Vrasja e ariut është joligjore

Vrasja e ariut është joligjore

Aktuale maj 15, 2019 - 17:28
Lexo Detajet

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë ditës së sotme ka pasur takim me drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri” si dhe anëtarë të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve për të diskutuar për ariun e murrmë që po shkakton dëme në rajonin e Prizrenit.

Njëra prej themeluesve të Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani tha për "Zeri.info" se nga ky takim u dakordua që është e jashtëligjshme vrasja e ariut, raporton "Zeri.info".

Kjo pasi që sipas saj, pas analizimit të situatës ishte konstatuar që banorët të cilët u dëmtuan s’kishin as rrethoja që parashihen kur dikush mban bagëti.

"Sot patëm takim dhe na u duk me vend që janë kundër vrasjes. Ishin të bindur që është e jashtëligjshme t'behet vrasja e ariut sepse e kanë analizu edhe situatën e banorëve, të cilët s'kane pas as rrethoja që parashihen kur dikush mban bagëti", tha Ramadani për "Zeri.info".

Ajo pret që edhe ministria e Bujqësisë t'i respektojë ligjet në fuqi. 

"Në anën tjetër, presim nga ministria e bujqësisë me respektu ligjet në fuqi dhe mos me vepru në mënyrë vetanake por me bashkëpunim institucional dhe të organizatave", shtoi ajo.

LEXO EDHE: Kosova e pret profesorin nga Kroacia për zgjidhjen e problemit me ariun

Ndryshe, sonte në Kosovë pritet të vijë edhe një profesor nga Kroacia për të vlerësuar gjendjen aktuale për këtë çështje.