Drejtësia qe një dekadë po i ikën vetingut

Drejtësia qe një dekadë po i ikën vetingut

Aktuale May 15, 2019 - 07:54
Lexoni detajet
Image

Që nga viti 2009 institucionet e drejtësisë në vend nuk i janë nënshtruar një procesi të ri të vetingut, gjë e cila sipas njohësve të drejtësisë pengon luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend. Ata vlerësojnë që nuk ka sinjale se procesi i vetingut do të ndodhë së shpejti, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për gati një dekadë në Kosovë është paraqitur nevoja për një proces të ri të vetingut, që do të përfshinte Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe gjykatat vendore, mirëpo një gjë e tillë ka dështuar të ndodhë për tashmë disa vite për shkak të mosseriozitetit të vet institucioneve të vendit për ta ndërmarrë një iniciativë të tillë.

LEXO EDHE: 'Lufta' njëvjeçare mes Thaçit e Haradinajt

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare që gjithë pjesëtarët e sistemit të drejtësisë në Kosovë të futen në një venting, një gjë e tillë nuk ka arritur të realizohet qysh nga viti 2010, kur për herë të fundit u bë një veting në institucionet e drejtësisë në vend, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Sipas njohësve të drejtësisë, Kosova aktualisht gjendet në një situatë ku pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor nuk kanë interes për të pastruar sistemin e drejtësisë nga personat politikë dhe të korruptuar, përkundrazi ata po bashkëveprojnë dhe po i ofrojnë njëri-tjetrit imunitet. 

Rrjedhimisht sipas tyre nuk ka sinjale se së shpejti Kosovën do ta përfshijë një veting i ri, i udhëhequr nga institucionet vendore ose nga bashkësia ndërkombëtare.

Havolli: AKK-ja e mbështet një veting të ri, duhet të pastrohet sistemi i drejtësisë

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i pyetur lidhur me procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, për “Zërin” ka thënë që një proces i tillë është i mirëseardhur në Kosovë dhe ka theksuar se Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e mbështet këtë proces.

“Më herët ndodhi një veting ose një verifikim i gjithë sistemit të drejtësisë, nuk prish punë nëse niveli politik e vlerëson që të bëhet edhe një veting i tillë sa u përket institucioneve të drejtësisë, edhe AKK-ja e mbështet këtë vendim. Është mirë që edhe ndaj personave të cilët punojnë në institucione të drejtësisë të bëhet një verifikim i së kaluarës së tyre dhe të kontrollohen të gjitha të ardhurat e pasurisë së gjithë zyrtarëve të lartë e veçanërisht atyre në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas Havollit, procesi i vetingut në drejtësi do të ndikonte të bëhej edhe pastrimi i zyrtarëve qeveritarë që kanë aktakuza të ngritura.

“Është një numër i madh i aktakuzave ndaj zyrtarëve të lartë, mirëpo sa i përket çështjes së pastrimit të këtyre figurave ose jo, varet edhe nga vendimet gjyqësore që tash janë të përcaktuara me kodin dhe procedurën penale, por është e mirë që në kuadër të institucioneve të trajtohet edhe çështja e integritetit personal të këtyre zyrtarëve”, ka theksuar ai.

Miftaraj: Vetingu, i paalternativë

Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, institucion ky i cili ka qenë tejet i zëshëm në kërkesat e tyre për një veting të ri në sistemin e drejtësisë, për “Zërin” ka thënë që aktualisht nuk ka indikacione se ky proces do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Kjo sepse sipas tij pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor nuk u konvenon një veting që do të hetonte edhe ata.

“Përderisa vetingu nuk ka alternativë, në praktikë kemi parë se mu kjo Qeveri, e cila e ka në planprogram procesin e vetingut, tani ka ndryshuar qëndrim dhe kjo vjen si pasojë e faktit se një qeveri e cila është e zhytur në skandale dhe në vendime të kundërligjshme nuk ka asnjë interes që të kemi sistem të pavarur të drejtësisë, i cili do të kishte guxim për t’i ndjekur dhe gjykuar të njëjtit. Jemi në një gjendje ku pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor nuk kanë interes për të pastruar sistemin e drejtësisë nga personat politikë dhe të korruptuar, përkundrazi bashkëveprojnë dhe i ofrojnë njëri-tjetrit imunitet”, ka potencuar ai.

Prandaj, sipas tij, një politizim i tillë i skajshëm i sistemit të drejtësisë paraqet nevojën urgjente për një veting të ri në vend.

“IKD-ja përmes raporteve të monitorimit të sistemit të drejtësisë ka argumentuar nevojën e domosdoshme për një proces të vetingut në Polici, në Prokurori dhe në gjykata.

IKD-ja këtë e bazon në radhë të parë në politizimin e skajshëm të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, mungesës së vullnetit dhe rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, kultivimit të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe në raste edhe mungesës së profesionalizmit në trajtimin e rasteve”, ka shtuar ai.

Spahija: Nuk ka indikacione se do të ketë një veting të ri së shpejti

Kurse këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Florent Spahija, ka vlerësuar se fuqizimi i mekanizmave kontrollues për gjyqtarët dhe prokurorët është jetik për Kosovën.

“Në Kosovë proces të tillë kemi pasur gjatë vitit 2009-2010, ku të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kanë kaluar nëpër procesin e verifikimit të së kaluarës së tyre. Në atë kohë kjo është realizuar nga partnerët ndërkombëtarë. Tani nevojë më e madhe konsideroj që është marrja në përgjegjësi e gjyqtarëve dhe prokurorëve për mospunën e tyre. Pra fuqizimi i mekanizmave kontrollues për gjyqtarët dhe prokurorët është jetik për Kosovën”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Për të realizuar një veting efikas Spahija ka thënë që ky proces duhet të mbahet larg nga duart e politikanëve me qëllim që të mos dështojë. “Për të pasur një proces me integritet në veting politika duhet t’i mbajë duart larg gjithë procesit që të mos dështojë. Nuk shoh ndonjë lëvizje në drejtim të ndonjë vetingu aktualisht, ajo çka shohim janë kërkesa të individëve dhe të shoqërisë civile që të fillojë ky proces”, ka potencuar ai.

Nrecaj: Vetingu, i nevojshëm në gjyqësor, Prokurori dhe Polici

Edhe njohësi i çështjeve të drejtësisë, Anton Nrecaj, për “Zërin” ka thënë që vetingu në gjyqësor, në Prokurori dhe në Polici është i domosdoshëm në Kosovë për shkak të ndikimit tejet të madh politik.

“Nëse duam të kemi një sistem funksional të drejtësisë, respektivisht sundim të rendit dhe të ligjit, Kosovës i duhet patjetër vetingu. Është momenti i fundit që përfundimisht gjërat në sistemin e drejtësisë të jenë funksionale në shërbim të popullit dhe pa ndikime politike në gjyqësor. Vetingu duhet të bëhet në tri shtylla, në gjyqësor, në Prokurori e në Polici dhe këtë proces duhet ta udhëheqin ndërkombëtarët. Kjo sepse fatkeqësisht nga vendorët nuk mund të bëhet për shkak të shumë rrethanave e njëra ndër ato është ajo e ndikimit politik”, ka thënë Nrecaj. Sipas tij, procesi i vetingut në Kosovë nuk duhet të jetë i modelit të Shqipërisë, por të jetë i mbikëqyrur nga profesionistë që vijnë nga shtetet si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.

“Kosovës nuk i duhet vetingu i modelit të Shqipërisë, por se ky proces duhet të jetë komplet i mbikëqyrur dhe i udhëhequr nga profesionistë si nga vendet e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Nëse si vend nuk e marrim guximin për të filluar një proces të vetingut, atëherë kam frikën se për një kohë shumë të gjatë do të kemi shumë probleme me sistemin e drejtësisë dhe sundimit të rendit dhe të ligjit në vend dhe aq me tepër do të jemi shumë larg parimeve të demokracisë dhe shumë më larg integrimit të vendit në familjen e Unionit Evropian”, ka shtuar ai.