Supermeni i QKUK-së: Drejtor në Radiologji, drejtor në spital privat dhe dekan në kolegj privat

Supermeni i QKUK-së: Drejtor në Radiologji, drejtor në spital privat dhe dekan në kolegj privat

Aktuale May 18, 2019 - 16:51
Lexoni detajet

Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, Dr. Bujar Gjikolli, mban tri pozita udhëheqëse në të njëjtën kohë, një në institucion publik dhe dy të tjera në dy institucione private.

Përveç pozitës së drejtorit të Klinikës së Radiologjisë, Gjikolli, është Dekan i Fakultetit të Radiologjisë në Kolegjin AAB, si dhe drejtor mjekësor në spitalin turk në Prishtinë “Sante Plus”

Image

Pozitën e dekanit, Gjikolli e mban që disa vite në Kolegjin AAB, ndërsa në pozitën e drejtorit të Radiologjisë ka ardhur vitin e kaluar. Kurse në pozitën e drejtorit në spitalin privat është emëruar këtë vit. Pozitën e drejtorit të Radiologjisë Gjikolli po e shfrytëzon së fundmi për të sjellë mjekët e spitalit “Sante Plus” për të mbajtur ligjërata.

Image

Drejtori i Radiologjisë në QKUK dhe drejtori i spitalit “Sante Plus” Dr. Bujar Gjikolli, me mjekun turk Dr. Erëan Aygün, gjatë ligjëratës së mbajtur në Telemjekësi në QKUK

Kujtojmë se Gjikolli është edhe udhëheqës i një OJQ-je me të cilën organizon kurse të ultratingullit ku përfiton deri 1 mijë euro për një pjesëmarrës. Këto kurse mbahen në hapësira të QKUK-së, ndërsa pjesëmarrësit e paguajnë tarifën në llogarinë e një biznesi në emër të bashkëshortes së Gjikollit. Nga ky biznes Gjikolli përfiton mesatarisht 300 euro në muaj. Ai poashtu punon edhe në një spital tjetër privat si radiolog në “Royal Hospital”.

Image

Por krejt ky aktivitet dhe këto pozita të shumëfishta të Gjikollit, nuk po pengohen nga menaxhmenti i SHSKUK-së, ndonëse Ligji Kundër Konfliktit të Interesit i sanksionon.

Neni 16 i këtij ligji ia kufizon zyrtarit të lartë ushtrimin e funksioneve tjera krahas ushtrimit të funksionit të tij në institucionin publik.

“Zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizata fitimprurëse dhe jo fitimprurëse, përjashtuar subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak te funksionit”, thuhet në pikën 1 të Nenit 16 të këtij ligji. E Gjikolli përveç funksionit të tij prej drejtori në Radiologji, është Dekan i Fakultetit të Radiologjisë në AAB, drejtor mjekwsor nw spitalin “Sante Plus” si dhe themelues e person i autorizuar në KOMC ku përfiton mjete. /Gazeta Shneta/