Petroviq: S’ka zgjedhje të lira në veri
FOTO: Laura Hasani

Petroviq: S’ka zgjedhje të lira në veri

Aktuale May 17, 2019 - 08:04
Lexoni detajet
Image

Deputeti Sllobodan Petroviq thotë për “Zërin” se zgjedhjet e 19 majit 2019 në katër komunat veriore nuk janë të lira pasi nuk është krijuar hapësirë edhe për kandidatët tjerë serbë të garojnë në zgjedhje, për shkak të presioneve të ndryshme, të kërcënimeve, por edhe të vrasjeve që kanë ndodhur në atë pjesë të vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Sllobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, shprehet i bindur se zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel në katër komunat veriore të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, nuk do ta ndryshojnë aspak jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit.

LEXO EDHE: Fushatë e qetë në veri

Kjo pasi që, sipas tij, në garë janë politikanët e njëjtë, të cilët për disa vite qeverisje nuk kanë punuar asgjë në të mirë të qytetarëve serbë, por kanë qenë në shërbim të politikës së Beogradit.

Petroviq ka theksuar për gazetën “Zëri” se të gjithë në Kosovë janë mësuar me retorikën e Listës Serbe.

“Të gjithë jemi mësuar me retorikën e Listës Serbe. Ata tashmë një kohë të gjatë nuk mendojnë me kokën e tyre, por në vend të tyre mendon Beogradi. Kjo nuk është një gjë e mirë, sepse nuk mundet dikush në Beograd të dijë më mirë se ne që jetojmë këtu se cilët janë problemet tona dhe si t’i zgjidhim ato. Posaçërisht është e çuditshme, sepse bëhet fjalë për komunat të cilat do të duhej të merreshin me problemet infrastrukturore dhe me problemet tjera lokale të qytetarëve dhe jo të merren me politikën botërore”, ka thënë ai për “Zërin”.

Petroviq po ashtu ka theksuar se nëse rizgjidhen përsëri kandidatët e njëjtë jeta e qytetarëve të veriut nuk do të ndryshojë.

“Këto zgjedhje në thelb nuk do të ndryshojnë asgjë në veri. Gjithçka do të mbetet e njëjtë, pasi të njëjtit njerëz do të jenë nëpër pozitat e kryetarëve. Qytetarët do të jetojnë keq sikurse deri më tani, sepse po qe se këta njerëz do të ishin të aftë të bëjnë diçka, kanë pasur pesë vjet kohë ta përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe jo që çdo ditë njerëzit largohen nga kjo pjesë e Kosovës, posaçërisht nga Mitrovica Veriore”, ka theksuar ai.

Dorëheqjet, lojëra politike të Listës Serbe

Ndërsa duke folur për deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe se në rast se i fitojnë zgjedhjet ata përsëri do të japin dorëheqje nga kjo pozitë, kryetari i SLS-së, Sllobodan Petroviq, ato i ka quajtur lojëra politike të këtij subjekti.

“Mendoj se deklaratat e tilla dhe vendimet e tilla, të cilat pastaj merren, nuk i kontribuojnë asgjësë dhe askujt. Është qesharake loja, në të cilën do të dëshironit të merrni pjesë pak në zgjedhje dhe të jeni pjesë e institucioneve të Kosovës e pastaj do të dëshironit të dilni nga institucionet e njëjta. Secili që është normal në këtë situatë do të pyeste: Pse lojërat e tilla dhe kujt i shkojnë për shtati? Një gjë është e sigurt, e kjo është se e gjithë kjo çon në keqësimin e jetës së bashkësisë serbe jo vetëm në veri, por në të gjitha mjediset në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera ai.

Petroviq po ashtu ka theksuar se aktualisht në veri të Kosovës asnjë kandidat potencial nuk ndihet i sigurt që t’i bëjë konkurrencë kandidatëve aktualë për kryetar në këto komuna.

“Para se gjithash mendoni në presionet e ndryshme, djegia e veturave, kërcënimet, por kishim edhe vrasjen e dy kandidatëve për kryetar të Mitrovicës Veriore. Kjo është pasqyrë e një qëllimi që të kemi vetëm një parti serbe, e cila merr pjesë në zgjedhje të tilla. Është logjike që në një situatë të tillë askush nuk dëshiron t’i matë forcat e tij dhe trupin votues. Këtu para se gjithash është përgjegjëse bashkësia ndërkombëtare, por një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe institucionet vendore, sepse nuk kanë krijuar kushte normale që të gjithë të mundin të marrin pjesë lirshëm në zgjedhje”, ka thënë tutje ai.

Ambasadat, OSBE-ja e Komisioni Evropian do t’i monitorojnë zgjedhjet në veri

Në anën tjetër zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për “Zërin” se zgjedhjet në veri të Kosovës do të monitorohen nga 470 vëzhgues, dy prej tyre parti politike, dy misione evropiane nga Komisioni Evropian, si dhe nga 12 ambasada.

“Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 470 vëzhgues, të cilët do t’i vëzhgojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme të ditës së diel në këto katër komuna. Këta vëzhgues përfaqësojnë 2 parti politike, 2 misione ndërkombëtare, 1 Komision Evropian, 2 misione diplomatike, 12 ambasada, 1 OJQ ndërkombëtare, 4 OJQ vendore dhe 15 medie”, ka shtuar ai.

Elezi po ashtu ka theksuar se pavarësisht dinamikës në të cilën janë zhvilluar përgatitjet për zgjedhje, KQZ-ja nuk ka hasur në asnjë pengesë në realizimin e planit për zgjedhje në këtë pjesë.

Policia me plan operativ për zgjedhjet

Ndërsa zyrtarë për informim nga Policia e Kosovës në një përgjigje dhënë “Zërit” kanë deklaruar se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet në veri të vendit dhe se Policia është e gatshme për reagim kurdo që shkelen ligjet në fuqi.

“Policia e Kosovës e ka përgatitur me kohë urdhrin operativ për këtë proces zgjedhor dhe qëllimi kryesor është: krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për gjithë qytetarët e komunave gjegjëse gjatë tërë procesit zgjedhor, mbajtja e rendit, e qetësisë dhe e sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, monitorimi me policë i fushatës parazgjedhore dhe ruajtja e rendit dhe e qetësisë publike në tubime paraelektorale të partive politike – të kandidatëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Tutje në këtë përgjigje theksohet se Policia e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj secili qytetar, i cili bie ndesh me ligjet e vendit gjatë këtyre zgjedhjeve.

“Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave proceduralo-penale ndaj çdokujt që bie në ndesh me ligjet e RKS-së që rregullojnë, sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokrate në koordinimin dhe në bashkëpunimin e ngushtë me prokurorin e shtetit sipas planeve të veprimit dhe të marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet tutje aty.

Ismaili: Dialogu, zgjidhja për veriun

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Valmir Ismaili, vlerëson se zgjedhjet e 19 majit 2019 nuk do të gjejnë zgjidhje për situatën politike në veri të Kosovës, sepse kjo gjë varet nga procesi i dialogut mes Kosovës e Serbisë dhe taksës ndaj produkteve serbe, por jo nga rezultati i zgjedhjeve.

“Çështja e zgjedhjeve në veri në rrethanat se si ka ardhur te kjo zgjedhje është politike dhe jo e karakterit ligjor, ngase besoj se sado i mirë që mund të jetë një ligj asnjëherë nuk mund të parashikohen të gjitha zbrazëtitë që mund të dalin në raste specifike. Tani, se a do të zhbllokohet ose jo situata në veri, nuk varet shumë nga rezultati i zgjedhjeve ose i vendimeve, të cilat do të merren për mandatet. Kjo më shumë varet nga procesi i dialogut të përgjithshëm Kosovë - Serbi dhe sidomos e taksës”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër duke folur për deklaratat e përfaqësuesve të Listës Serbe se në rast fitoreje ata do të japin dorëheqje përsëri, Ismajli ka thënë se nuk ka ndonjë dispozitë ligjore që ua ndalon atyre të kandidojnë përsëri për të njëjtën pozitë.

“KQZ-ja është e obliguar të organizojë zgjedhje në çfarëdo momenti që shpallen ato. Institucioni i presidentit të vendit është kompetent për vlerësimin e nevojës për mbajtje të zgjedhjeve ose jo. Në legjislacionin aktual për zgjedhje nuk ka ndonjë dispozitë, e cila ua ndalon personave që kanë dhënë dorëheqje nga ndonjë pozitë të garojnë përsëri për të njëjtën pozitë”, ka shtuar ndër të tjera ai.