Dorëheqja, fjalë e panjohur në Kosovë
FOTO: Laura Hasani

Dorëheqja, fjalë e panjohur në Kosovë

Aktuale May 20, 2019 - 07:57
Lexoni detajet
Image

Dokumentimi nga mediet se deputetja e PDK-së Flora Brovina javën e kaluar publikoi një fotografi të rreme të dhunimit të grave shqiptare nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk rezultoi me dorëheqje si reflektim për skandalin që bëri bujë të madhe, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shumë skandale kanë ndodhur që nga paslufta në vend, mirëpo dorëheqjet e politikanëve nuk kanë ndodhur. I vetmi rast i dorëheqjes që mbahet mend në Kosovë ka qenë i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Rexhepit, i cili kishte dhënë dorëheqje nga detyra duke ndier përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe familjeve të atyre që humbën jetën gjatë protestave të 10 shkurtit 2007, pas përleshjeve ndërmjet protestuesve dhe Policisë.

LEXO EDHE: Mashtrimi i madh me luftën në Siri

Në këtë protestë mbetën të vdekur dy protestues: Mon Balaj dhe Arben Xheladini si pasojë e plumbave që kishin marrë në protestë nga policia e UNMIK-ut.

Pas skandalit deputetja Brovina pranoi gabimin, por nuk pranoi të dorëhiqet, pavarësisht kërkesave nga opozita dhe nga shoqëria civile në vend.

Brovinën e kanë marrë në mbrojtje edhe drejtuesit e institucioneve në vend. Kryeparlamentari Kadri Veseli njëherësh kryetar i PDK-së, ka deklaruar pas këtij skandali se gjenocidi serb nuk e ka bazën te një fotografi dhe as te një person, por te një politikë shtetërore serbe që ka kryer krime në mënyrë të planifikuar, sistematike dhe nëpërmjet një hierarkie të qartë politike, ushtarake e policore.

Mosdorëheqjen e Brovinës e ka arsyetuar edhe bashkëpartiaku i saj Hajdar Beqa, i cili publikimin e fotografisë së rreme e ka parë si një gabim njerëzor. Sipas tij, ndonëse ky skandal i ka dhënë një imazh jo të mirë Kuvendit, por pasi Brovina tashmë ka kërkuar falje, kjo çështje duhet të mbyllet. “Unë e konsideroj më shumë gabim njerëzor, duke pasur parasysh edhe të kaluarën, kontributin e Brovinës. Besoj se i kemi bërë të padrejtë me gjykimin publik. Nuk është ndoshta imazh i mirë ajo çfarë ka ndodhur në Kuvend, por Flora është një nga njerëzit që ka dhënë më shumë kontribut në zbardhjen e krimeve që i ka bërë Serbia në vendin tonë. Brovina ka kërkuar edhe falje publike dhe konsideroj se kjo çështje duhet të mbyllet, sepse nuk na bënë nder as neve e as publikut”, ka thënë ai.

Në anën tjetër deputeti i partisë opozitare - Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se deputetët që përfshihen në skandale duhet të japin dorëheqje. Sipas tij, një gjë e tillë nuk praktikohet në Kosovës, pasi qe 20 vjet vetëm një ose dy persona kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre. “Gjatë këtyre 20 vjetëve janë një ose dy raste që ndonjë ministër ka dhënë dorëheqje. Dorëheqjet ndodhin edhe për shkak të presionit të qytetarëve. Por qytetarët nuk janë aktivë. Në rastin më të mirë, ata i komentojnë këto gjëra në ndeja private që nuk ndikojnë shumë në jetën publike, pra qytetarët janë ata që përveçse në zgjedhje, gjatë gjithë kohës duhet të reagojnë si për të mirë, ashtu edhe për të keq, në mënyrë që të jenë edhe një udhërrëfyes i deklarimeve të deputetëve”, ka thënë ai.

Rastin e publikimit të fotografisë së rreme nga ana e deputetes Brovina e sheh si të pafalshëm deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Besa Gaxheri. Ajo ka thënë për “Zërin” se ky skandal nuk ka qenë i pari që ka ndodhur në vend e që nuk pret të jetë as i fundit./ZERI