Opozita i harron zgjedhjet
Foto: Laura Hasani

Opozita i harron zgjedhjet

Aktuale May 18, 2019 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të opozitës për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”, në deklaratat e tyre të fundit përfaqësues të këtyre partive duket se i “kanë harruar” zgjedhjet. Përderisa opozita e vetme nuk i ka votat, vlerësohet se vetëm partia në pushtet, PDK-ja, mund ta rrëzojë Qeverinë, shkruan Gazeta "Zëri".

Ndonëse para disa muajsh në çdo paraqitje publike dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e përmendnin vazhdimisht nevojën për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe rrëzim të qeverisë “Haradinaj”, kohëve të fundit këto kërkesa të opozitës janë zbehur.

Teksa partia opozitare PSD-ja disa muaj më parë i ka dorëzuar nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë, zyrtarë të kësaj partie thonë që ende nuk është gjetur një dakordim mes partive opozitare për këtë proces. Në anën tjetër përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë të vlerësojnë që zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje, mirëpo të njëjtit pranojnë se aktualisht ky proces është i pamundur për shkak të mospasjes së votave. Kurse deputetë të koalicionin qeverisës kërkesat e opozitës për zgjedhje i shohin si joserioze dhe aspak të rrezikshme. Ata vlerësojnë që koalicioni PAN është stabil dhe si i tillë do të qeverisë deri në fund të mandatit.

AAK: Nuk shohim rrezik për zgjedhje

Deputeti i partisë së kryeministrit Haradinaj, Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, kërkesat e opozitës së vendit për zgjedhje i ka quajtur joserioze, teksa vlerëson se në situatën aktuale nuk ka rrezik real për rrëzim të Qeverisë. “Është rregull i demokracisë që qeveritë të bien me mocion, mirëpo opozita aktuale më shumë i ka përmendur zgjedhjet si mundësi për ta ruajtur elektoratin e vet, përndryshe ata janë të vetëdijshëm që nuk i kanë numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Pra kësisoj qeveria ‘Haradinaj’ po vazhdon që të punojë e qetë”, ka thënë Selmanaj për “Zërin”.

Ndërsa i pyetur se sa ka rrezik që ndonjëra nga partitë në pushtet t’i bashkëngjitet opozitës për rrëzim të Qeverisë, Selmanaj ka thënë që kjo gjë nuk mund të ndodhë për shkak se nuk ekziston ndonjë përçarje në koalicion. “E para, nuk ka përçarje në koalicion, mund të ketë mendime të ndryshme për një çështje të caktuar, por kjo nuk nënkupton që brenda koalicionit ka përçarje, koalicioni është stabil dhe unë nuk shoh mundësi reale për zgjedhje aktualisht”, ka theksuar ai.

LVV-ja nuk heq dorë, kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme

Partia e cila ishte më e zëshme në rrëzim të qeverisë “Haradinaj, Lëvizja Vetëvendosje, konsideron që për të shpëtuar vendin nga situata aktuale zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci, për gazetën ka thënë që duhet sa më parë të ndalohen presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj.

“Ne besojmë që zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë, në të cilën na ka futur në radhë të parë presidenti Thaçi me bisedat e tij të paautorizuara dhe të dëmshme me Serbinë në dëm të territorit të Kosovës dhe në anën tjetër edhe kryeministri Haradinaj me vendime të shumta e skandaloze në dëm të buxhetit të vendit dhe nepotizmit që e ka kapluar vendin”, ka potencuar ajo.

Meqenëse opozita aktualisht nuk i ka votat për rrëzim të Qeverisë, Nagavci ka thënë që partia e saj këtë gjë po tenton ta bëjë përmes mobilizimit të qytetarëve.

Ndërkohë duke folur për skenarin e mundshëm për rrëzim të Qeverisë, deputetja e LVV-së ka theksuar se meqenëse partitë në pushtet kanë përçarje mes vete, atëherë deputetët e këtyre partive do të duhej të votonin për rrëzim të vetvetes. “Është më se e natyrshme, duke pasur parasysh se ka konflikte edhe në mes të partive që janë në pushtet, që të gjejmë deputetë të cilët e vënë interesin e përgjithshëm të vendit mbi interesin personal, pra të gjithë ata që ia duan të mirën vendit do të duhej të votonin që ta çonin vendin në zgjedhje, në mënyrë që të funksionalizohen institucionet sipas vullnetit të qytetarëve”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

PSD: Opozita s’i ka numrat, partitë në pushtet s’duan zgjedhje

Kurse ndryshe ka deklaruar deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, e cila për “Zërin” ka thënë që aktualisht as opozita nuk i ka votat për rrëzim të Qeverisë e as partitë në pushtet nuk janë të interesuara ta rrëzojnë vetveten. “Natyrisht që ne i kemi dhënë nënshkrimet tona dhe vazhdojmë të qëndrojmë mbrapa atyre nënshkrimeve, kurdo që dy partitë e tjera opozitare ngrenë një mocion, ne do ta votojmë atë. Megjithatë tashmë është e ditur që opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë dhe për këtë duhet që të bashkëpunohet me njërën nga partitë të cilat janë në pushtet dhe as në këtë drejtim ne nuk kemi parë lëvizje”, ka thënë ajo.

Teksa ka shtuar se për këtë proces nuk ka ndonjë strategji të qartë, Pantina ka theksuar se vetëm rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” nuk mjafton, por duhet edhe një ndryshim i politikëbërjes në Kosovë. “Pra ende nuk ekziston një strategji e qartë se si duhet të rrëzohet kjo qeveri dhe si do të dukej Qeveria e ardhshme. Por vetëm rrëzimi i Qeverisë nuk mjafton, kjo ka ndodhur edhe në legjislaturën e kaluar, por çka kemi parë si rezultat është që ka ardhur një qeveri e cila është edhe më e keqe se ajo e kaluara, prandaj opozita duhet të ulet të hartojë një strategji se si ta ndërrojë jo vetëm kryeministrin dhe Qeverinë, por edhe si ta ndryshojë politikëbërjen në Kosovë”, ka theksuar ajo.

Tahiri: Vetëm PDK-ja mund ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj”

Kurse politologu Ramush Tahiri, duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka thënë që aktualisht nuk ka kushte e as kërkesa serioze për rrëzim të Qeverisë. Kjo sepse sipas tij asnjërës parti nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje. “Nuk ka kushte për rrëzim të Qeverisë sepse nuk ka iniciativë serioze për këtë proces. Zgjedhjet mbahen kur rrëzohet Qeveria me ngritjen e votëbesimit me 61 vota ose kur të shpërbëhet Parlamenti dhe asnjëra nga këto nuk është në rend të ditës, asnjëri opsion nuk është duke u diskutuar nga partitë politike”, ka potencuar Tahiri, teksa ka shtuar se secila parti po punon për interesin personal, por jo për të mirën e vendit.

Ai po ashtu ka theksuar se aktualisht partia e vetme që mund ta rrëzojë qeverinë “Haradinaj” është partia në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila edhe në të kaluarën disa herë e ka krijuar një skenar të tillë për rrëzim të qeverive. Sipas tij, kurdo që kjo parti të ketë interes nga shkuarja e vendit në zgjedhje, atëherë ajo do të gjejë formën për rrëzim të Qeverisë./ZËRI