhetin e Kosovës për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse siç po shihet ata vështirë se do ta njohin realitetin e pavarësisë së Kosovës. Vetë fakti që ata nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe me Republikën e Kosovës, me deklaratat e tyre shumë acaruese dhe jokontribuuese kanë bërë të ditur se situata nuk do të ndryshojë”, ka potencuar ai.

Ai thekson se autoritetet e Kosovës konform Kushtetutës duhet të ndërmarrin masa ndaj qasjes së Listës Serbe. “Ky fakt i mosbindjes duhet të krijojë ndonjë element që shteti ynë të ndërmarrë masa kushtetuese ndaj atyre të cilët e shprehin mosbindjen qytetare dhe mosbindjen kushtetuese. Prandaj institucionet e Kosovës, Kushtetua e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës duhet të veprojnë në këtë aspekt dhe të ndërmarrin masa politike ndaj këtyre subjekteve dhe në këtë rast ndaj Listës Serbe”, ka shtuar ai.

Përfaqësim i ulët i shqiptarëve në veri

Shqiptarët në katër komunat veriore aktualisht përfaqësohen nga një numër shumë i vogël i asamblistëve. Pas zgjedhjeve të fundit dy partitë politike shqiptare që garuan atje, pavarësisht rezultatit zotohen se do të punojnë për shqiptarët e komunave veriore.

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, ka thënë për “Zërin” se përfaqësimi i shqiptarëve do të bëhet me PDK-në dhe se politikat e Beogradit që Lista Serbe po i reklamon nuk mund të zbatohen brenda Republikës së Kosovës. “Përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet vetëm përmes PDK-së. Edhe në këto zgjedhje qytetari tregoi për besimin që ka ndaj nesh si subjekt, ku jemi të vetmit që u jemi përgjigjur dhe i kemi adresuar kërkesat e tyre. Politikat e Beogradit Lista Serbe mund t’i zbatojë vetëm në Beograd. Ne jemi shtet i pavarur dhe demokratik. Ata duhet të mësohen njëherë e përgjithmonë me këtë fakt që në Kosovë mund të zbatohen vetëm politikat e Kosovës”, ka theksuar ajo.

Ndërsa shefi i shtabit të Vetëvendosjes për Komunat Veriore, Alban Uka, duke folur për "Zërin" rreth përfaqësimit të shqiptarëve në veri të vendit, theksoi se Vetëvendosja do të vazhdojë të angazhohet për shqiptarët e asaj pjese, pavarësisht ndikimeve negative që mund të vijnë nga ana e Serbisë. "Në bazë të deklaratave që kanë dhënë kandidatët serbë normalisht se është dëmtuar edhe demokracia në këtë pjesë të vendit, mirëpo ne si Vetëvendosje nuk do të ndalemi. Ne këto komuna i shohim si vendin tonë dhe janë Republikë e Kosovës e kushdo që mendon ndryshe e ka gabim", është shprehur ai.

Uka potencoi se banorët e komunave veriore e kanë humbur rastin që së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje të luftojnë për barazi dhe trajtim të dinjiteteshëm, sepse premtimet parazgjedhore të partive tjera harrohen pas zgjedhjeve "Fatkeqësisht, është akoma i fortë ndikimi i klientelizimit dhe i premtimeve gënjeshtare të partive politike si të Listës Serbe, ashtu edhe të PDK-së, të cilat menjëherë pas zgjedhjeve po harrohen dhe po keqpërdoret situata e rëndë ekonomike e banorëve të veriut", ka shtuar ai./ZERI