Fushatë e qetë në veri
FOTO: Laura Hasani

Fushatë e qetë në veri

Aktuale May 17, 2019 - 08:02
Lexoni detajet
Image

Tri ditët e para të fushatës zgjedhore në komunat veriore të Kosovës kanë kaluar pa asnjë problem dhe nuk është shënuar asnjë parregullsi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Subjektet politike që kanë kandiduar për kryetarë të komunave veriore kanë vazhduar fushatën dhe derisa kandidatët serbë vazhdojnë të vizitojnë projektet që janë duke u realizuar, ata shqiptarë kanë bashkëbiseduar me qytetarët e fshatrave të komunave Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, me premtimet se nëse eventualisht fitojnë do të përkujdesen për jetë më të mirë të qytetarëve të të gjitha komuniteteve, për lëvizje të lirë dhe për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në pronat e tyre.

LEXO EDHE: Injorimi i amerikanëve dhe i britanikëve

Koordinatori i koalicionit të organizatave për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, “Demokracia në Veprim”, Sergjan Millojeviq, ka mbajtur një konferencë me gazetarë, në të cilin ka shpjeguar gjithë rrjedhjen e deritashme të fushatës zgjedhore në katër komunat veriore.

“Jemi duke i përcjellë aktivitetet e të gjitha subjekteve politike në të gjitha komunat dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë parregullsi. Gjithçka është duke shkuar mirë dhe nuk ka pasur problem. Janë shtypur materialet, janë vendosur tendat, janë mbajtur edhe disa tribuna. Subjektet politike kanë bashkëpunim shumë të mirë me komisionet komunale zgjedhore, me të cilat edhe i koordinojnë aktivitetet politike. Komisioni Qendror Zgjedhor ka verifikuar të hënën numrin përfundimtar të votuesve në katër komunat dhe ai është 57.983 zgjedhës, që është për 970 më shumë se në zgjedhjet e tetorit të vitit 2017”, ka precizuar Millojeviq.

Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka hapur të enjten Palestrën e Sporteve në veri të Mitrovicës, për ndërtimin e së cilës ka investuar Bashkimi Evropian. Ai gjithashtu ka vizituar Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës dhe ka premtuar se do të realizohet projekti i rinovimit të objektit të Spitalit.

“Ndër projektet më të rëndësishme që do të realizohen janë pa dyshim rekonstruimi i ndërtesës së Qendrës Spitalore në veri, ndërtimi i objektit të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë, rekonstruimi i Institutit për Mjekësi Ligjore. Të gjitha këto projekte kanë vlerën prej 15 milionë eurosh”, ka thënë Rakiq, i cili shoqërohej nga ndihmësi i drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Damjan Joviq.

Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Leposaviqit, Zoran Todiq, ka vizituar fabrikën e tubave “Lola” në Leshak. Ai shoqërohej nga ndihmësdrejtori tjetër i Zyrës Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, i cili tha se rritja ekonomike në Kosovë është e ardhmja e serbëve dhe është politikë e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq Zoran Todiq, i cili ka siguruar serbët se ai dhe kandidatët tjerë serbë nuk do t’i dëgjojnë direktivat e Prishtinës, tha se Qeveria e Serbisë ka ndarë shumë të madhe të mjeteve për ndihmuar prodhimin e fabrikës “Lola”.

“Fitorja është e domosdoshme të tregojmë qëndrimin e pathyeshëm të popullit serb që të mbrojë unitetin, të cilin e kemi treguar për më shumë se 20 vjet. Jemi të gatshëm ta mbrojmë krejt atë çfarë na takon, duke luftuar për të drejtat dhe interesat për të mbetur në vatrat tona”, ka thënë ai.

Ndërkaq ish-shefja e Administratës Komunale në komunën veriore të Mitrovicës, aktualisht ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq, është shprehur e bindur se zgjedhjet të dielën në komunat veriore do të shkojnë mirë. Ajo i ka ftuar qytetarët që të dalin dhe të votojnë qetë, në mënyrë demokratike dhe korrekte.

“Jam e bindur se kështu edhe do të jetë, zgjedhjet pa dyshim do të shkojnë mirë. Qytetarët do ta shprehin vullnetin e tyre”, tha Hoxhiq, e cila lidhur me paralajmërimet se kandidatët serbë të komunave veriore do të dorëhiqen sërish posa t’i fitojnë zgjedhjet u shpreh se nuk beson në një skenar të tillë. “Unë besoj shumë se nuk do të realizohet ky skenar. Zgjedhjet janë demokratike, i ka shpallur presidenti i Kosovës dhe nuk besoj se do të vijë deri te dorëheqjet e sërishme”, është shprehur ajo.