Kryeziu: Mosunifikimi i liderëve e dobëson palën kosovare në tavolinën e dialogut

Kryeziu: Mosunifikimi i liderëve e dobëson palën kosovare në tavolinën e dialogut

Aktuale May 15, 2019 - 10:29

Ideja për korrigjim të kufirit Kosovë - Serbi ka bërë që presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj të mos reshtin së përplasuri deklarativisht gjatë dhjetë muajve të fundit. Derisa Thaçi po insiston në korrigjim të kufirit, Haradinaj është barrikaduar fuqishëm kundër këtij opsioni.

Taulant Kryeziu, Kryesues i bordit ekzekutiv të Institutit EPIK, ka konsideruar se moskoordinimi i krerëve institucionalë rreth dialogut e dobëson jashtëzakonisht faktorin politik. Paraqitja jounike në këtë proces sipas tij e bën palën kosovare të duket e dobët në tavolinën e negociatave Kosovë-Serbi, raporton zeri.info.

“Qëndrimet jounike e bëjnë Kosovën palë të dobët në tryezën e dialogut dhe po ashtu tregojnë papërgjegjësinë institucionale të këtyre udhëheqësve”, ka potencuar ai për “Zërin”.

Sa i përket korrigjimit të kufijve, ide të cilën po vazhdon ta promovojë presidenti Hashim Thaçi, Kryeziu ka thënë se Samiti i Berlinit e ka përjashtuar mundësinë që çështja e territorit të Kosovës të jetë temë diskutimi në procesin e dialogut. Ky samit sipas tij ka vendosur parime të reja sa i përket çështjes së negociatave.

Së këndejmi, siç ai është shprehur, Franca dhe Gjermania e kanë rimarrë procesin në duart e tyre, në momentin që kanë parë se procesi i dialogut nën udhëheqjen e Federica Mogherinit ka devijuar prej qëllimeve që ka pasur kur ka nisur procesi në vitin 2011.

“Franca dhe Gjermania e kanë marrë udhëheqjen e këtij procesi për së paku deri në një momentum kur do ta kemi përfaqësuesin ose përfaqësuesen e re të Bashkimit Evropian. Unë mendoj që zgjidhja e çështjes për Kosovën do të bëhet gjithmonë kur do të ketë ujdi në mes Gjermanisë dhe SHBA-së. Vetëm atëherë ne mund të kemi një marrëveshje pozitive për të ardhmen e dy vendeve”, ka potencuar Kryeziu.

Ndaj, ai është shprehur optimist se edhe në takimin e Parisit do të rikonfirmohen qëndrimet e Berlinit.

“Prandaj edhe në Samitn e Parisit pres që edhe më tutje të ketë rikonfirmim për këtë gjë që e bëri Berlini, një afrim edhe më të madh të Macronit drejt qëndrimit të Merkel”, ka nënvizuar ai.

Sipas tij marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./Zeri