Tri opsionet e rrezikshme për Kosovën

Tri opsionet e rrezikshme për Kosovën

Aktuale May 10, 2019 - 07:49
Lexoni detajet
Image

Opsioni për ndërrim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka vdekur përfundimisht pavarësisht mesazheve të qarta që dolën në Samitin e Berlinit. Këtë ide vazhdon ta shtyjë përpara presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Analistët politikë vlerësojnë se përpos idesë për korrigjim të kufijve, opsion i rrezikshëm për vendin mbetet Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive ose autonomia për veriun, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht mesazheve të qarta që mori në Samitin e Berlinit për moslëvizje të kufirit Kosovë - Serbi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po vazhdon të mos heqë dorë nga ideja për korrigjim të kufirit mes dy vendeve.

Një gjë të tillë kreu i shtetit nuk ka lënë pa e përmendur edhe në Tiranë, gjatë një takimi që ka pasur me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në kuadër të Samitit të Brdo-Brijunit, i cili u mbajt gjatë ditës së djeshme, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Përmes deklarimit të tij Thaçi tha se në takim me Ramën është diskutuar për nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ideja për ndryshim kufijsh nuk ka vdekur akoma përfundimisht. Një temë e tillë sipas tyre mund të kthehet sërish në tavolinën e bisedimeve. Por këtë çështje e konsiderojnë të mbyllur përfaqësuesit e partive opozitare.

Sipas tyre, kundër një opsioni të tillë tashmë janë pozicionuar edhe aleatët ndërkombëtarë të Kosovës. Edhe zyrtarë të partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, AAK-së, kanë konsideruar se ideja për lëvizje të kufijve tashmë ka vdekur.

Këtë, siç ata janë shprehur, e ka vulosur Samiti i Berlinit, nikoqirë të të cilit ishin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Ditën që qe mbajtur Samiti, 29 prill, ata patën bërë thirrje për arritjen e një zgjidhjeje mes Kosovës e Serbisë që nuk i dëmton vendet e rajonit.

Thaçi: Ende kam shpresë për arritjen e marrëveshjes këtë vit

Gjersa ka folur për lëvizje të kufijve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se bashkë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën e kanë cilësuar si të nevojshëm korrigjimin e padrejtësive historike, respektivisht korrigjimin e kufirit Kosovë - Serbi.

“Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi pas takimit me Ramën.

gjatë fjalimit të mbajtur në Samitin e Brdo-Brijunit kreu i shtetit pohoi se marrëveshja Kosovë - Serbi është e vështirë për t’u arritur, por megjithëkëtë u shpreh optimist se marrëveshja finale mund të arrihet gjatë këtij viti. “Ende më mban shpresa se në këtë vit mund të arrihet një marrëveshje historike Kosovë - Serbi”, ka theksuar ai, teksa ka shtuar se krijimi i një Asociacioni Serb me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm.

AAK: Samiti i Berlinit e ka vulosur çështjen e kufijve

Time Kadriaj, deputete që vjen nga subjekti politik të cilin e drejton kryeministri Ramush Haradinaj, AAK, ka thënë për “Zërin” se mbylljen e temës së kufijve e ka vulosur Samiti i Berlinit.

“Mendoj që Samiti i Berlinit e ka vulosur çështjen e kufijve, ju e dini që Gjermania është kundër kësaj ideje, kundër kësaj ideje është edhe kryeministri i Kosovës, i cili ka punuar shumë në këtë drejtim dhe është edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës që përcakton kufijtë e Kosovës. Kosova është shtet, i kemi 11 vjet shtet, Kosova është njohur prej shumë vendeve në kufijtë aktualë dhe këta do të ngelen”, ka deklaruar ajo.

Me idetë e tij për korrigjim kufijsh presidenti i Kosovës, sipas deputetit të LDK-së Naser Rugova, është duke e dëmtuar rendin juridik dhe kushtetues në Kosovë.

“Presidenti aktual që nga fillet e para të hyrjes së tij në politikë asnjëherë nuk ka pasur konsistencë në qëndrime, ai ka ndryshuar në mënyrë rapide, që nga Rambujeja, morotariumi para pavarësisë dhe tani edhe me këto idetë e çuditshme. Si president i vendit në vend që të jetë simbol i unitetit po e lëndon seriozisht rendin kushtetues dhe juridik me idetë e tij për korrigjim të kufijve”, ka deklaruar ai.

Por megjithëkëtë opsioni për lëvizje të kufijve sipas Rugovës tashmë ka vdekur.

“Mendoj që ideja e tij është varrosur, sepse 17 Shkurti është kompromis i madh dhe është vullnet i popullit të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve duhet të varroset dhe besoj se Berlini e ka dhënë një përgjigje goxha konkrete në këtë drejtim”, ka potencuar deputeti i LDK-së gjatë një bisede për gazetën.

Opsioni për ndërrim kufijsh s’ka vdekur

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se nuk mund të thuhet se opsioni për ndërrim kufijsh ka vdekur përfundimisht.

“Ideja për korrigjim të kufijve, shkëmbim të territoreve, nuk ka vdekur siç po mendohet. Ajo mund të rikthehet sërish në tavolinë nëse paraqiten propozime tjera të dëmshme për Kosovën, siç janë Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive ose autonomia për serbët në veri”, ka deklaruar ajo.

Këto opsione të dëmshme për Kosovën, sipas saj, akoma shihen si zgjidhje për marrëveshjen finale me Serbinë.

“Këto tri ide, asnjëra e mirë për Kosovën, janë ato që nga disa në Kosovë, në Serbi, në BE e në SHBA shihen si zgjidhje që do të mundë ta bënin marrëveshjen përfundimtare të pranueshme edhe për Serbinë dhe përmes të cilave Serbia do të mundë ta njihte Kosovën si shtet të pavarur. Do të mundë ta njihte, sepse të gjitha këto ide janë në interes të Serbisë, sepse e zhbëjnë Kosovën e 17 Shkurtit 2008”, ka theksuar Haxholli.

Realizimi i këtyre ideve sipas saj mundëson marrje të territorit të Kosovës nga ana e Serbisë ose vendosje të kontrollit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet Asociacionit me Kompetenca Ekzekutive.

Së këndejmi Haxholli ka konsideruar se secili nga këto tri propozime paraqet çmim të lartë për Kosovën për ta paguar njohjen nga Serbia. Ndaj sipas saj Kosova nuk duhet ta pranojë asnjërin prej tyre edhe nëse vazhdohet më tutje pa marrëveshje finale me Serbinë dhe pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, është shprehur e vendosur se i pari i shtetit nuk do t’ia dalë ta realizojë qëllimin rreth korrigjimit të kufijve.

“Këto janë përpjekjet e fundit të presidentit Thaçi, i cili nuk do të ketë sukses në realizimin e idesë së tij. Tashmë i kemi refuzimet edhe nga shtetet e tjera aleate, të cilat e kanë thënë hapur qëndrimin e tyre se janë kundër shkëmbimit të territoreve”, ka deklaruar ajo.

Nagavci më tutje ka thënë se LVV-ja do ta vazhdojë angazhimin për ta penguar përpjekjen e Thaçit, i cili sipas saj megjithatë ka marrë fund tashmë.

“Ai mund të tentojë dhe ta shprehë interesimin, përkushtimin dhe vullnetin e tij për ta realizuar këtë projekt, por duke qenë që ky është një projekt i dëmshëm për vendin nuk do të arrijë ta realizojë”, ka nënvizuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.