Injorimi i amerikanëve dhe i britanikëve
FOTO: Laura Hasani

Injorimi i amerikanëve dhe i britanikëve

Aktuale May 17, 2019 - 07:58
Lexoni detajet
Image

Kërkesat e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, por edhe të asaj Britanike që të mos emërohen në pozita të larta shtetërore të dënuarit për “Krime lufte”, personat që kanë aktakuza aktive për “Krime”, si dhe keqpërdoruesit e buxhetit publik po injorohen nga Qeveria e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ambasada e Amerikës në Prishtinë të martën e kaluar ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e tilla të Qeverisë së Kosovës, me ç’rast ka theksuar se emërimet e tilla po e dëmtojnë funksionimin e rregullt të institucioneve vendore.

LEXO EDHE: Jo pazarit taksë - viza

“Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia ose janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për ‘Krime të rënda’, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së.

Sipas tyre, emërime të tilla minojnë besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë dhe privojnë vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në Qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto Ambasada e SHBA-së ka kërkuar nga Qeveria t’i ndalë veprimet e tilla dhe të ndërmarrë hapa konkretë për rastet e cekura më herët.

“U bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve Ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose besueshmërinë e shtetit”.

Reagimi amerikan

Ky nuk është rasti i vetëm kur Ambasada e SHBA-së ka kërkuar shkarkimin e personave, të cilët janë të dënuar për krime të ndryshme, pasi një gjë të tillë kjo Ambasadë e kishte kërkuar edhe në muajin mars të këtij viti kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe të Verifikimit të Pronës.

Madje pas këtij emërimi ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O`Connell, dha dorëheqje nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe të Verifikimit të Pronës.

Përveç emërimit të Naser Shalës në fillim të këtij viti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, pati kritikuar edhe emërimin e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimit në pozitën e ambasadorit të Kosovës në Tiranë. “Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës”, pati thënë Kosnett.

PDK-ja kërkon largimin e zyrtarëve me aktakuza

Deputeti i partisë së madhe të koalicionit qeverisës - PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se e mirëpret thirrjen e Ambasadës së SHBA-së për shkarkimin e personave që kanë aktakuza. Madje ai ka thënë se ato pozita duhet të lirohen derisa të ketë ndonjë vendim nga gjykata.

“Qëndrimi i PDK-së është që pavarësisht legjislacionit në fuqi, respektivisht Kushtetutës së vendit ku në kuadër të prezumimit të pafajësisë çdo person i akuzuar është i pafajshëm deri të merret një vendim i formës së prerë nga gjykata, konsideroj se për shkak të proceseve që është duke kaluar Kosova është mirë të gjithë ata ndaj të cilëve ka aktakuza të ngritura, pavarësisht përkatësisë politike që kanë, duhet t’i lirojnë vendet e punës deri te një vendim në gjykatë”, ka theksuar ai.

Ndërkohë Beqa ka thënë se kërkesa të tilla si e ambasadorëve të shteteve të QUINIT-it i bëjnë mirë forcimit të institucioneve të vendit dhe e rrisin besimin e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve.

LVV: Qeveria “Haradinaj” s’do të reflektojë

Në anën tjetër deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pavarësisht se e ka mirëpritur reagimin e Ambasadës së SHBA-së, ka theksuar për “Zërin” se nuk pret që qeveria “Haradinaj” të reflektojë as pas këtyre thirrjeve.

“Unë nuk besoj se qeveria ‘Haradinaj’ do të reflektojë për shkak se këta vetë pushtetin e kanë për t’i adresuar interesat private, biznesore e familjare dhe na duhet neve të angazhohemi për ta hequr këtë Qeveri, sepse është koha e fundit kur vendi ka nevojë për një qeveri e cila e ka vullnetin dhe dijen për të vendosur drejtësi në këtë vend, por që qeveria ‘Haradinaj’ asnjëherë nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, ka potencuar Haxhiu.

Duke theksuar se për t’i ndalur veprimet e tilla të kësaj Qeverie duhet ta ngrenë zërin të gjithë, ajo ka shtuar se qëllimi i vetëm i qeverisë aktuale është rehatimi i familjarëve dhe i militantëve partiakë.

“Ne jemi të bindur se qeveria ‘Haradinaj’ do të vazhdojë me avazin e vjetër, pa dyshim se pastaj pasojat do t’i vuajnë edhe qytetarët, edhe vetë shteti i Kosovës. Por këta nuk e kanë atë hall, qëllimi i tyre është vetëm rehatimi i familjarëve e i partiakëve të tyre, me qëllim që këta njerëz të cilët i delegojnë t’u shërbejnë atyre në institucionet përkatëse, qoftë në sistemin e drejtësisë, nëpër agjenci ose nëpër borde të ndryshme”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Demhasaj: Emërimet partiake çojnë në mosfunksionimin e institucioneve

Kurse Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë për “Zërin” se qeveria “Haradinaj” duhet sa më parë të ndalojë emërimin e njerëzve që janë të dënuar për krime të ndryshme, pasi që një gjë e tillë ndikon në mosfunksionimin e institucioneve vendore.

“Qeveria nuk duhet të emërojë njerëz të cilët janë të dënuar për krime të ndryshme, qoftë për ‘Krime lufte’ ose për krime të tjera të rënda në pozita të larta publike dhe njëkohësisht të mos emërojë njerëz që nuk janë as profesionistë të fushës, sepse këto dy fenomene negative ndikojnë në keqfunksionimin e secilit institucion ku ata emërohen”, ka thënë Demhasaj.

Sipas tij, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe thirrjet e vazhdueshme të shoqërisë civile për ndaljen e këtyre emërimeve duhet të merren parasysh nga ana e Qeverisë së Kosovës.