Lista Serbe shpall fitoren në veri

Lista Serbe shpall fitoren në veri

Aktuale May 19, 2019 - 22:51
Lexo Detajet

Lista Serbe ka shpallur sonte fitoren e saj në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës.

Kandidatët për kryetarë të komunave nga kjo parti kanë bërë të ditur para gazetarëve se në bazë të rezultateve të tyre jozyrtare që posedojnë, Lista Serbe ka fituar këto zgjedhje me mbi 90 për qind të votave.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, fitoren e tij e ka quajtur fitore të popullit serb dhe shtetit të Serbisë në këto hapësira.

“Shpalli fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua në fillim të them është se bojkoti i opozitës dhe disa kuazi-satelitëve këtu në terren nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave në katër komunat veriore. Unë kam të dhëna jo zyrtare sipas të cilave në katër komunat veriore Lista Serbe ka fituar 94.24 për qind të votave. Në veri të Mitrovicës kjo përqindje është 90.18, që do të thotë se në raport me zgjedhjet e vitit 2017, 1675 vota më shumë ka marrë Lista Serbe. Do ta përsëris edhe njëherë, se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses sipas të cilit është tentuar që popullin serb ta çojë në duart e Prishtinës. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuriqit, Aleksandar Vuçiqit, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, ka thënë Rakiq.

Edhe kandidatët tjerë për kryetar të komunave tjera kanë folur, duke thënë se me këtë fitore është dëshmuar fuqishëm fitorja e popullit dhe shtetit të Serbisë këtu.